Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI: MBI STRATEGJINË, MJEDISIN DHE LIDERSHIPIN
(Mbi librin më të ri “Lidershipi në mjedisin e sigursë”- Rasti i Ballkanit, të Gjeneralmajore Dr. Manushaqe Shehu; destinacioni i këtij libri është i paracaktuar për formimin kulturor e profesional, në përmbushjen e detyrave misionare për profesionistët e Mbrojtjes dhe të Sigurisë, në të gjitha nivelet e lidershipit. Libri sjell “standard për liderat, për cilësitë morale, besueshmërinë, kurajën, ndershmërinë, profesionalizmin, sigurimin menaxherial, ushtrimin e autoritetit brenda ligjit etj. Libri është vlerë e kulturë për sot dhe për të ardhmen, referencë e përzgjedhur për drejtuesit në të gjitha nivelet e drejtimit ushtarak, një kontribut i shkruar dhe dokumentuar pas një përvoje e eksperience të gjatë pune në strukturat e Mbrojtjes dhe Sigurisë shqiptare)
Kur flasim mbi “Strategjinë, mjedisin dhe lidershipin” në rrafshin kombëtar, rajonal e europian, kemi parasysh tematikën komplekse e problematike që ka kaluar rajoni Ballkanik, por dhe ai Europian e më gjerë. Në pikëpamje historike “kurrizi” i Ballkanit dhe më tej edhe i Europës e di se çfarë ka hequr nga luftrat, nga ky “art i shkatërrimit” dhe që paqja ka qenë dhe vijon të jetë e brishtë në rajon dhe në botë. Është fakt se, liderat ballkanikë e europianë shekujve kanë punuar më shumë për luftrat, përleshjet e përgjakjet e popujve, se sa për paqen. Vlera e paqes edhe në shekullin e XXI nuk kuptohet e vlerësohet si duhet, edhe pse ekzistojnë pafundësisht organizata që punojnë për paqen, promovojnë paqen. Mekanizmat që ofrojnë paqe kanë qenë deri në inegzistentë dhe e keqja jo rrallë e ka mundur njerëzimin.
Në 111 vite të ekzistencës së shtetit shqiptar, nga Ushtria Kombëtare e Mehmet Pashë Dërrallës Tetovës, dhe Ali Shefqet Shkupit e deri më sot në Forcat e Armatosura shqiptare, në ushtrinë me grada e pa grada, në nivelet e gjeneralëve kanë qenë me qindra ushtarakë. Këtu nuk flasim për shifra që kanë vënë spaletat e gjeneralit, por që vlerat dhe dobinë që i kanë sjellë vendit në periudha të ndryshme, pasi sikurse thotë Winston Churchill, “çmimi i madhështisë është përgjegjësia”.
Strategjia dhe Lidershipi në mjedisin e sigurisë përballë trinomit: “Detyra-Nderi-Atdheu”
Nëse çdo gjeneral do të kishte shkruar të paktën një libër me përvojat e tij apo të zhvillimeve për kohën, periudhën, epokën që shërbeu në strukturat e mbrojtjes dhe sigurisë, do të kishim sot qindra libra, ndoshta dhe mijëra, një përvojë që jo gjithmonë transmetohet.
Prandaj vlera e librit më të ri “Lidershipi në mjedisin e sigurisë”, i gjeneralmajore Manushaqe Shehu, është si libri më i ri i mirëmenduar e gjykuar, në dispozicion të studiuesve të fushës së Mbrojtjes dhe Sigurisë, është një vlerë e shtuar dhe një prurje e re për Akademitë ushtarake dhe Sigurisë të vendit, për mjedisin intelektual dhe akademik, por edhe për lexuesin e gjerë.
Është fakt se studimet në fushën e lidershipit të mjedisit të sigurisë në bibliotekat tona të shkollave e Akademive Ushtarake, por dhe në Bibliotekën kombëtare janë të rralla, ndërkohë që literatura perëndimore dhe më gjerë është e tejmbushur me prurje interesante në këtë fushë dhe që janë përdorur gjerësisht në librin “Lidershipi në mjedisin e sigurisë” të gjeneralmajore Manushaqe Shehut. Libri është konceptuar në pesë pjesë: “Lidershipi dhe menaxhimi i sigurisë”, “Kodi etik dhe rëndësia e tij”, “Konsensusi, kryefjala e liderit në pakt me sigurinë”, “Roli udhëheqës politik në fushën e sigurisë” dhe “Ballkani, ndryshimet euroatlantike dhe roli i Shqipërisë” me 252 faqe dhe që ka shfrytëzuar një literaturë në gjuhë të huaj prej 55 librash, 34 libra në gjuhën shqipe ose të përkthyera në gjuhën shqipe nga literatura më e përzgjedhur botërorer në fushën e lidërshipit, si dhe mjaft punime të profesorëve të Akademisë së Forcave të Armatosura, si “Morali dhe etika e ushtarakut në Forcat e Armatosura”, “Etika, Komunikimi dhe Lidershipi”, është shfrytëzuar disa nga publikimet më të spikatura të fushës së lidershipit dhe mjedisit të sigurisë, gazeta e revista nga personalitete të botës dhe shqiptare sikurse është ajo në gazetën “Kombi”, Alfred Moisiu, “Politika e mbrojtjes t’u shërbejë interesave kombëtare”, publikime të tjera si: “Shqipëria, koncepti i ri i sigurisë”, publikime të revistës “Mbrojtja”, gazetës “Ushtria”, Revista ushtarake, “Studime të Historisë Ushtarake”, burime të spikatura nga interneti etj. Libri në mënyrë të përzgjedhur ka synuar dhe ja ka arrtitur të ketë një aparat të pasur shkencor edhe përmes 188 referencash të fushës së lidershipit.
Libri “Lidershipi në mjedisin e sigurisë”, është një prurje e re në kohën dhe vendin e duhur, një libër që nuk i kalon kurrë koha sepse liderat në të gjitha epokat e zhvillimit kanë nevojë për përvojat e brezave dhe zhvillimeve. Dhe ja ky është një prej tyre i pritshëm dhe i duhur, jo për stoli bibliotekash por si një vlerë për të gjitha nivelet e lidershipit ushtarak dhe jo vetëm. Nuk ka lider që nuk ka shfrytëzuar dhe marrë përvojat më të mira, ndërkohë që një postulat më shumë se dy shekullor është ajo çfarë thoshte Napoleon Bonaparti se, “Nëse dëshiron që gjërat të bëhen mirë, bëji vetë”. Kjo është praktika më e mirë e mësimit të drejtimit me krijimtari. Përmes këtij libri vjen kontributi në trajtimin real të problemeve që ndeshet në praktikën e përditshme drejtuesi ushtarak në të gjitha nivelet.
Libri sjell reflektim mbi përvojat e drejtimit të lidershipit, menaxhimin e çështjeve esenciale të strategjisë në mjedisin aktual dhe në fokusin e së ardhmes në çështjet e sigurisë, në konceptimin e figurës e lidershipit në fushën e sigurisë e mbrojtjes, të parë në këndshikimin e gjerë dhe të ndërthurur me institucionet ligjzbatuese të sigurisë në Shqipëri.
Paraqitja e gjerë dhe propocionale e formatit të liderit të lidhur me zhvillimet shumë pozitive të ndodhura në Forcat e Armatosura shqiptare si dhe reformimit e standardizimit në strukturat e mbrojtjes sollën një format të ri të liderit me qasje të re perëndimore, edhe të ndikuar nga marrëdhëniet e ngushta që strukturat e mbrojtjes kanë patur në tre dekadat e fundit me NATO-n, kontaktet e shumta, stërvitjet e përbashkëta, si dhe prej 14 vitesh edhe si të barabartë si anëtarë me të drejta të plota në NATO. Të gjitha këto të marra së bashku e kanë bërë liderin ushtarak shqiptar si elitë e re e konsoliduar efektiv dhe cilësor në zbatueshmërinë e trinomit të ri “Detyra-Nderi-Atdheu”.
Libri është me përmbajtje të gjerë, analizues e shtjellues, prezantues e argumentues, efektiv dhe plot shembuj që ka një qasje reale ndaj strategjisë aktuale e perspektivë të mbrojtjes e sigurisë së vendit tonë duke hedhur vështrimin edhe tek shembujt botërore nga historia modern e botës të liderëve që kanë drejtuar me sukses operacionet e luftërat ndër më të mëdhatë e njerëzimit. Libri sjell “Standardin për lider, cilësitë morale, vlerat e besueshmërisë, kurajës, ndershmërisë, profesionalizmit, sigurimi i menaxhimit të dhunës, ushtrimi i autoritetit brenda ligjit ndaj vartësve, bindje ndaj eprorëve.
Lideri përdor imagjinatën për të fituar mbështetjen e vartësve, i dëgjon me vëmendje vartësit, arrin që të kthej idetë e tyre më të mira në iniciativa organizative me largpamje, influencë, që di të orientojë energjitë, që me karakterin e personalitetin frymëzon dhe udhëheq, që jetën e lidh me karrierën dhe që ngelet vlerë e shoqërisë. Drejtuesi duhet ta përgatitë dhe garantojë suksesin, që sikurse thotë Kolin Pauell, tek libri i tij “Udhëtimi im Amerikan”,“lideri duhet t’i japë vlerë fushës së veprimtarisë së vendimmarrjes dhe të udhëheqjes strategjike” në interes të arritjes së suksesit.
Lideri vizionar është para së gjithash kontribues në mjedisin e ardhshëm të sigurisë
Shekulli XXI ka ardhur sikurse edhe shekujt paraardhës me një mjedis ndërkombëtar të karakterizuar nga pasiguria, paqëndrueshmëria dhe ndryshimet e shpejta dhe të vrullshme e dinamike. Bota nuk është më e qetë, por më dinamike, më kaotike, më e paparashikueshme se çdo periudhë tjetër të historisë. Ndërkohë që mjedisi i sigurisë është në ndryshim të vijueshëm, me aleanca dhe partneritete të ndryshueshme, me kërcënime kombëtare e ndërkombëtare. Sfidat e planetit tonë janë më të dukshme se në sferën e sigurisë kombëtare, më të prekshme për liderët e nivelit strategjik, sfidë që përcillet në të gjithë zinxhirin e komandimit dhe drejtimit. Edhe pse rreziku i luftës globale duket i largët, shumë rreziqe vijojnë të jenë prezentë dhe shoqërohen me sfida të reja. Aspektet e kërcënimeve e konflikteve rajonale, armët e dëmtimit në masë, rreziqet e terrorizmit ndërkombëtar, të krimit të organizuar, kërcënimet kibernetike, katastrofat po prekin mbarë botën tonë “të pa parashikueshme”.
Liderët e të gjithë niveleve përfshi lidershipin e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit përballen në vijimësi me tendencat e zhvillimeve globale. Përgjegjësia për liderët e kalon kufijtë e privilegjit, pasi mjedisi i ardhshëm i sigurisë rajonale e globale do shoqërohet nga konflikte, me kërcënimet asimetrike në rritje, me luftë të padukshme kibernetike, me probleme shoqërore, ekonomike, mjedisore, të burimeve që rrjedhimisht çojnë në paqëndrueshmëri. Në mjedisin e ardhshëm të sigurisë, lidershipi ushtarak do të përballet me sfidat e përballjes me të ardhmen për operacione komplekse të luftimit fizik e “elektronik”, ku roli i liderit vizionar është vendimtar në suksesin e pritshëm. Mbi të gjitha qëndron veprimtaria e liderit që të përputhet para së gjithash me interesin kombëtar. Realizimi i çdo veprimtarie të lidershipit që ka për bazë interesin kombëtar kërkon ndërtimin e formatit strategjik, e strategjisë që është “arti i udhëheqësit të trupave..” ose “arti i gjeneralit”, që përfshin taktikat, mjetet, logjistikën etj., që në fakt është një term i përdorur që në shekullin e 6 pas Krishtit në terminologjinë e “Romës së re” dhe “fitoi qytetarinë” në gjuhët popullore perëndimore në shek XVIII-të. Për dy shekuj (shek 19-20-të), fjala “strategji” erdhi për të treguar “një mënyrë gjithëpërfshirëse për t’u përpjekur për të ndjekur qëllimet politike, duke përfshirë kërcënimin ose përdorimin e forcës, në një dialektikë vullnetesh” në një konflikt ushtarak, ku dy kundërshtarë ndërveprojnë. Strategjia nuk mund të kuptohet pa qëllimet, prioritetet e përparësitë, mobilizimin e burimeve si dhe pa ekzekutuar veprimet. Strategjia është model aktiviteti që përfshin edhe planifikimin dhe të menduarit si lider strategjik.
“Lidershipi në mjedisin e sigurisë”, i gjeneralmajore Manushaqe Shehu, është kontribut në pasurimin e historisë së Forcave tona të Armatosura në lidhje me tematikën interesante për forcën dhe rolin e lidershipit në fushën e Mbrojtjes dhe sigurisë, nga niveli taktik deri në nivelin e drejtimit strategjik, ku deprtohet përmes analizës së plotë dhe të spikatur sfidat në mjedisin e Mbrojtjes dhe sigurisë, që me përvojat dhe risitë i armatos drejtuesit dhe lidershipin ushtarak dhe jo vetëm me një dimension të munguar në shërbim të brezave të studentëve të Bachelorit, por dhe të gjithë nivelit të kurseve në Kolegj, nga KTHOSH-i, KKSHP-ja, KLO-ja, KLSM-ja si dhe nivelet e ciklit të dytë të Masterit dhe ciklit të tretë të doktoratues.
Libri është jo vetëm një prurje e re, por edhe një shembull i ri se si një liderë që shkallët e karrierës ushtarake i ka ngjitur bindshëm me vullnet dhe përkushtim, ka çfarë t’ju ofrojë komunitetit të fushës dhe mbi të gjitha ofron përvojën shqiptare dhe botërore të mbledhur plot sqimë në një publikim si vlerë dhe kontribut, por edhe si detyrim moral ndaj brezave. Çdo libër ka historinë e vet kur përjetëson vlerat e lidershipit dhe më gjerë si një rrëfenjë që koha nuk mund ta mbulojë me pluhurin e harresës. Edhe pse teknologjia po bën punën e vet libri ngelet përherë i ri dhe i domosdoshëm pasi edhe latinët kanë një shprehje domethënëse: “Habent sua fata libelli/Librat kanë fatin e tyre”!
Destinacioni i librit “Lidershipi në mjedisin e sigurisë”, është i paracaktuar për formimin kulturor e profesional, në përmbushjen e detyrave e misionin e profesionistit të Forcave të Armatosura. Libri është një shkallë qytetërimi e kulture, është një vlerë për sot dhe për të ardhmen, një referencë e përzgjedhur për drejtuesit në të gjitha nivelet e drejtimit ushtarak, një kontribut i shkruar dhe dokumentuar pas një përvoje të gjatë pune. Libri është i shfrytëzueshëm për gjithë nivelet, nga nivelet taktike deri tek nivelet strategjike pasi edhe Sun Tzu thoshte: “Strategjia pa taktika është rruga më e ngadaltë për fitore. Taktikat pa strategji janë zhurma para mposhtjes”. Këto mësime të historisë duhet t’i njohë lideri jo vetëm për karrierë, por për suksesin e misionit dhe përgjegjësive që ka mbi supe.
Karrierë dinjitoze dhe e sukseshme në strukturat e Mbrojtjes dhe Sigurisë
Historitë e suksesit nuk kanë kolektive, pasi lideri projekton dhe i “vendos emër” epokës. Ndërtimi i së ardhmes nuk është i lehtë, kërkon punë, djersë e mundim dhe jo të gjithë mundet të sfidojnë vështirësitë e shumta që mund të dalin përpara në përditshmërinë e punëve. Por gjykojmë se Gjenerale Shehu ja ka dalë të sfidojë vështirësitë e mentalitetet dhe të ngrihet mbi to. Vetë jeta është një libër ku kushdo e shkruan me përditshmërinë e tij. Kështu ka ndodhur edhe me gjenerale Shehun.
Ndërkohë që Vince Lombardi thotë “Liderët nuk lindin, ata bëhen. Ata bëhen ashtu si gjithçka tjetër, përmes punës së rëndë dhe ky është çmimi që duhet të paguani për ta arritur atë qëllim, apo çfarëdolloj qëllimi tjetër”. Kjo vërtetohet edhe në të dhënat e poshtëshënuara, që janë sinjifikative për një zonjë: Gjenerale Manushaqe Shehu është lindur më 5 nëntor 1965, në qytetin e Peshkopisë, në një familje me traditat të shquara atdhetare e krahinore të Dibrës. Pas përfundimit të suksesshëm të shkollës së mesme ndoqi studimet në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve në Tiranë, 1984-1988, emërohet shefe e Logjistikës në Brigadën e Peshkopisë. Në vitin 1996, emërohet specialist i Kontrollit Financiar dhe Rezervave të Paprekshme (101K) në Ministrinë e Mbrojtjes. Këtë detyrë e mban deri në mars të vitit 2000. Gjatë viteve 2000-2002 punon pranë ekipit amerikan të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së, në Ministrinë së Mbrojtjes. Më 8 tetor 2007, emërohet ndihmëse e Presidentit të Republikës për Çështjet Ushtarake dhe Integrimin Euroatlantik. Më 4.2.2011, emërohet Këshilltare Ushtarake e Presidentit të Republikës. Më 1.9.2012, emërohet drejtore e Bashkëpunimit Civil Ushtarak dhe Informacionit në Shtabin e Përgjithshëm. Më 1.11.2016, emërohet komandante e Akademisë së Nënoficerëve dhe më 16.11.2016 merr gradën ushtarake “Gjeneral Brigade”, e para ushtarake femër në historinë e Shqipërisë. Gjenerale Shehu në periudhën 1.12.2016-16.1.2018 kryen detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, e nga kjo datë e deri më sot kryen detyrën e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Me dekret nr. 1313, datë 17.6.2021, të Presidentit të Republikës, bëhet e para grua shqiptare me gradën ushtarake “Gjeneralmajor”. Në vitet 1989-1994, përfundon Kursin Themelor të Oficerit në SHPFA dhe Kursin e Funksioneve në Akademinë e Mbrojtjes, Tiranë. Në vitet 2004-2010 përfundon Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm “Spiro Moisiu”, Kursin e Larë të Oficerit, Master i Nivelit Dytë në Fushën e Sigurisë Kombëtare, si dhe Kolegjin e Lartë Rajonal të Sigurisë dhe të Mbrojtjes. Në gusht 2018 mbrojti temën “Lidershipi dhe ndikimi i tij në menaxhimin e mjedisit të sigurisë. Rasti i Ballkanit e më gjerë” dhe fiton gradën shkencore “Doktor”. Gjatë viteve 1989-1994, përfundon Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Shkodrës. Gjatë vitit 2017, kryen Kursin e Sigurisë në “Qendra Marshall”, Garmish, Gjermani. Në vitet 2004-2005, kryen kursin ADAMS P&P (shkollë logjistike) në Tur, Francë; në 2013, kursin e CIMIC në Qendrën P&P, Ankara, Turqi; në 2014, përfundon kursin “Gender Perspective in Peacekeeping Operations”, në Zagreb, Kroaci; në 2015, përfundon kursin “CIMIC&CIMI Oberamengau”, Gjermani; në 2016, kryen kursin e Luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore, në Qendrën P&P, Ankara, Turqi; në 2016, kryen kursin “Lidershipi Strategjik”, Budva, të iniciuar nga Mbretëria e Bashkuar, në Mal të Zi; në 2017, kryen kursin e Building Integrity, në Mbretërinë e Bashkuar; në 2018, përfundon kursin “The Mediterranean of the Future: conditions for a neë equilibrium”, në Paris, Francë. Gjenerale M. Shehu ka qenë nismëtare e disa projekteve të ristrukturimit të Forcave të Armatosura dhe anëtare e Bordit të Komp Amerikane SAIC “për ndryshimin e strukturave të Forcave të Armatosura”, si dhe anëtare e bordeve drejtuese të ndryshimit të disa rregulloreve për Logjistikën në Forcat e Armatosura. Drejtuese e Bordit të Ndryshimit të Normave të Ushqimit dhe Veshmbathjes e Kazermimit në Forcat e Armatosura, në projekte për barazinë gjinore etj. Ka marrë pjesë aktive në stërvitje të përbashkëta me vende anëtare të NATO-s; aktiviste dhe drejtuese e nismave në ndihmë të grave ushtarake e civile të Forcave të Armatosura dhe të rajonit. Ka botuar një numër të madh artikujsh shkencorë e ushtarakë, në revista ushtarake, brenda dhe jashtë vendit, në shtypin ushtarak e civil, ka marrë pjesë në disa aktivitete ushtarake ndërkombëtare në vendet anëtare të NATO-s dhe ato partnere të saj. Është dekoruar me urdhra e medalje të shumtë nga ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, medalje, kupa e certifikata si “Sportiste e dalluar”, “Në ndihmë të popullsisë në donacione të ndryshme”, “Aktiviste e zbatimit të rezolutës 1325” etj. Është njohëse e mirë e dy gjuhëve të huaja, anglisht e italisht, si dhe është e martuar dhe ka dy fëmijë, vajzë e djalë; të dhëna këto që flasin qartë për një karrierë të gjatë dhe të suksesshme, por edhe një karrierë e veçantë në mjedisin e strukturave të Mbrojtjes dhe të Sigurisë në Shqipëri, ku gjithë funksionet e larta i ka parë si përgjegjshmëri. Gjenerale Shehu ka ditur të veprojë si liderë në një mjedis e komunitet të gjerë ushtarakësh, dhe ndoshta ka pasur parasysh shprehjen e mirënjohur të Henrik Ibsen, se “Komuniteti është si një anije, ku të gjithë duhet të jenë të përgatitur të marrin timonin”, sikurse e ka marrë dhe është në drejtim në postin më të lartë të Zëvendës Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së që nga viti 2018 e në vijimësi.