Zgjidhja e konfliktit izraelito–palestinez në Këshillin e Sigurimit në OKB dhe në Unionin për Mesdheun
Nga Artur Nura
Ndërsa në Gaza po skadonte armëpushimi, Kina duket se po përgatiste një takim imponues në OKB për të promovuar “një tjetër armëpushim”, “përfundimin e luftimeve” dhe “për të kontribuar në zbutjen e krizës humanitare” në Rripin e Gazës. Kujtojmë se këtë muaj, Kina mban presidencën e radhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe se ministri i jashtëm kinez Wang Yi koordinoi takimin në Këshillin e Sigurimit të OKB.
Pas kryesimit këtij takimi të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për çështjen palestinezo-izraelite, ministri kinez Wang Yi, në konferencën për shtyp theksoi se zgjidhja me dy shtete është e vetmja rrugëdalje e krizës Izraelito – Palestineze.
“Zgjidhja me dy shtete është rruga për drejtësinë ndërkombëtare. Nuk ka asnjë hap prapa nga kjo. Shtetësia e pavarur është një e drejtë kombëtare e patjetërsueshme e popullit palestinez, një e drejtë që nuk mund të këmbehet,” tha ai duke shtuar se çështja palestineze është në qendër të Lindjes së Mesme dhe duhet të jetë prioritet, në vend që të margjinalizohet, në agjendën ndërkombëtare.
Roli i OKB-së dhe rezolutat e saj në konfliktin izraelito-palestinez
OKB-ja (Organizata e Kombeve të Bashkuara) është një nga aktorët e jashtëm në konfliktin izraelito-palestinez dhe pas përshkallëzimit të konfliktit midis Izraelit dhe Palestinës, OKB miratoi urgjentisht në Asamblenë e Përgjithshme një rezolutë për një pauzë humanitare në Gaza e cila lejoi popullsinë civile të evakuohet dhe të marrë ndihmën e duhur humanitare. Rezoluta u miratua me 120 vota pro, 45 abstenime dhe 14 kundër dhe, nuk është detyruese.
OKB-ja si aktore e jashtme në konfliktin izraelito-palestinez, vepron jo vetëm nëpërmjet agjencive të saj të specializuara për të drejtat e njeriut dhe ndihmën humanitare, por edhe nëpërmjet akteve që miraton, deklaratave të Sekretarit të Përgjithshëm dhe përpjekjeve diplomatike për qetësim te situatave.
Objektivi i OKB-së është të ruajë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare përmes bashkëpunimit dhe diplomacisë për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe konfliktet ndërkombëtare. Prandaj në rast lufte, OKB-ja duhet së pari të luajë rolin e ndërmjetësit, duke kërkuar një zgjidhje diplomatike dhe paqësore.
Rezolutat janë një nga aktet ligjore kryesore që Kombet e Bashkuara mund të miratojnë gjatë një konflikti. Në varësi të dy organeve që i nxjerrin ato ndahen në: rezoluta të Këshillit të Sigurimit dhe rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme. Dallimi thelbësor midis të dyjave është se rezolutat e Këshillit të Sigurimit kanë karakter detyrues dhe për këtë arsye detyrues për shtetet anëtare, ndërsa ato të Asamblesë së Përgjithshme nuk janë detyruese.
Qëndrimi i Kinës ishte paralajmëruar në mesazhin e presidentit Xi Jinping adresuar një takimi të OKB-së për krizën izraelito – palestineze.
Kina në autoritetin e saj më të lartë, sic është presidenti i Republikës, kish deklaruar se bisedimet e paqes palestinezo-izraelite duhet të rifillojnë sa më shpejt, të bëhet e mundur dhe e drejta e popullit palestinez për shtetësi dhe mbijetesë, të rikthehen sa më shpejt të jetë e mundur.
Kina, si gjithmonë, ka mbështetur me vendosmëri kauzën e drejtë të popullit palestinez për të rivendosur të drejtat e tyre legjitime kombëtare – thotë presidenti Xi Jinping – duke shtuar se e vetmja mënyrë e mundshme për të zgjidhur çështjen palestineze qëndron në krijimin e një shteti të pavarur palestinez që gëzon sovranitet të plotë.
Nevojat e ekonomisë palestineze dhe jetesa e njerëzve duhet të sigurohen dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të rrisë ndihmën për zhvillime humanitare për Palestinën dhe, të insistojë në rrugën e duhur drejt bisedimeve të paqes e të thërrasë sa më shpejt të jetë e mundur një konferencë ndërkombëtare më autoritative për paqen, sipas presidentit Xi.
Ai kish thënë gjithashtu se Kina, si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, do të vazhdojë të punojë me komunitetin ndërkombëtar për të ndërtuar konsensus global për promovimin e paqes, për ta rikthyer çështjen palestineze në rrugën e duhur drejt zgjidhjes me dy shtete si një zgjidhje gjithëpërfshirëse në një datë sa më të shpejtë.
Qëndrimi i BE dhe Vendeve Arabe në lidhje me konfliktin Izraelito – Palestinez përkon me qëndrimin e Pekinit
Shtetet arabe dhe Bashkimi Evropian ranë dakord të hënën (27 nëntor) se zgjidhja me dy shtete duhet të jetë përgjigja për konfliktin izraelito-palestinez, me Përfaqësuesin e Lartë Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, duke thënë se Autoriteti Palestinez duhet të qeverisë Gazan pas luftës.
Vitet e fundit, Unioni për Mesdheun i themeluar 15 vjet më parë në vazhdën e Marrëveshjes së Oslos, është kthyer kryesisht në një forum bashkëpunimi midis BE-së dhe botës arabe. Përfaqësues nga më shumë se 40 vende evropiane, të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore u takuan në Barcelonë për të diskutuar luftën Izrael-Gaza dhe përpjekjet e mundshme për paqe.
Duke folur pas takimit, Joseph Borrell tha se të gjithë anëtarët e BE-së, si dhe pothuajse të gjithë pjesëmarrësit nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut ranë dakord për nevojën për një zgjidhje me dy shtete.
Një zgjidhje me dy shtete parashikon një shtet për palestinezët në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës së bashku me Izraelin. Autoriteti Palestinez duhet të mbajë zgjedhje dhe të përmirësojë funksionimin e tij, por është e vetmja “zgjidhje e zbatueshme” për udhëheqjen e ardhshme të Gazës, aktualisht e udhëhequr nga islamistët e Hamasit, për të shmangur një “vakum pushteti”, tha Borrell.
“Paqja midis Izraelit dhe Palestinës është bërë një imperativ strategjik për të gjithë komunitetin euro-mesdhetar dhe më gjerë”, shtoi ai.
Duke folur në Barcelonë, ministri i Jashtëm palestinez Riyad al-Maliki bëri apel për zgjatjen e armëpushimit të brishtë në Gaza. Sot kemi mundësinë të zgjasim armëpushimin (…) Unë mbështetem te kolegët e mi (…) në mënyrë që të gjithë të largohemi nga këtu me një zë të lartë dhe të fortë që mund të dëgjohet në të gjithë boten: jo luftës, po armëpushimit”, tha ai.
Katari, Egjipti, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po punojnë për të zgjatur armëpushimin, tha al-Maliki, duke paralajmëruar se nëse nuk zgjatej, numri i të vdekurve do të dyfishohej sepse popullsia e Gazës tani është e përqendruar në jug të Rripit./ CRI.CN