Dea Toçi: 1 DHJETOR
Sot dhjetor data shënon 1
dhe unë me hapa shkoj gjer mbi re,
në këtë fundfillim kalendari
të arrij gjithçka nuk bëra dot dje.
Më shkau nga duart muaji janar
krejt i përgjumur, akull i ftohtë,
nga pangopësi festash dhjetori
janarit iu ngjeshën pengje plot.
Ashtu shkoi shkurti, marsi, prilli,
prisja pranverën lule freskie,
as maji i ngrohtë zemrën s’ma dridhi
me thonj tek çirrja grimca dashurie.
Qershori im, ndenje shumë shkurt
sa pak të dhashë, s’kisha në dorë,
ti lije rradhën për korrik, gusht
befas gjej veten, u bë shtator.
Një vjeshtë të shpejtë solli tetori
nuk shkoi aq gjatë sa ç’prisja unë,
ashtu papritur erdh’ nëntori
në pengje plot, pyetje shumë.
Si shkoi ky vit, kush i dha leje
të marrë një udhë të gjatë pa kthim,
strukur në grackë të një foleje,
çapitem ngrysur në dëshpërim.
Ulur kokëposhtë fajtor pa faj,
shoh dy duart, herë njërën dorë,
s’më fal dot viti, koha s’të fal,
kujtohem vrulltaz: Është 1 Dhjetor!
Do heq çdo peng janar-nëntori
është prapë fillim dhe pse fundvit,
hakun t’i marr këtij dhjetori
një vit të tërë do nxjerr në dritë.
I fundit muaj, e madhe çudi
do të të shkund për 12 herë,
fajtorët qofshim unë edhe ti
nësë s’të jap 12fish vlerë.