Ruben Avxhiu: Pse u duhej komunistëve 29 Nëntori?!
Pak benzinë e pak ujë për ata që duan ta ndezin e ata që duan ta shuajnë një debat që nuk duket se do të mbarojë ndonjëherë
Kundërshtarët i kanë akuzuar komunistët se e zgjodhën datën 29 që të përkonte me festën e republikës jugosllave. Mirëpo, edhe nëse mund të ketë filluar si një dëshirë për të pasur një festë të përbashkët me Jugosllavinë, kur Shqipëria e drejtuar nga komunistët po bëhej gati të kthehej në Republikën e Shtatë të federatës fqinje, ai projekt vdiq në vitin 1948. Jugosllavia dhe Titoja u shpallën armiq.
Pse atëhere vazhduan ta mbajnë festën e 29 Nëntorit komunistët? Pse nuk e fshinë nga kalendari si kanë fshirë fotografi e faqe historie sa herë që kanë eliminuar ish-shokë e bërë kthesa historike?
Nga ana tjetër, ka pasur arsye të mira që komunistët të mbanin 28 Nëntorin edhe si Datë të Çlirimit të vendit. Kjo datë ishte çimentuar tashmë në kujtesën popullore si data kur Skënderbeu hyri në Krujë në vitin 1443 dhe kur Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë në 1912 duke shpallur Pavarësinë e Shqipërisë. Duke marrë Shqipërinë në duar gjithashtu në datë 28 Nëntor, komunistët do t’i vishnin vetes legjitimitet historik. Do të mund të pretendonin se kjo datë fatlume rastisi edhe për ta. Mund ta quanin “E Treta e Vërteta”.
Ia vlen të theksohet edhe se zgjedhja e datës nuk është e rastësishme. Nuk ka të bëjë me datën se kur dolën saktësisht gjermanët e fundit nga Shqipëria. Mund të jenë larguar në 28 si pretendojnë nacionalistët, por mund të kenë dalë edhe në 29 apo 30. Caktimi i datës është një simbolikë. Dhe komunistët i kuptonin simbolikat mirë. (Ose ishin mësuar nga mësuesit e tyre jugosllavë e sovietikë për rëndësinë e tyre).
Një nga faktorët që shpjegojnë suksesin komunist në Shqipëri është aftësia për të përdorur simbolikat. Mbase të kopjuara më shumë se fryt i imagjinatës së tyre, por të suksesshme gjithësesi. Që nga kapelja me yll, shalli i kuq, fantazia e parrullave, këngët me melodi e vargje prekëse (mbase të kopjuara por edhe origjinale), imazhi i vajzave të çliruara, i emancipimit shoqëror, i solidaritetit të shokëve në male, mitizimi i moshës së re, neveria ndaj të vjetrës, turpi për injorancën e brezit të prindërve etj. Të gjitha janë ingredientët e formulës magjike që joshën një pjesë shumë aktive të rinisë që t’i bashkohej Frontit Nacional Çlirimtar.
Sa më shumë u bë e ndërgjegjshme kjo lëvizje masive adoleshentësh të armatosur për superioritetin e saj ushtarak, aq më pak ndjehej e detyruar të përulej në altarin e historisë të shkruar nga armiqtë e saj ideologjikë. Aq më shumë bindesh se kjo forcë historike ishte e etur për të pasur datat e saj, festat e saj.
Përgjigjia më e thjeshtë pra është që komunistët donin një festë të tyre, prandaj e shpikën 29 Nëntorin. Një festë që t’i dallonte që të mos e përzienin me ngjarjet e tjera historike që vinin me 28 Nëntorin. Ato në fund të fundit ishin data ndarjeje. Data shkëputjeje e mëvetësimi. Komunistët nuk e shihnin ashtu fitoren e tyre. Ata përveç planeve për bashkim me një federatë kombesh të ndryshme, me një bllok shtetesh socialiste, ata e shihnin veten si pjesë e një dallge mbarëbotërore. Komunistët në gjithë globin po bashkoheshin për një botë të re.
Pra, vërtet që data 28 Nëntor do t’u jepte legjitimitet simbolik, por ata nuk e donin atë. As nuk kishin nevojë dhe as nuk mendonin se data 28 pasqyronte triumfin e tyre. Ngjarjet e asaj date ishin hapa pozitivë, por nuk kishin të bënin me këtë Çlirim. Nuk kishin nevojë se kishin legjitimitetin e armëve, të forcës. Edhe nëse vetëm një përqindje e vogël e popullsisë i mbështeste, ata kishin pakicën më të fortë. Pakicën më të gatshme për të sakrifikuar, më të gatshme për të vrarë kundërshtarët, kritikët, e madje edhe bashkëluftëtarët e lëkundur.
Ndonëse ishin pakica fituese komunistët ishin për ironi gjithashtu pakica më e zemëruar. Ajo më e etur për hakmarrje dhe ndëshkime.
Mbi të gjitha Komunistët donin një fillim të ri. Është karakteristikë universale e të majtës të kërkojë rifillim të historisë. Vizioni i të majtës mbështetet te shembja e të vjetrës, ashtu si ai i të djathtës mbështetet te hyjnizimi i të vjetrës. Pa dashur ta përgjithësoj se ka një spektër të gjerë të majtësh e të djathtësh, por e Majta Komuniste në thelb ka turp nga e kaluara, i sheh baballarët e kombit si figura të përlyera e të korruptuara dhe rrëzimin e mohimin e regjimeve të mëparshme si detyrim moral.
Komunistët fillimisht donin t‘i fshinin nga historia edhe Ismail Qemalin edhe Naim Frashërin e shumë të tjerë. Në fjalët e cituara nga një komunist i njohur: “bejlerë ishin edhe ata”. A nuk ishte kjo “botë e re që po lindte gërmadhash” fundi i bejlerëve dhe agallarëve që ia kishin marrë shpirtin popullit?
Po. Komunistët do të kishin përfituar politikisht po të paraqiteshin përpara shqiptarëve dhe historisë si trashëgimtarët e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut, duke shpallur 28 Nëntorin si Ditë të Çlirimit. (Nuk është rastësi që Enver Hoxha dhe qeveria e tij zgjodhi 28 Nëntorin 1944, për të hyrë në mënyrë triumfale në Tiranë.) Por, sa më shumë bindeshin për forcën e tyre aq më shumë nuk donin dhe qëllimisht e refuzuan krahasimin dhe simbolikën e datës së madhe.
Për ta ishte Viti Zero dhe nuk donin që të mendohej ndryshe. Nuk kishin lidhje me çfarë vinte përpara tyre. Në thelb, partizanët ishin djem e vajza që urrenin prindërit e tyre, patriarkalizmin e shtëpive të tyre. Figurat e mëdha kombëtare nga e kaluara ishin simbole e heronj të baballarëve të tyre dhe si të tillë ishin të papraueshëm.
Realiteti sigurisht është cinik i madh. Është ligj i pashkruar që revolucionarët bëhen konservatorë perversë të një natyre tjetër. I gjendur shpesh në rrethana jo të lehta, sidomos ndërkombëtare, por edhe të të përditshmes, regjimi iu kthye të kaluarës pak nga pak si Nastradini qershive mbi të cilat kishte urinuar. Dalëngadalë antologjitë e historiografia e regjimit filloi rehabilitimin e figurave historike e letrare. Disa personalitete gjeniale të panteonit kombëtar nuk përfituan dot as nga kjo amnisti politike, e disa mediokritete e figura negative u hyjnizuan pa meritë. Mirëpo, koha bën të vetën. Komunistët u rritën. Në mos u pajtuan me prindërit gjetën mënyra për të rivlerësuar të kaluarën. Hyri në modë “biografia”. Papritur origjina nuk ishte më e panevojshme për të shpjeguar njeriun. U bë e rëndësishme theksimi i prejardhjes nga klasa punëtore, nga vlerat patriotike dhe progresiste të familjes. Këta mohues të rëndësisë së genit u kthyen në zbatuesit më rigorozë të linjave të tij. Jo vetëm i kishin mundur ballistët, zogistët etj, por lufta vazhdonte me forma të tjera edhe ndaj nipërve dhe mbesave të tyre.
50-vjetori i 28 Nëntorit ishte pa dyshim kurorëzimi i një transformimi të madh. Një dëshmi historike që nga e kaluara nuk shkëputesh dot, duke ia tundur në fytyrë projektet e të ardhmes. Monumenti i Skënderbeut u vendos në mes të Tiranës. Vetë Enver Hoxha shpiku pjesëmarrjen e xhaxhait të tij në 28 Nëntorin e vitit 1912.
28 dhe 29 nuk u ndanë. Ato u martuan. Dy festa që vinin bashkë. Apo më mirë dy motra, ndonëse njëra e plakur dhe në pension e tjetra e re dhe në pushtet. Dihej se cila festë ishte më e madhja për regjimin, por e vjetra kishte forcë po ashtu. Nuk kishte pse të kishte kontradiktë. Edhe shqiponja e flamurit kishte dy koka.
Regjimi ka më shumë se 30 vjet që ka rënë. Sot, ne jemi shumë më larg – më shumë se dy herë më larg – nga 29 Nëntori i vitit 1944 se sa ishte ky i fundit nga 28 Nëntori i vitit 1912. Komunistët erdhën në pushtet 32 vjet pas ngritjes së flamurit në Vlorë. Vjet në dhjetor u bënë 32 vjet që kur regjimi komunist u dorëzua. Por 29 Nëntori ka mbetur si festë. Edhe pse demokratët “antikomunistë” kanë qenë në pushtet për gati 15 nga këto 32 vite. Pse nuk e hoqën nga kalendari zyrtar i festave?
Sigurisht, nuk do të ishte edhe aq fshirje sesa do të ishte bashkim festash. Data 28 është aq e madhe sa mund ta përpijë 29. Jo ta shqyejë sesa t’i bëjë vend në zemrën e saj të madhe.
Mbase sepse shumë prej tyre ishin vetë komunistë, apo bij komunistësh, apo të shkolluar në shkolla komuniste. Mbase sepse asnjë pushtet nuk do të guxojë t’ua heqë shqiptarëve një ditë pushimi. Por edhe sepse mbase nuk është e drejtë të fshish një festë te e cila beson dhe e nderon gati gjysma e popullsisë së vendit. Komunistët e partizanët ishin pak në vitin 1944, por regjimi edukoi e krijoi komunistë me shumicë. 29 Nëntori është festuar nga qindra mijëra që kanë lindur pas luftës e u mësuan me atë festë.
Të them të vërtetën gjithmonë kam menduar se nëse data 29 do të shkurorëzohet ndonjë ditë, të vetmit që mund apo duhet ta bëjnë duhet të jenë pasardhësit e partizanëve e të komunistëve. Ata që sot nuk kanë më nevojë praktike për të pasur një festë më vete. Asnjë prej tyre sot nuk beson se nuk kanë lidhje me Skënderbeun e Ismail Qemalin. Përkundrazi, bisedo me një pasardhës të komunistëve sot dhe do të dëgjosh se ata, jo demokratët, apo pasardhësve të zogistëve, ballistëve etj janë trashëgimtarët e vërtetë të Skënderbeut e Ismail Qemalit. Për më tepër, ata këmbëngulin se kurrë nuk kanë pasur problem me datën 28, se është propagandë e humbësve të luftës së dytë, e atyre që ishin kolaboracionistë e tradhëtarë të atdheut të tyre. Tradhëtarët e vërtetë të datës 28!
Po nëse është kështu, pse nuk kthehen të data 28? Pse nuk e mbyllin debatin dhe ta gradojnë Çlirimin duke e festuar në datën e madhe të Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit, të Adem Jasharit dhe ditës së vetme që i bashkon shqiptarët në të gjitha trojet e kudo në diasporë? Pse është kjo festë ende e nevojshme për të nderuar luftën partizane? Komunistët krijuan festa plot për të shkuar të varrezat e dëshmorëve të luftës çlirimtare. Ato ende janë në fuqi. 11 Janari është festa jonë e Republikës, 1 Maji është festa e punëtorëve, 5 Maji është i dëshmorëve. Ushtria përsëri nderohet në 10 Korrik. Ka edhe të tjera.
Nga ana tjetër, unë kam kujtuar se do të ishin antikomunistët ata që do të refuzonin ndryshimin e datës së Çlirimit. Kjo do të sillte bashkimin e festave. Kam menduar se ata do të donin ta mbanin ditën e çlirimit si një ditë më vete. Të “zezë”. Që të mos ua përlyente 28-n. Jo sepse në atë datë u larguan nazistët, porse ajo shënon ardhjen në pushtet të një regjimi që i shkatërroi personalisht e familjarisht. Që ua mori pronat e i dënoi të jetonin si njerëz të një klase më të ulët. Se e ndau Shqipërinë nga bota demokratike, ajo më e qytetëruar e në fund më e zhvilluar ekonomikisht. Kam menduar që antikomunistët do të donin që t’i mbanin festat të ndara, që të shihnin në 29 se kush ende do të vazhdonte të dilte për të festuar gjëmën e që do të tregonte veten se edhe pas rënies dhe diskretitimit të të regjimit se kush ishte reformuar, penduar, apo evoluar.
Në fund, më duhet ta pranoj se debati bëhet i ashpër e nganjëherë ofendues, me komentues që veshin kostume ideologjikë, apo që flasin jo edhe aq për meritat e ditëve historike sesa në emër të familjeve, baballarëve dhe nënave, gjyshërve e stërgjyshërve. Janë emocionalë, të ndjeshëm e lehtësisht të prekshëm sepse flasin për të mbrojtur apo përligjur kujtimin e të parëve, pavarësisht se cilës palë u takojnë. Kurse në jetën e përditshme, në masë shumë të madhe shqiptarët që jetojnë në Shqipëri i gëzojnë të dy datat si ditë pushimi që nganjëherë të bashkuara me fundjavat paraprirëse apo vijuese prodhojnë një javë të tërë pushim. Historia ka rëndësi por është shumë larg, gati e harruar nga e bataretë e të përditshmes. Më shumë se askush tjetër kjo masë e madhe njerëzish të të përditshmes janë mbrojtësit më të mëdhenj të festës së 29-s. Po vendosët ta ndryshoni, i vetmi shans është që në 29 Nëntor të festohet diçka tjetër. Në mos Çlirimin, çlirimin nga Çlirimi. Gjeni një besim tjetër fetar që ka këtë si datë të shenjtë në kalendar. Quajeni po të doni Dita e Shërimit nga Traumat e Historisë. Vetëm mos i nxirrni njerëzit në punë të shtetit. Për ata që punojnë në privat është çështje tjetër. Por kapitalizimi i ka këto, si na kishin paralajmëruar ata të Njëzetenëntës.