Zaim Kuçi: Mohimi i luftës për çlirimin e vendit, rivrasje për dëshmorët dhe partizanët
Për Sami Kuçin, Drobonik Berat
Të njohësh të vërtetën e të kaluarës historike të vendit tënd, të njerëzve që i kanë dhënë jetë asaj, është ushqim i mendjes për brezin e ri për të ecur në bardhësinë e rrugës, në vlerat që na kanë lënë; kjo na bënë mirë që të mos pengohemi në rrugën tonë. Cili është Sami Kuçi? Përse ky shkrim, ç’farë duhet të marrim nga një shqiptar kaq njerëzor që shpesh sakrifikonte jetën për idealin e shenjtë në mbrojtje të atdheut dhe të bashkëfshatarët të tij.
Thuhet: “babai im është më i mirë” por nga Samiu unë mora nga jeta e tij të veçantën, fisnikërinë për kauzën e çlirimit të vendit. Post 90-ta na e solli demokracinë pa frena me plot aksidente. Ashtu siç e pësuan fabrikat, uzinat, pemët, lumenjtë dhe liqenet u shkatërruan edhe lapidarët, vendet historike, edhe pllaka në hyrje të shtëpisë “Bazë e Lëvizjes Nacionalçlirimtare” e Sami Kuçit. Ashtu si në llogoret e luftimit, përsëri dolën në duel “partizanët” dhe “ballistët” ku këta të fundit morën revansh të nxitur nga shteti i ri që targëtoi si duket Luftën Nacionalçlirimtare në emër të luftës kundër komunizmit nga vet komunistët. Fatkeqësisht kemi një revansh të mohimit të turpshëm, të pakuptimtë të gjithçkaje sublime që kanë bërë baballarët tanë, ndaj po i hedh publike ato që kanë ndodhur realisht me tim At. Ato janë ashtu siç ai dhe të tjerët i kanë treguar, si fenomen për bashkëjetesë por dhe akt mirënjohje për të dhe për disa emra heronjsh që janë pjesë e këtij shkrimi. Nën peshën e kujtimeve, me shumë kujdes, e kam detyrim moral për të sjell disa momente nga jeta e tij si pjesë e së tërës të asaj kohe, të shkruaj amanetin e tij: për të ecur përpara duhet të harrojmë të keqen, të falim për të korrigjuar të kaluarën ndarëse të popullit tonë. Ai ishte një shëmbull bashkëjetese deri në largimin nga kjo jetë. Pas viteve 40-të Samiu ishte në origjinë të lëvizjes nacionalçlirimtare si krijues dhe pjesëmarrës aktiv. Sipas situatës ai merrte rolin e organizatorit jo vetëm që mbeshteste lëvizjen për çlirimin e vendit me pjesëmarrje direkt në luftë të bashkëfshatarëvë por dhe organizonte mbledhjen e ushqimeve në zonë dhe mjete të tjera logjistike për partizanët. E përsëriste shpesh slloganin e kontributit te tij: në sup një armë, një traste me copë bukë misri dhe në zemër shumë dashuri për ata shqiptarë që shkonin në luftë. Dëshmi e kësaj pune të sinqertë, mbas çlirimit lokaliteti u vendos në shtëpinë tonë, e njohur “zyrë pune në odën e Samiut”, zyrë për regjistrimet, celibrimet e të tjera formalitete të zonës.
Plagosja e partizanit Kadri Sevrani nga Cakrani i Skraparit
Gjatë luftës për marrjen e qytetit të Beratit, gjithmonë fshati Drobonik për nga pozicioni dominant gjeografik vlerësohej si bazë nisje për mësymjen për marrjen e qytetit, (sipas rastit) si nga partizanët, gjermanët dhe italianët ndaj shpesh ky fshat ishte fushë beteje duke krijuar situata të vështira edhe për banorët e këtij fshati.
Gjatë një beteje të përgjakshme midis partizanëve dhe gjermanëve mbetet i plagosur partizani Kadri Sevrani pranë shtëpisë sonë. I ndodhur nën breshërinë e plumbave, luftim trup me trup nga ndjekja e gjermanëve, partizanët nuk mundën ta merrnin me vehte, të nxituar e spostuan diku në anë të rrugës duke e fshehur pas një peme. Gjermanët kishin ndërmarrë një kundërsulm kundër partizanëve të ndihmuar nga ballistët e zonës që ishin të shumtë. Babai tregonte se vrasja e partizanit është bërë nga ballistët (vrasësi ishte një i njohur i babait dhe ai e tregonte si akt trimërie tek gjermanët pasi partizani vinte nga zona e Skraparit) diku të vendosur tek vendi “bregu i fierit” të cilët ishin udhërrëfyes dhe bashkëluftëtar me gjermanët në këtë zonë. Në këtë kohë Samiu fshehurazi e merr të plagosurin me nxitim pa ardhur forcat gjermane dhe e strehon në shtëpi, në dhomën e fëmijëve duke i dhënë ndihmën e parë për të ndërprerë rrjedhjen e gjakut dhe e mbulon me shumë rroba për të ruajtur temperaturën e trupit mbas derdhjes gjakut, tregonte babai me dhimbje. Mbas pak kohe vijnë gjermanët të shoqëruar nga ballistët dhe hyjnë në shtëpi duke ndjekur pikat e gjakut. Një skenë e tmershme sjellje të këtyre pushtuesve ndaj viktimës dhe familjes time të treguar kaq shumë herë në vite nga babai dhe nëna ime; por në krahë të tyre ishin edhe persona nga Balli Kombëtar.
Sa herë babai tregonte me dhimbje se si çizmja gjermane lëviste kokën e partizanit për të vërtetuar se ishte gjallë apo jo dhe me pistoletë në dorë për ta rivrarë, por i ndodhur nën klithmat e nënës time dhe të fëmijëve të vegjël pistoleta nuk u shkrep. I gjori nuk është partizan, ju lutej babai, por e kanë marrë me zor në luftë sipas ligjit të luftës të partizanëve; sajonte babai për ta shpëtuar. Kjo e folur ishte disi bindëse dhe në këtë kohë ndërhyn një nga ballistët, i sjellshëm duke e mbrojtur të plagosurin, ndoshta e njohu: është i vdekur dhe e ka sjellë këtu thjesht për ta varrosur sipas traditës, kështu gjermanët largohen nga shtëpia. Partizani i plagosur kishte uniformë që tregonte vullnetarizmin e tij, për fat këtë veshje babai e kishte fshehur dhe i kishte veshur rroba të tjera. Me largimin e tyre, kur situata u qetësua, babai niset për në Berat duke e ngarkuar në një mushkë nga një rrugë dytësore (rruga e maqinës), kalon lumin Osum dhe shkon direkt në spital. Në spital ndryshon fshehurazi tabelën e të plagosurit me një ballist tjetër i shtruar në krahë të tij. Nisur nga tabela e të plagosurit, “ballist” dhe nga gjendja e rëndë Kadriun e nisin për në Tiranë për një ndërhyrje më të specializuar. Mbas çlirimit Kadriu i shëruar kthehet tek vendi ku ishte vrarë, pranë shtëpisë, përballë portës sonë. Ai qëndroi gjatë aty ndoshta për të kujtuar ndonjë rrethanë njohje për këtë ngjarje të dhimbshme. Nëna e shikonte nga dritarja, sigurisht ky person i dyshimtë në derë të shtëpisë mbas luftës, pa trokitur në portë, me lëvizje të dyshimta ishte frikë për të pasi ndodhej vetëm. Në pritjen e gjatë tek porta kthehet babai në shtëpi dhe mbas një pritje të ngrohtë familjare, duke kaluar natën në familjen e babait ata u bënë vëllezër. Ai filloi punën në Degën e Brendshme në Berat dhe më pas si sekretar i Gjykatës në Skrapar. Filluan vizitat e ndërsjellta në familje deri vonë edhe mbas vdekjes të babait tonë. Në tregimet e babait tim, me shumë skena dhimbje, partizani Kadri Servaj mbeti në ndërgjegjen tonë një hero; një simbol për familjen, të afërmit e tij, ai është i të gjithëve që e duan dhe jo e mohojnë këtë vend. Nuk mund të rrija në hije për këtë ngjarje kaq të dhimbshme që unë e tregova kaq shkurt si artikull gazete si informacion krenarie.
Shtëpia e Sami Kuçit u bë shtab lufte
Brigada e VII Sulmuese për të çliruar Beratin u vendos në zonën e Drobonikut Shtëpia e Sami Kuçit u bë shtab lufte i brigadës të drejtuar nga komandanti Gjin Marku. Kujtimet e babait për këtë komandant legjendar janë të shumta, i shërbeu shtabit jo vetëm për siguri ruajtje, por dhe me krijimin e kushteve për jetesë. Ndërsa në librin e kujtimeve komandant Gjin Marku do ta vlerësonte Samiun si anëtar i shtabit të brigadës. Po aq tragjike ishte dhe vendimi i marrë për të ekzekutuar Nënë e Bir, Refijen dhe Refat Nazëri të dyshuarsi spiunë të italianëve. Ishte Sami Kuçi, i ndihmuar nga Faik Gërxhi që garantuan jetën e tyre si dëshmitarë për këta të pafajshëm Nënë e Bir; ishin këta dy burra që rrezikuan jetën e tyre që nuk u vranë këta dy të pafajshmit e fshatit Drobonik.
Lufta në Shpirag të Beratit
Një histori e veçantë, rrallë ndodh të shkosh drejt rrezikut për të frymëzuar të tjerët; e pazakonte ishte sjellja e babait për zgjidhjen e një situate lufte që zhvillohej në Berat. Nga çeta e Shpiragut u kërkua ndihmë për disa djem nga Droboniku për të shkuar në luftë. Sipas ligjit të luftës i caktonte Samiu dhe në rast refuzimi ishte dhe dërgimi me forcë. Çeta e Shpiragut ndodhej në rrethim nga gjermanet dhe kërkonte luftëtarë nga fshatrat për rreth tregonte shpesh babai në bisedat e tij për luftën. Si kryetar këshilli nacionalçlirimtar e kisha për detyrë që ti caktoja djemtë e fshatit për luftë. Në këtë situatë të vështirë lufte vendosa vullnetarizmin e bashkëfshatarëve të mi por nuk funksionoi, asnjëri nuk donte të shkonte. Ishim mbledhur të gjithë tek sheshi i fshatit dhe për shumë kohë unë kërkoja daljen vullnetarë për në lufte por askush nuk guxonte të dilte. Ishte e pamundur të niseshe në atë situate ku gjëmonte artileria e rëndë jo shumë larg nga Droboniku. I vendosur në pozicion të vështirë zgjodha vetvehten. Mora pushkën dhe iu drejtova burrave të fshatit: çeta është në rrezik dhe kërkon ndihmën tonë. Berati do të çlirohet sa më shpejt dhe kërkon forcën e djemëve tanë dhe ne duhet të shkojmë. Zgjidhja do të jetë kjo: do të shkoj unë dhe dola në krahë të turmës. Me mua do të shkojnë në luftë: Ti, ti, ti …u bëmë disa dhe u nisëm në heshtje për në lufte. Asnjëri nuk më kundërshtoi. Unë sipas rregullit të luftës duhet të isha në krye të fshatit por hezitimi për të shkuar në luftë nuk kishte zgjidhje tjetër por të vetzgjidhesha. Për më keq, ndjeja një shqetësim të thellë në qenien time: unë po caktoj bashkëfshatarin tim për në luftë dhe lufta ka viktima ndaj caktova vehten time. E rrallë kjo sjellje, prekëse që të imponon moral. Ai ishte me shpirt të madh. Ai nuk duhej të shkonte në luftë por ky ishte Sami Kuçi, njeri i ndershmërisë, i vuajtjeve, i sakrificës, i mençurisë i dinjitetit ndaj i sjellë këto shënime si vlerë për tu njohur pak më shumë për ata që kanë zemër njeriu.
Institucioni: Falje dhe Faleminderi
Një tjetër ngjarje, dhimbje për babain dhe krenari për familjen tonë: Babai më këshillonte shpesh: në jetë për të ecur përpara duhet të falësh, je njeri kur fal; pa le kur ndjen dhimbjen e tjetrit je vërtetë qënie njërëzore, moralizonte babai. Ai na mësoi institucionin: Falje dhe Faleminderit, që shoqëria shqiptare, në të shkuarën dhe në të sotmen pak i respekton. Shpesh, në tregimet e tij ndalej tek një histori që kishte të bënte me jetën e tij, nga ato tipike shqiptare tradhëtare, që tentuan ti merrnin jetën …ishte kohë lufte, njeriu kundër njeriut, ishte ajo kohë prapambetje e njerëzve, e mbyllte të treguarin e ngjarjeve duke i justifikuar keqbërësit babai im.
Për pushtimin e Beratit gjermanët ishin disllokuar ne fshatin Drobonik. Ardhja e tyre ishte e mirëpritur nga ballistët e kësaj zone të cilët spiunionin aktivistët e lëvizjes kundër tyre. Babai im kishte krijuar këshillin nacionalçlirimtar të zonës dhe drejtues i tij (kryeplak) detyra këto që e bënin target për pushtuesit. Gjermanët mbërrijnë në fshat dhe në mesnatë ata e arrestuan duke terrorizuar familjen. Ishte një dramë që ndodhia nuk mund të shprehet me fjalë, nga ç’farë ishte në realitet. Për shumë kohë ata e lidhën pranë një peme në pyllin diku afër shtëpisë duke e kërcënuar me jetën. Ai priste nga çasti në çast zbrazjen e pistoletës në gojën e tij nga ushtari gjerman. Në pritje të jehonës të krismës sigurisht ka fantazuar lloj lloj dhimbje të frikshme… që kurrë nuk i tregoi. Ai përjetoi minuta të tëra lëvizjen boshe të mekanizmit të shkrepjes të pistoletës, por fatmirësisht nuk u zbraz, fal ndihmës të një tjetri shqiptar, shoqërues i këtyre gjermanëve.
Isha student dhe sapo kisha lexuar Dostojevskin, i ndodhur edhe ai para një skuadre pushkatimi që ngriti pushkët dhe mori shënjestër drejt tij. Heshtje totale, e cila u thye shumë shpejt, jo nga tingujt e tërheqjes së këmbëzave, por nga një urdhër për pushkatarët që të ulnin pushkët. Në sekondën e fundit ai shpëtoi nga vdekja. Ai mbronte letërsinë e ndaluar nga Nikola I, Perandori i Rusisë. Dostojevski u lirua nga burgu pesë vjet më vonë dhe shkroi libra të tillë klasikë, “Krim dhe ndëshkim”.
Babai im edhe pse përjetoi më gjatë tingujt e tërheqjes së këmbëzës të pistoletës, jo në distancën e skenës së Fjodorit por pak centimetra nga frymarëja e tij; ai shkroi me sjelljen e tij librin “Të falim dhe të duam njeri tjetrin” se jemi qënie njerëzore, jemi shqiptarë moralizonte ai. Të falësh personin që mban tytën e pushkës drejt zemrës tënde… dhe ta ndihmosh atë kur ai ka nevojë në një kohë tjetër…!? Unë u rrita me këtë sjellje të babait tim dhe ajo më ka shoqëruar gjatë në jetën time, pa përgjigje … I menduar na thoshte shpesh: kurrë nuk mund të bëja të njëjtën gjë; mbas çlirimit gjeta forcë dhe i ndihmova për integrimin normal të tyre, më shumë se sa e meritonin.
Unë isha në krahun e duhur, po luftoja pushtuesin në fshatin dhe qytetin tim dhe kisha bindje për të ndaj ju kërkova shqiptarëve të luftonim së bashku ndërsa ata bashkëpunuan me pushtuesit dhe kurrë në emër të atdheut; ata sot mbulojnë tradhëtinë, …më dhimbset kjo sjellje ndaj e tregova të vërtetën e kësaj të kaluare të hidhur në këtë zonë lufte. Mbas çlirimit deri në vitet 60-të ai ishte i ftuar në podiume ceremonial, ishte krenar, por më pas u harrua; deri në këtë vit protokolli bëhej nën kujdesin e Kahreman Yllit një shok i respektuar i babait tim që ai e kishte personazh shprese dhe respekti në jetën e tij mbas çlirimit. Shtëpia jonë u nderua me pllakën “Bazë e Lëvizjes Nacionalçlirimtare”. Ai i gëzonte kësaj pllake dhe e ruante si të shënjtë, por djajt e post 90-tës e thyen një ditë këtë simbol që tregonte kujtimet dhe dhimbjet e babait tim; arbarizëm jo me emër pushtues… Thuhet se e shkruara prezanton tre shpirtra, shpirtin e atij që e shkruan, shpirtinn e atij për të cilin shkruhet dhe shpirtin e lexuesit.
Unë hodha në letër shpirtin e pastër të babait tim për të gjetur sadopak shpirtin e lexuesit me emrin njeri. Falja është fisnikëria e njeriut inteligjent, por mohimi i vuajtjeve, i sakrificave, i gjakut të prindërve tanë është tradhëti kombëtare.