Arqile Garo: VAJTIM PËR EVANTHINË
Për dasëm përgatiteshim, veç, në kësoll u gjemë.
Oh! Evë e ëmbël, pse moj shpirt, na bëre të tillë gjëmë?!
Mjegulla zbriti dhe mbuloi me vello Jorgucatin,
e uli kokën Mali i Gjerë, Stugara e humbi shtatin.
Lugina e Dropullit u nxi, Nëmërçka u përlot,
në lumë të Drinos nuk rrjedh ujë, por rrjedhin veçse lotë.
Ti, Qiell, deshe dritë, mor Mik dhe more Dritën tonë.
Por, na pyete, Qielli ynë?! E ndjen vallë dhembjen tonë?!
Baba pa fat edhe i ngratë, kokën me grusht mbështjell,
ku të gjejë zemër dhe kurajë që Ty të të përcjellë?!
Pranë rri Xhaxhai, zemër nxirë, i shkretë si një muranë,
ku të gjejë fjalë, i gjori ai, të ngushëllojë vëllanë?!
Dhe gjyshja plakë, gjyshja e mjerë, nga vdekja e përvëluar,
ku të gjejë forcë edhe fuqi Ty për të të vajtuar?!
Vëlla e motër të shikojnë, si zogj të përmalluar,
edhe mendojnë: – Në ëndërr është, për pak ka për t’ u zgjuar!
***
Porsa filloi që të jehojë përmortshëm një kambanë,
retë seç u nxinë, qielli u err, lotuan kodrat mbanë.
Brenda në arkivol të bardhë, Ti, nuse e stolisur,
dhe ne përreth në akullnajë, të gjorë dhe të braktisur.
Për dasëm përgatiteshim, veç, në kësoll u gjemë.
Oh! Evë e vogël, pse moj shpirt, na bëre të tillë gjëmë?!
Tetot vajtojnë me ngashërim, në jerm e në përfikje:
– Eva, s’ e kishe radhën Ti! Përse u ngute të ikje?!
Zot! Vër një rregull, që të shkojmë, radha kur të na vijë.
Të iki prindi në fillim dhe të le pas fëmijë.
Lëri të rinjtë që të jetojnë dhe jetën ta gëzojnë!
Lëri të plaken dhe ata, pastaj, dimë se ku shkojnë.
Më i varfër është Dropulli sot! Një lule i shtoi brengën.
Ndaj, Evanthi, u ula unë dhe të qëndisa këngën.
Të na shikosh andej nga lart dhe të na buzëqeshësh.
Se ne, zemër, nuk të harrojmë! Për ne: – Nuk do të vdesësh!
Janninë, më 30 nëntor 2013.
*Elegji, dedikim për njëzetë e katër vjeçaren Eva, vajzën e mikut tim Vangjel Tavo që u nda nga jeta para kohe dhe që kaq shumë do të na mungojë…