Albspirit

Media/News/Publishing

Dëshmi historike për simbolet e luftërave për liri dhe pavarësi

PROF. ASOC. DR. BERNARD ZOTAJ

Është një dukuri e re që Organizata e Dëshmorëve të Shqipërisë po promovon vëllimin e dytë “Dëshmorët në rrënjët e kombit shqiptar”, një libër që flet për heroizmin e dëshmorëve të kombit në rrugëtimin e tij historik. Vëllimi i parë i botuar në vitin 2021 nis me dëshmoren e parë në histori, Maro Kondi e vitit 1847 të njohur me akte juridike, e që zënë fill më pas një numër dëshmorësh të shumtë në përpjekjet, luftërat dhe kryengritjet e vazhdueshme të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi. Në vëllimin e parë zënë vend: Rrapo Hekali, Zenel Gjonleka, çeta e Bilbilenjve me Bilal Shakon, Mic Sokoli, Sulejman Vokshi, Spiro Bellkameni, 280 dëshmorët e Kryengritjes së Malësisë së Madhe, Kadri Gjata, 109 dëshmorët e Betejës së Lumës, Ramadan Zaskovi, Çerçiz Topulli, Dedë Gjon Luli, Isa Buletini, Atë Stath Melani, Selam Musa Salaria, Elez Isufi, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Shtjefën Gjeçovi dhe Hasan Prishtina. Vëllimi i dytë, botuar në nëntor 2023 nis me Oso Kukën dhe trimat e tij, Naum Veqilharxhi, Ymer Prizreni, Masakra greke e Homovës, Hoxhë Hasan Moglica, Themistofokli Gërmenji, Avni Rustemi, Azem Galica dhe Musa Fratari. Nisur nga dokumentacioni i shtetit shqiptar nga Kryengritjet e Tanzimatit dhe deri më 7 prill 1939 kemi me akte juridike rreth 1320 dëshmorë të shpallur në Shqipëri. Ristë e reja të këtij libri janë se jep mjaft të dhëna për çdo dëshmor, duke nisur nga vendlindja, prindërit, shkollat, luftimet, betejat, luftëtarët me të cilët ra dëshmor, nderimet, vlerësimet, si dhe aktin juridik të shpalljes dëshmor të Atdheut. Ditë më parë botova në gazetën “Sot” një shkrim me titull “Migjeni, dëshmor i Atdheut” dhe kur të njohur, miq dhe shokë më marrin në telefon dhe çuditen që Migjeni është dëshmor i Atdheut, që nga në viti 1969. Po si Migjeni kemi dhe mjaft dëshmorë të tjerë si Çajupi, Vaso Pasha, Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani etj, një denduri të madhe të veprimtarisë në jetën e tyre prej atdhetari. Ja për të gjitha këta dhe të tjera, Organizatat e Dëshmorëve në këtë vëllim dhe në ciklin e vëllimeve në vijim do të pasqyrojë të plotë tërë aktivitetin e dëshmorëve që luftuan për liri dhe pavarësi. Në krahasim në vëllimin e serisë “Yje të pashuar”, libri “Dëshmorët në rrënjët e kombit shqiptar” është më i plot, më jetëdhënës, për veprimtarinë e dëshmorit dhe të shokëve të tij që ranë për një ideal. Në rast se në librin “Yje të pashuar” jepet akti heroik i rënies së dëshmorit, dhe thuhet se ra bashkë më të tjerë, në këto vëllime jepen të gjithë dëshmorët e rënë bashkë me heroin. Po kështu shkruhen dhe të gjitha nderimet e vlerësimet për dëshmorin, gjë që nuk përshkruhen në librin “Yje të pashuar”. Pavarësisht se seriali “Yje të pashuar” është shkruar për dëshmorët e LANÇ-it, ky libër pasqyron të gjithë dëshmorët e Atdheut, gati në dy shekuj. Më konkretisht me një shembull: Petro Nini Luarasi, i shpallur dëshmor në vitin 1969, në Fjalori Pedagogjik viti 1983, FESH viti 1985 dhe FESH viti 2008, nuk figuron si dëshmor i Atdheut. Kështu janë dhe mjaft patriot e atdhetarë të mëdhenj të shpallur dëshmorë, por që nuk pasqyrohet. Libri në fjalë bën pasqyrimin e plotë të të gjithë veprimtarisë së dëshmorit, apo të heroit, duke na dhënë një tabllo të plotë të figurës së tij. Akademia e Shkencave ka krijuar një komisionin qendror për përgatitjen e Enciklopedisë Shqiptare brenda një periudhe pesë vjeçare. Ky është një lajm shumë i mirë që do të përgatitet enciklopedia me bashkëpunim të gjërë me arritjet e studimeve shkencore dhe standardet e kohës. Ajo që ka rëndësi është pasqyrimi i zërave dhe i figurave të dëshmorëve, pasi në enciklopedinë e parë janë në një formë dhe në enciklopedinë e dytë dalin në një formë tjetër. Fjala është për zëra që lidhen më Organizatën e Dëshmorëve si dëshmorë, heronj, organizata e dëshmorëve, masakra të kryera nga pushtuesit, libra të dëshmorëve, data e dëshmorëve, libra të LANÇ, si dhe të organeve të tyre të shtypit, revista, gazeta, etj. Në periudhën 1945-1990 në shenjë nderimi për figura atdhetare e që kanë kontribuar në mënyrë të dukshme për lirinë dhe pavarësinë e vendit u përkujtuan me madhështi dhe mjaft atdhetarë të vjetër. Organet e pushtetit në qendër dhe bazë, disa prej atdhetarëve të vjetër të Shqipërisë i kanë shpallur dëshmorë të atdheut, të cilët në vijimësi janë nderuan dhe nderohen nga populli shqiptarë. Disave prej tyre ju sollën eshtrat në Shqipëri dhe u vendosën në bazë të ligjit në varrezat e dëshmorëve të rretheve, apo në vende të dukshme e të ngritur pasaçërisht për ta. Të tillë dëshmorë janë: Andon Zako Çajupi, Spiro Bellkameni, Isa Boletini, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Koto Hoxhi, Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), Riza Cerova, Mihal Grameno, Luigj Gurakuqi, Sali Nivica, etj., që si në enciklopedinë e parë dhe të dytën, për këtë dëshmorë, nuk thuhet fjala që janë të shpallur “dëshmorë të atdheut”, por dhe për vendosjen e emrave të tyre në institucione, rrugë, shkolla, apo dhe për botimet e bëra për ta. Në fjalorët e botuar nuk përmenden dëshmorët e pavarësisë, të Luftës së Parë Botërore, të Luftës së Vlorës 1920, të Luftës së Koplikut 1920 dhe të Luftës së Dibrës 1921, etj. Në fjalorin vitit 1985 përmendet libri “Yje të pashuar”, botim serial me shumë vëllime kushtuar jetës, veprës dhe heroizmit të dëshmorëve të LANÇ. Librat në FESH të vitit 1985 janë zë më vete, ndërsa ky zë nuk figuron në botimin e vitit 2009. Ndërsa për revistën “Pavdekësia”, organ i Organizatës së Dëshmorëve të botuar që në vitin 1996, në fjalorin e vitit 2009, nuk përmendet si zë. Për të gjithë heronjtë e popullit të rënë në LANÇ, nuk figuron fjala “dëshmor”, ndërsa për Heroinën e Popullit Ylbere Bylykbashi, nuk ka zë të shkruar për të, në të dy botimet enciklopedike. Ndërsa për Organizatën Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ-it dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut, të krijuar më 6 tetor 1995, e njohur me ligj, nuk ka gjetur pasqyrim në fjalorin e vitit 2009, si zë më vete, por dhe për drejtuesit e organizatës. Në fjalorët e viteve 1985 dhe 2009, kanë zënë vend vetëm masakrat Borova dhe 4 shkurti. Ndërsa për masakra të tjera të kryera nga pushtuesit gjatë historisë shekullore nuk gjejnë pasqyrim. Këto dhe të tjera i plotëson më së miri ky libër. Në sesioni shkencor që organizuam për simbolet e LANÇ në Tiranë, në shkrimin që botova mora kritika nga intelektualë të ndryshëm që themi “Dëshmorë të LANÇ dhe Dëshmorë të tjerë të Atdheut”, që këtu fillon ndarja, më shkruanin, por ata nuk e dinin që pas kësaj lufte filloi dhe nderimi nga shteti shqiptar për dëshmorët. Nisma që ka marrë Organizata e dëshmorëve për botimin e këtij seriali në shumë vëllime është një nismë që duhet përgëzuar e inkurajuar. Urime dhe suksese në botimet e tjera.

Please follow and like us: