Albspirit

Media/News/Publishing

Bujar Dugolli: 115 vjet Kongresi i Manastirit

Lufta për alfabetin dhe shkollat kombëtare shqipe 1908-1910
​Shpallja e disa lirive dhe të drejtave me fitoren e revolucionit xhonturk krijonte kushte për herë të parë për lirinë e përdorimit dhe të shkrimit të gjuhës shqipe. Mirëpo kjo s’mund të bëhej pa hapjen e shkollave shqipe dhe pa një alfabet të njësuar të shqipes.
​Pengesë më e madhe për funksionimin dhe mbarëvajtjen e shkollave ishte çështja e alfabetit të njësuar kombëtar (përcaktimi për llojin dhe formën e Alfabetit).
Deri në vitin 1908 qarkullonin tre alfabete: ai i Shoqërisë “Bashkimi” dhe ai i Shoqërisë “Agimi” në shkollat katolike, dhe ai i Shoqërisë së Stambollit.
​Për të zgjidhur çështjen e alfabetit më 14-22 nëntor 1908 u mblodh Kongresi i Manastirit. Morën pjesë delegatë nga klubet dhe qytetet shqiptare si dhe nga kolonitë. Merrnin pjesë intelektualë të shquar si Mithat Frashëri (kryetar i “Klubit të Selanikut”). Gjergj Fishta (përfaqësues i klubit “Bashkimit”) dhe Dom Ndre Mjeda (përfaqësues i klubit “Agimit”), Sotir Peci (edit. i gaz. “Kombi” në SHBA), Bedri Pejani nga Kosova, Shahin Kolonja, Gjergj Qiriazi, etj.
​Kryetari i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri (i biri i Avdyl Frashërit). Duke qenë se secili delegat do të mbronte alfabetin e vet do të ishte e vështirë të arrihej uniteti. Duke pasur si qëllim arritjen e një pëlqimi për një alfabet unik, Gjergj Fishta u bënte të ditur delegatëve se “ai nuk kishte ardhur për të mbrojtur asnjë prej alfabeteve, por kishte ardhur për t’u bashkuar me të tjerët dhe të adoptohej ai alfabet që kongresi do ta vendoste si më të dobishëm për lartësimin e popullit”. Fjala e Fishtës bëri përshtypje të veçantë te delegatët, të cilët theksuan se bashkimi i gegëve e toskëve ishte jetik për kombin.
​Kongresi zgjodhi komisionin e alfabetit me njerëzit më të kulturuar në krye te të cilit ishte Fishta. Duke marrë në shqyrtim alfabetin e Stambollit, Bashkimit dhe Agimit komiteti përcaktoi tri alternativa:
1) Të zgjedhej një nga të tre alfabetet e lartëcekur;
2) Të zgjedhet një Alfabet i ri i dalë nga bashkimi i të treve;
3) Të zgjedhet një Alfabet i ri fare.
Ndërkohë nga shumë anë vinin telegrame për preferenca të ndryshme.
Më në fund dy rryma u pozicionuan dhe atë:
1) Alfabeti latin me 25 germa dhe dygermëshe të veçanta të shqipes, që ishte pothuaj alfabeti i shoqërisë “Bashkimit”, dhe;
2) Alfabeti i Stambollit (përkrahur nga Mithat Frashëri. Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Nyzhet Vrioni dhe NdreMjeda) qe ishte çdo tingull një germë.
​Më në fund u vendos që të përdoreshin të dy alfabetet. Në cilësinë e kryetarit Fishta theksoi se alfabeti i Stambollit i kënaqte nevojat e kombit shqiptar, por nuk ishte i përshtatshëm për shtypjen e librave jashtë dhe komunikimin me botën. Për këtë ishte i domosdoshëm alfabeti latin (Shembulli i gjermanëve: alfabeti gotik dhe latin).
​Delegatët e Kongresit falënderuan Shoqërinë Biblike Angleze e cila kishte bërë aq shumë për qarkullimin e librave të shenjta të përkthyer në një shqipe të pastër si ajo e Kristoforidhit.
​Kongresi vendosi gjithashtu që Klubi “Bashkimi” i Manastirit të kishte rolin kryesues për klubet shqiptare dhe jo Klubi i Stambollit.
​Një mbledhje e veçantë e delegatëve të Kongresit mori një sërë vendimesh që përcaktuan programin kombëtar prej 18 pikash, i cili iu dha Shahin Kolonjës, deputet i Korçës për t’ua paraqitur autoriteteve osmane. Programi kërkonte njohjen zyrtare të kombit shqiptar dhe të gjuhës shqipe, dhe e nëpunësve shqiptarë, kryerja e shërbimit ushtarak nga 2-4 vjet në Shqipëri nën drejtimin e oficerëve shqiptarë, shpallja e gjuhës shqipe si gjuhë mësimi në të gjitha shkollat shtetërore, shndërrimi i shkollave të huaja në shkolla shqipe dhe vënie e tyre nën administrimin e shtetit, themelimi i një universiteti shqiptar.
​Kërkesat ekonomike ishin hapja dhe shfrytëzimi i minierave, ndërtimi i hekurudhave nga sipërmarrës shqiptarë, etj.
​Kongresi i Manastirit u kthye kështu në një forum kombëtar me vendime të rëndësishme që i tejkalonin liritë e akorduara nga pushteti xhonturk. Vendimet e Kongresit u pritën me shqetësim nga qarqet fanatike myslimane dhe komitetet xhonturke, të cilat nuk e dëshironin emancipimin kulturor të shqiptarëve gjë që do të farkëtonte ndërgjegjen e tyre për të qenë të veçuar nga perandoria. Këtë rrezik ata e shihnin edhe tek alfabeti latin, i cili krijonte idenë e të qenit “veç” të shqiptarëve.
​Prandaj si kundërveprim ndaj alfabetit latin të shqipes ata, ngaqë nuk mund ta ndalonin më gjuhën shqipe, zgjodhën si alternativë lirinë e gjuhës shqipe por me alfabetin osman (arab). Prandaj bënë një propagandë të etshme për imponimin e alfabetit osman. Për këtë qëllim u iniciua mbajtja e një Kongresi në Dibër më 23 korrik 1909.
Organizator formal i Kongresit ishte Komisioni Kushtetues Shqiptaro-Osman, por në fakt organizatorë ishin vet xhonturqit.
​Në këtë kongres merrnin pjesë 315 delegatë nga të cilët 95 të krishterë. Qëllimi kryesor i xhonturqve ishte ta paraqitnin Kongresin si demonstrim të besnikërisë së shqiptarëve për kushtetutën dhe vendosmërisë për ta mbrojtur atë dhe të deklarimit që ata nuk kishin synime separatiste.
​Së dyti, t’ua impononin shqiptarëve përdorimin e alfabetit osman për gjuhën shqipe. Në lidhje me alfabetin u diskutua gjatë. Si rezultat i këmbënguljes së nacionalistëve shqiptarë krahu proosmanist nuk arriti ta bëjë të pastër vendimin për alfabetin.
Megjithatë u vendos që mund të hapeshin shkolla fillore, qytetëse, tregtare dhe lice në çdo pjesë të Shqipërisë dhe këtu duhet të mësohet gjuha amtare shqipe, po ashtu edhe në shkollat shtetërore, por mënyra e të mësuarit (alfabeti latin apo osman) kjo do të lihej në zgjedhjen e tyre. Të gjitha shpenzimet për shkollat do t’i merrte përsipër shteti. Kjo gjë sipas xhonturqve çelte rrugën për futjen e alfabetit osman në shkolla.
​Kongresi i Dibrës ishte një hap përpara në lëvizjen politike kulturore të shqiptarëve. Xhonturqit nuk arritën një koncesion por heqjen e alfabetit me shkronja latine. Kongresi u shoqërua më pas me demonstrata në qytet në favor të alfabetit osman (me shkronja arabe).
​Mirëpo pati shqiptarë që nuk u tërhoqën. Elbasani ishte bërë një nga qendrat kryesore të aktivitetit kombëtar në këto kohë. Organizimin dhe ruajtjen e shkollave këtu e kishte marrë në dorë klubi patriotik i qytetit ku bënin pjesë figura të shquara patriotësh ai Aqif Pasha, Lef Nosi, Dervish Beu, Dhimitraq Buda, Simon Shuteriqi, etj. për këto arsye Elbasani u zgjodh për thirrjen e një kongresi të ri i cili i filloi punimet më 2 shtator 1909 dhe vazhdoi deri më 8 shtator.
​Kongresi ndër të tjera vendosi:
​- Zbatimin e vendimeve të Kongresit të Manastirit për futjen e gjuhës shqipe në tërë shkollat e vendit dhe me alfabet latin;
​Pas Kongresit të Elbasanit u hapën një sërë shkollash shqipe duke përfshirë edhe vilajetin e Kosovës.
Më 1 dhjetor 1909 u hap shkolla Normale e Elbasanit. Gjuha shqipe me alfabet latin u fut edhe në shkollat e mesme të Shkupit.
​I shqetësuar nga këto komiteti xhonturk i Selanikut dërgoi Arif Hikmetin (djalë i ri shqiptar nga një familje e pasur e Kosovës) në janar 1910 për të bërë propagandë kundër alfabetit latin dhe pro alfabetit osman në vilajetin e Kosovës. Xhonturqit nxitën në shumë vende demonstrata anti alfabetit latin të elementëve fanatikë myslimanë.
​Në rrethanat e luftës midis alfabetit latin dhe atij osman u mblodh Kongresi II i Manastirit (2-4 prill 1910); meqë ishte vendosur nga Kongresi I i Manastirit për t’u mbledhur sërish një kongres pas dy vjetësh.
​Pasi dënuan përpjekjet e xhonturqve për t’u përzierë në çështjet e alfabetit shqiptar duke i quajtur ato kundër kushtetuese, Kongresi theksoi se problemi i gjuhës shqipe u përket vetëm shqiptarëve duke mbetur kështu me vendimin për alfabetin latin, të marrë qysh më 1908 në Manastir.
​Reagimet negative të xhonturqve ishin të vazhdueshme. Kryeministri i kohës Hakki Pasha i deklaroi një deputeti shqiptar në parlamentin turk se “qeveria e konsideron dëshirën e shqiptarëve për adoptimin e alfabetit latin si hap të parë për shkëputjen nga perandorija… Qeveria duhet dhe do të bëjë gjithçka për ta penguar adoptimin e alfabetit latin”.
​Mirëpo edhe patriotët shqiptarë kundërshtuan me të gjitha mjetet aktet e tilla. Në janar 1910 në Stamboll krijohet Shoqëria e Intelektualëve të Rinj Shqiptarë me studentët shqiptarë të Universitetit të Stambollit, e cila mori qëndrim të hapur në mbrojtje të alfabetit latin.
Kështu alfabeti i gjuhës shqipe u bë një fakt i pamohueshëm gjithandej dhe gjuha shqipe u lartësua si asnjëherë më parë.
Respekt e mirënjohje ndaj të parëve tanë që u rreshtuan drejt në këtë periudhë të vështirë për kombin shqiptar dhe gjuhën shqipe.
Please follow and like us: