Marrëveshje historike për të dëmshpërblyer gazetaren e arrestuar
Gazetarja Josie Huang, e cila punon në Los Angeles për një stacion radiofonik lokal do të marrë një dëshpërblim prej 700 mijë dollarësh për shkak të arrestimit ndërsa mbulonte një protestë në vitin 2020.
Ekspertët ligjorë thonë se marrëveshja është historike dhe siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Robin Guess, veç dëmshpërblimit, ajo parashikon edhe trajnimin e oficerëve të policisë mbi të drejtat e gazetarëve.
Ndërsa oficerët e policisë e tërheqin dhe e shtrijnë në tokë të prangosur, Josie Huang dëgjohet të bërtasë se është gazetare.
Tre vjet pas arrestimit në shtator të vitit 2020, rajoni i policisë së Los Anxhelesit dhe Bordi Mbikqyrës i Los Anxhelesit ranë dakord t’i paguajnë gazetares një dëmshpërblim prej 700 mijë dollarësh.
Në 2020, faqja e internetit mbi Gjurmimin e Lirisë së Shtypit në Shtetet e Bashkuara dokumenton thuajse 100 arrestime dhe 632 raste dhune ndaj gazetarëve. Shumica gjatë protestave për vdekjen e afro-amerikanit George Floyd.
Eshtë një marrëveshje historike, pas dhjetra procesesh që kanë vënë përballë punonjësit e rendit me përfaqësuesit e medias.
“Marrëveshja prej 700 mijë dollarësh përfaqëson një reformë që shpresoj se do të shërbejë për të penguar dhunën dhe arrestimin e gazetarëve të tjerë, sepse nuk besoj se taksapaguesit duan që përgjegjësit për ruajtjen e rendit të abuzojnë me gazetarët”, thotë gazetarja Josie Huang.
Pamjet e regjistruara me telefon nga vetë gazetarja tregojnë momentin kur arrestohet.
Ndërsa policët i vënë prangat, Huang, që aso kohe punonte për stacionin radiofonik lokal KPCC përmend në mënyrë të qartë emrin e e stacionit dhe faktin që ishte gazetare. Megjithatë, policia ngriti ndaj saj akuza për pengim.
U deshën 3 vjet që organizata jo-fitimprurëse Komiteti i Reporterëve për Lirinë e Medias dhe zyra e avokatisë Gibson, Dunn dhe Crutcher, të arrinin marrëveshjen dhe të siguronin një vendim gjykate për të fshirë akuzat nga historiku i të dhënave personale të gazetares.
“Ndaj saj nuk u bë vetëm dhunë fizike. Rajoni i policisë dhunoi emrin dhe profesionin e saj, ditën e ngjarjes dhe pas saj”, shprehet Michael Dore, avokat i gazetares Josie Huang
Me rëndësi në marrëveshjen e arritur janë detyrimet për punonjësit e policisë. Sipas marrëveshjes, punonjësit e rendit duhet të trajnohen se si të sillen me gazetarët në situata të caktuara, përfshirë protestat.
Drejtuesit e rendit duhet t’u japin oficerëve të policisë dhe personelit udhëzime të shkruara mbi parashikimet ligjore dhe praktikat mbi sjelljen dhe ndërveprimin me median.
Drejtusi i rajonit të policisë së Los Anxhelesit nuk pranoi kërkesën për një intervistë. Por rajoni i policisë i tha përmes një email-i Zërit të Amerikës se ishte kryer një hetim i brendshem dhe ishin marrë masat e duhura administrative.
Sipas rajonit të policisë, personelit i janë vënë në dispozicion prakitikat gjatë protestave civile, por marrëveshja e arritur nuk parashikon ndryshim të politikave.
Gatetarja Huang vazhdon të punojë në të njejtin radionstacion, që është pjesë e rrjetit të radios publike amerikane (NPR) dhe vazhdon të mbulojë protestat.
“Gazetarët duhet të jenë sytë dhe veshët e publikut dhe të jenë në gjendje të ndjekin veprimtarinë e organeve të ruajtjes së rendit, në mënyrë që publiku të dijë se si po e bëjnë punën e tyre forcat policore.”
Ajo thotë se nuk do ta harrojë kurrë detyrën që çoi në arrestimin e saj, por gjithashtu thotë se marrëveshja ndihmon në forcimin e Amendamentit të Parë të Kushtetutës Amerikane që mbron lirinë e shtypit.