Albspirit

Media/News/Publishing

Shpella e Ramicës, spital partizan gjatë LANÇ-it

 

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Shërbimi shëndetësor partizan

Qendrat e qëndrueshme (stacionare) shërbyen si baza për kalimin në një fazë të re dhe pikërisht në atë të krijimit të spitaleve partizane. Këto qendra formën e tyre të plot e marën pas gushtit të vitit 1943, kohë e cila mund të konsiderohet edhe si fillim i kësaj faze të LANÇ-it. Zgjerimi dhe organizimi i ushtrisë partizane ndikoi edhe në zgjerimin dhe përsosjen e shërbimit shëndetësor partizan. Në vijim të këtyre masave organizative, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH, i krijuar në Labinot të Elbasanit më 10 korrik 1943, më 17 gusht të vitit 1943, duke u nisur nga kërkesat dhe nevojat e ngutshme të luftës lëshoi urdhërin e krijimit dhe të organizimit të spitaleve partizane. Ky urdhër dhe një sërë aktesh të tjera përcaktojnë mënyrën e funksionimit të spitaleve partizane. Po kështu u shtruan dhe detyra të veçanta për personelit mjekësor, për mjekët dhe infermierët. Ndërsa në një urdhëresë tjetër të Shtabit të Përgjithshëm përcaktohen me hollësi detyrat e mjekut dhe të infermierit. Ja çfarë thuhet në këtë dokument: “…para së gjithash mjeku duhet të jetë i sjellshëm, i ndërgjegjshëm, i kujdesshëm, i shpejtë në diagnostikimin dhe terapinë e sëmundjes,  i dashur dhe i urtë, të jetë i duruar dhe i palodhur ndaj të sëmurëve, sidomos ndaj luftëtarëve të plagosur të cilët mund të jenë të traumatizuar…”. Kurse për personelin e mesëm ndihmësmjek dhe infermierët bëhej e qartë se: “… pas mjekut edhe ata janë përgjegjës për punën mjekësore në spitalin partizan, bashkëpunojnë me mjekun, ndajnë punën, mbajnë barnat, ushqimet, si dhe bëjnë ndarjen e tyre. Ata gjithashtu duhet të kujdesen për ruajtjen e mirëmbajtjen e veglave mjekësore, si dhe pastrimin e të sëmurëve…”. Qendër mjekësore e shërbimi mjekësor partizan fillimisht për zonën e Vlorës ka qenë në Shpellën e Ramicës, Smokthinë. Kjo i ka fillimet e veta dhe ka funksionuar si qendër mjekësore nga janari i vitit 1943. Mjeku dr. Ibrahim Dervishit ka mjekuar dhe shëruar të plagosurit e parë në Luftën e Gjormit në dhjetor 1942-janar 1943.

Nga infermieri në spital partizan

Më 25 gusht 1943 në Shpellën e Ramicës u krijua i pari Spital Partizan për Zonën e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër. Këtë shembull e ndoqën edhe të tjerë spitale si në Kuç të Kurveleshit, në fshatin Katund të zonës së Vakëfeve të Korçës, Voskopojë, Hoçisht, Topovë, Nivan, Poliçan të Gjirokastrës, Leshicë e Sipërme në Përmet etj. Spitale partizane u shërbenin Zonës së Parë Operative, Grupeve partizane dhe formacioneve të mëdha. Ato ishin vendosur tërësisht në zona të thella e kryesisht të çliruara e të sigurta, si dhe në pozicione të tilla që lejonin shvendosjen dhe manovrimin e shpejtë të tyre me qëllim që në rast nevoje të dislokoheshin në një zonë tjetër më të thellë e më të sigurt. Spitalet ishin të vendosura kryesisht nëpër shtëpitë e patriotëve atdhetarë apo në shkolla e godina të tjera, në ndonjë një rast edhe në çadra fushore apo tenda të thjeshta me degë pylli. Këto shtëpi-spitale, ktheheshin në vende mjekimi e shërimi për qindra e qindra partizanë. Gjithashtu spitalet partizane janë vënë në shërbim edhe të popullsisë civile vendase. Nga ana tjetër, popullsia e zonave në të cilat ishin ngritur spitale ndihmonte aktivitetin e mbarëvajtjen e këtyre spitaleve jo vetëm në vënien në shërbim të ambienteve ku jetonin, por edhe në drejtim të shërbimit ndaj partizanëve të plagosur, apo duke siguruar dhe përgatitur ushqim për ta. Spitalet partizane të krahinës së Smokthinës, ashtu si në gjithë Shqipërinë, në fillimet e LANÇ-it, mjekimi i partizanëve të plagosur e të sëmurë bëhej me shumë vështirësi. Në fillim të plagosurit lehtë mjekoheshin në çetë e batalion nga luftëtarë që ishin ngarkuar me shërbimin mjekësor. Të sëmurët apo të plagosurit më rëndë strehoheshin në banesat e fshatarëve për mjekim e kujdes të mëtejshëm. Një qëndrim shembullor kanë mbajtur fshatarët e Smokthinës për sa i përket trajtimit të partizanëve të sëmurë apo të plagosur. Traditat e mjekësisë popullore të kësaj krahinë, kujdesi dhe ruajtja e konspiracionit për të mos zbuluar familjet që mbanin partizanë të plagosur, bënë që të kuroheshin me sukses dhjetra e dhjetra partizanë e partizane.

Shpella, qendra ku mjekoheshin partizanët

Shpella e Hyse në fshatin Ramicë është mijëravjeçare dhe njihet ndryshe edhe me emrin “Shpella e Çine”. Ajo gjendet në një vend shkëmbor e malore të mbrojtur dhe ka një sipërfaqe rreth 300 m2. Brenda ajo ndahet me mure shkëmbore, duke krijuar përshtypjen e ndarjes në dhoma. Ka ngushtime e zgjerime me përmasa mesatare 10-15 m. Zgjerimi më i madh ka formën e një kubeje. Lartësia mbi nivelin e detit është 1000 m. Shpella ka përgjithsisht temperature konstatante e veçanërisht në dimër ndjehet më ngrohtë se sa në ambientin e jashtëm. Në mesin e vitit 1943 Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare kishte marrë një shtrirje të gjërë. Ushtria partizane shtohej në numër e rritej e përsosej vazhdimisht dhe organizimi i saj përsosej po ashtu. Pas kapitullimit të Italisë fashiste, në muajin shtator të 1943 një pushtim edhe më i egër e zëvendësoi atë italian. Më 13-14 shtator të vitit 1943, forca të shumta gjermane të ardhura nga Greqia u futën në jug të Shqipërisë. Në zonën e Vlorës, e konkretisht në Drashovicë, kishte qenë pozicionuar një garnizon italian i cili kishte një bazë shumë të fuqishme materiale, si depo me veshmbathje, një spital fushor të pajisur mirë e bashkë me to edhe një farmaci të kompletuar, municione e shumë materiale të tjera ushtarake, të cilat ishin vendosur në fushën Drashovicë-Mavrovë. Gjermanët arritën të bllokojnë gamizonin, së bashku me gjithë materialet e tij. Në këto rrethana, komanda partizane, pasi analizoi mjaft mirë situatën, përgatiti një plan operativ që kishte si qëllim të godiste ushtrinë gjermane e cila deri në atë kohë nuk kishte bërë ndonjë rezistencë si dhe të lironte robërit italianë që kurresesi nuk duhej të ktheheshin në një kontigjent aktiv të ushtrisë gjermane. Pa dyshim, ushtria gjermane ishte e armatosur mirë, por në përpilimin e planit të aksionit komanda partizane mbajti parasysh epërsinë që të jep njohja e terrenit, si dhe goditjen në befasi. Më datën 15 shtator 1943, në orën 02 të natës, filloi sulmi. Fillimisht u goditën me artileri e mortaja depot e armatimit. Befasia e sulmit solli një çoroditje të madhe në radhët e ushtrisë gjermane. E ndërkohë që filloi sulmi, goditja vazhdoi edhe me forca të tjera të shumëfishuara me qëllim që të mos u lihej kohë gjermanëve të organizoheshin në mbrojtje. Pas kësaj goditje të rrufeshme, divizioni gjerman pësoi humbje të rënda. Në këtë luftë, për herë të parë përkrah partizanëve tanë u rreshtuan edhe disa forca italiane që i ishin bashkuar thirrjes për të luftuar armikun e përbashkët. Pas asgjësimit të gamizonit gjerman të Drashovicës, forcat partizane arritën të marrin gjithë materialin trofe të spitalit fushor si dhe farmacinë e pajisur me medikamente dhe depot me materiale të shumta ushtarake. Gjithashtu robërit italianë u lanë të lirë dhe përgjithësisht ata morën drejtimin e Mesaplikut. Në kontigjentin e forcave italiane të atij garnizoni bënin pjesë edhe 13 mjekë dhe infermierë të cilët iu bashkuan forcave partizane. Në këtë betejë të ashpër u plagosën mbi 40 partizanë, ndërmjet të cilëve edhe komisari i Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër Hysni Kapo, si dhe drejtues të tjerë si Mevlan Dervishi, Arif Hasko, Shefqet Peçi, Jaho Gjoliku, Et’hem Gjinushi, Hito Çako, Manush Myftiu etj.

Përpara fillimit të Luftës së Drashovicës dhe në zbatim të urdhërit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, për krijimin e spitaleve partizane, ishte caktuar edhe qendra ku do të mjekoheshin partizanët e plagosur të zonës dhe kjo ishte Shpella e Ramicës, tashmë e shndërruar në spital partizan. Për këtë fakt dëshmon në kujtime veterania Shaniko Burhanaj. Ajo shkruan se kur u plagos e dërguan për mjekim në spitalin që ndodhej në guvën e Ramicës. Atje e mjekuan Dr. Ibrahim Dervishi dhe ndihmësja e tij, Drita Kosturi ose Lumja siç e thërrisnin e cila pas vrasjes së Qemal Stafës ishte dërguar në zonën e Vlorës. Plagët, thotë ajo, i kisha shumë të rënda. Me që armiku na ndiqte, spitali disa herë u shpërngul. Është për t’u theksuar se gjatë të gjitha operacioneve që ndërmori armiku në këtë zonë nuk pati asnjë humbje nga forcat partizane për sa i përket spitaleve partizane. Prej kujdesit dhe duarve të mjekëve të talentuar në këtë kohë u mjekuan, u shëruan dhe u kthyen në front me dhjetra partizanë të plagosur.

Spitalet partizane kanë patur që në fillim një karakter kurativo-profilaktik. Kirurgjia e plagëve të luftës, sidomos ato të shkaktuar nga armët e zjarrit, zinte një vend të rëndësishëm në aktivitetin e tyre. Ajo kryej nga kuadro të aftë e të profilizuar, por shpesh edhe nga ish studentë mjeksie stazhierë, që ende nuk e kishin përfunduar fakultetin dhe me mjete të pakta mjekësore, madje shpesh kur urgjenca e marrjes së masave nuk priste, edhe me mjete të improvizuara rrethanore si sharra, pinca për heqjen e plumbave apo copave të predhave, gërshërë, mjete të mprehta etj. Me krijimin e spitaleve të para partizane u rrit ndjeshëm edhe puna profesionale për rritjen e njohurive të personelit të mesëm e të ulët. Për këtë ndikoi së tepërmi edhe përfshirja në radhët e ushtrisë të një numri gjithnjë e më të madh mjek e student nga mjekësia, por edhe përvoja tashmë e përfituar gjatë 2-3 viteve aktivitet luftarak. Për medikamenteve, baza kryesore për sigurimin e tyre ishin farmacitë ekzistuese nëpër komuna e qytete me anën e blerjeve të rregullta nga organet kompetente të LANÇ-it, blerjet sistematike jashtë shtetit, kryesisht në Itali nga ana e firmës private që drejtohej nga luftëtari Naum Stralla, i cili gjatë LANÇ-it ka kryer blerje të rregullta medikamentesh. Rrugë tjetër për sigurimin e medikamenteve ishin rrëmbimet masive që u bëheshin spitaleve të ushtrisë armike me anën e aksioneve të njësiteve guerrile. Medikamentet janë siguruar gjithashtu dhe nga spitalet apo farmacitë e qyteteve. Në fazat e mëvonshme të LANÇ-it një ndihmë të konsiderueshme për sigurimin e medikamenteve dhe mjeteve mjekësore kanë dhënë ndihmat e aleatëve Anglo-Amerikanë, madje me krijimin e kushteve të përshtatshme shumë nga të sëmurët e të plagosurit u transportuan në spitalet e senatoriumet e tyre me anën e mjeteve detare në qytetet e çliruara të Italisë.

Qëndrim atdhetar i personelit shëndetësor

Gjatë fazave të ndryshme së LANÇ-it shumë punonjës të ndryshëm të shëndetësisë si mjek, ndihmësmjek, infermier, farmacist, sanitar, pa marrë parasysh rrezikun që u kanosej, kanë dhënë një kontribut të çmuar shërbim të antarëve të njësiteve guerrile, partizanëve të sëmurë apo të plagosur, si dhe popullatës. Qëndrimi sa atdhetar aq dhe profesinal i personelit shëndetësor në luftë ishte i lidhur ngushtë me vetë natyrën humane të profesionit të mjekut, por nga ana tjetër dëshmon edhe për sensin e lartë patriotik dhe të përgjegjësisë qytetare që ata ndjenin për fatet e luftës dhe të koombit. Në Spitalin e Ramicës kanë shërbyer fillimisht Dr. Ibrahim Dervishi, Dr. Petro Cani i cili më vonë ka shërbyer heroikisht në zonën e Qarkut të Korçës, Shëngjergjit të Tiranës, Zerqanit, të Dibrës e së fundi në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak në Tiranë, Dr. Grigor Konomi, Dr. Grigor Dahiu si dhe një mjek Italian. Ky spital pati pajisje të mira e medikamente relativisht të mjaftueshme, pasi ishin materiale të kapura nga italianët në betejën e Drashovicës. Për arësye të rrethaneve të luftës, ky spital ka qenë i detyruar të shpërngulej disa herë, madje në disa raste, ta copëzonte aktivitetin e tij dhe, për këtë arësye, në këtë periudhë ndeshemi me mjaft spitale lëvizëse. Kuadri shëndetësor i luftës ndonëse i pakët në numër, e dënoi në fillim pushtimin nazifashist të vendit. Punonjës të këtij shërbimi të rëndësishëm e human të çdo niveli që janë burgosur, internuar apo pushkatuar për shkak të aktivitetit të tyre profesional në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së vendit. Mjekët edhe në burgje apo në kampet e përqëndrimit e kanë ushtruar aktivitetin e tyre mjekësor në shërbim të jetës. Të tillë kanë qenë mjekët Ibrahim Dervishi, Spiro Lito, Mihal Angjeli, të cilët pushtuesi fashist i internoi në ishujt e Italisë, ndërsa mjekët Mihal Konomi, Dhimitër Kutulla në kampet gjermane. Infermiere si Dhimitra Trajani në kampin e Prishtinës, Fato Berberi, Sofie Noti, Dhoksi Dhame në kampin nazist të përqëndrimit në Selanik të Greqisë. Jo të pakët kanë qenë mjekët apo punonjësit e tjerë të shëndetësisë të cilët angazhimin e tyre në shërbim të luftës antifashiste e kanë paguar edhe me jetën e tyre, duke rënë Dëshmorë të Atdheut.

Kjo shpellë në me vendim nr. 676, datë 20. 12. 2002 të Këshillit të Ministrave “Për shpalljen zonë e mbrojtur të monumenteve të natyrës shqiptare”, është shpallur monument kulture. Ndërsa në Muzeun Historik Kombëtar ështe një maket i kësaj shpelle historike.

Please follow and like us: