BE po bën gjoja antiruse Serbinë, ndërkaq u iku Bosnja te Rusia
Nga Shaban Murati
Shënime nga blloku diplomatik
Diplomacia e BE, shërbimet sekrete dhe ushtarake të vendeve të mëdha të BE, nuk e shohin apo bëjnë sikur nuk e shohin që Bosnje-Hercegovina, ose më saktë gjysma e saj “serpska republika”, që është defacto shtet i pavarur, u iku nga duart dhe shkoi te Rusia.
Ministri i mbrojtjes i Bosnje-Hecegovines deklaroi se disponon fotot e këtyre kampeve dhe theksoi se: “Në fakt ky nuk është sekret, njerëzit mund t’i shohin ato kampe, fshatrat rreth Rogaticës, njerëzit kanë bërë foto, që bëhen stërvitje ushtarake atje gjatë ditës. Unë i kam fotot”.
Ministri i Mbrojtjes tha se këto kampe ushtarake ndodhen nën mbrojtjen e forcave të ministrisë së brendëshme të “Serpska republikës”.
Pra Rusia ka ngritur jo një, por disa kampe ushtarake stërvitjeje në territorin e Bosnje-Hecegovinës. “Serpska republika” jo vetëm është bërë shtet defakto i pavarur, por edhe po i jep kampe e baza ushtarake Rusisë në Ballkan. Realizohet kështu premtimi publik i presidentit të “serpska republikës”, fashistit Dodik, që i ka premtuar prej kohësh presidentit rus Putin se ai do t’i japë një bazë ushtarake Rusisë.
Natyrisht Rusia i ka ngritur këto kampe ushtarake jo për integrimin europian dhe as për integrimin atlantik të Bosnje-Hercegovinës. Duke analizuar këtë alarm të ri të ministrit të mbrojtjes dhe zëvendëskryeministër i Bosnje-Hercegovinës, portali i specializuar “intellinews.com” tërhiqte vëmendjen në 24 nëntor se deklarata e tij “është në vazhdim të raporteve të mëparshme amerikane, që theksonin se Rusia ka mundësi të armatosë dhe të stërvisë grupe paramilitare në “serpska republikën” proruse dhe mund t’i përdorë ata që të shkaktojë një konflikt ushtarak në këtë shtet ballkanik të pastabilizuar politikisht”.
Çfarë presin BE dhe NATO? Nga kryeqendrat europiane vazhdojnë përrallat se ata po i bëjnë lëshime strategjike Serbisë, që të ikë nga Rusia. Ndërsa Europa nanuriset me ëndrrat e divorcit të Serbisë nga Rusia, Moska u ka marrë gjysmën e shtetit të Bosnje-Hercegovinës dhe ka ngritur kampet e saj ushtarake në qendër të Ballkanit Perëndimor.
Serbia ka ikur pa kthim te Rusia. Bosnja iku tani. Mali i Zi po ikën, sepse Rusia mori atje qeverinë në 2020, në vitin 2023 mori edhe presidencën, e cila pa u ulur mirë në kolltuk nxitoi të bashkohej me projektin Vuçiç-Lavrov të “Ballkanit të hapur” dhe bën kryetar parlamenti kryeçetnikun serb Mandiç, i cili në 2016 ishte protagonist në grushtin e shtetit ruso-serb në Mal të Zi kundër NATO-s.
Nuk e dijmë me kë po tallet BE: me shtete e Ballkanit Perëndimor apo me veten?! Rusët nuk po vijnë, siç paralajmëroja në librin tim me të njejtin titull. Rusët kanë ardhur në Ballkan.
https://gazetadita.al/be-po-ben-gjoja-antiruse-serbine-nderkaq-u-iku-bosnja-te-rusia/