Albspirit

Media/News/Publishing

HENRY KISSINGER (27 maj, 1923 –29 nëntor, 2023)

Nga Ruben Avxhiu

Henry Kissinger, diplomat i famshëm, i vetmi njetri që ka shërbyer si Sekretari i Shtetit dhe Këshilltar Kombëtar për Sigurinë pranë Presidentit Amerikan, studiues i shquar i marrëdhënieve ndërkombëtare, e lobist apo konsulent ndërkombëtar, ka vdekur dje në Kent, Connecticut.
Për figurën e tij komplekse, me të mirat dhe të këqiat, kam shkruar në 27 maj të këtij viti kur mbushi 100 vjeç. (Po e risjell atë shkrim këtu poshtë, në fund të këtij shënimi.) Njeri i urryer dhe i admiruar njëkohësisht, ai ishte një nga emrat më të njohur në botë. Punoi e ligjëroi deri në ditën e fundit, me një kthjelltësi të habitshme. Dukej sikur nuk do të vdiste kurrë.
E vlen ta përsëris edhe njëherë se vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është e mundur që një refugjat i huaj, që deri në fund të jetës e flet gjuhën me një theks të tmerrshëm, mund të ngrihet e të bëhet jo vetëm një nga teoricienët më të mirë të një fushe studimore, por edhe të vihet në krye të politikës së jashtme dhe të sigurisë së vendit.
Lexim të mbarë:

100!
Një teoricien pjellor i marrëdhënieve ndërkombëtare e diplomat shumë i zoti, por dekadat e tij të gjata si lobist e konsulent qelben nga era e pakteve me djallin
Henry Kissinger, ish-Sekretari Amerikan i Shtetit dhe ish-Këshilltar për Sigurinë Kombëtare i presidentëve Richard Nixon dhe Gerald Ford, teoricien i politikës ndërkombëtare dhe “këshilltar” apo lobist ndërkombëtar mbush sot 100 vjeç.
Për shumë arsye ka tërhequr rreth vetes në vite admirim të jashtëzakonshëm dhe urrejtje me pasion. Më duket se shpesh të dyja kanë qenë të justifikueshme.
Pavarësisht se nuk kam respekt për punën e tij si lobist e apologjist diktatorësh, që nga regjimi kinez, Vladimir Putini, etj, si dhe e shoh si të rrezikshëm vizionin e tij të një politike ndërkombëtare “realiste” (lnë fakt: amorale) nuk mund ta mohoj rrugën interesante të jetës së tij dhe kontributin në fushën e studimeve ndërkombëtare.
Batutat e shumta që ka thënë në vite janë bërë të famshme për humorin e thellësinë në dukje, por në fakt janë shpesh sipërfaqësore e nganjëherë cinike, dëshmi e një njeriu të zhveshur shumë nga parime morale që për mendimin tim duhet të karakterizojnë një njeri me ndikimin e tij.
Padyshim, aftësia e tij për të vazhduar me sukses punën si konsulent dhe studiues edhe në dekadën e dhjetë të jetës së tij e bëjnë një figurë akoma edhe më interesante e objekt kurioziteti.

MJESHTËR I DIPLOMACISË APO I MANIPULIMIT TË MEDIAS

Megjithë sukseset e tij në fushën e diplomacisë dhe të studimeve, fama si shumë të tjerëve i erdhi nga dalja në skenë e televizorit si medium dhe zotësisë së tij për të përdorur median dhe personalisht gazetarët.
Oriana Fallaci, ndjesë pastë, gazetarja e shquar italiane, që e ka intervistuar në kohën kur ishte Sekretar Shteti, e përshkruan kështu: “Ky njeri tepër i famshëm, tepër i rëndësishëm, tepër me fat, që e thërrasin Superman, Superstar, Superkraut, dhe që qendis aleanca padoksale, arrin marrëveshje të pamundshme, bën botën të mbajë frymën a thua se bota është si studentët e tij në Harvard. Ky personazh i pabesueshëm, i pashpjegueshëm, e i padurueshëm që takohet me Mao-Ce-Dunin kur ia ka qejfi, hyn në Kremlin si t’i teket, zgjon nga gjumi Presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe i futet në dhomën e gjumit kur mendon se është nevoja. Ky karakter absurd me syze me skelet të trashë, pranë të cilit Xhejms Bondi duke një krijesë monotone. Ai nuk qëllon me armë, nuk përdor grushtat, nuk kërcen mbi një automjet që ecën me shpejtësi si Xhejms Bond, por jep këshilla për luftrat, u jep fund luftrave dhe pretendon po na ndryshon fatin, madje edhe e ndryshon”.
Më shumë se sa një përshkrim real të Kissingerit, mund të thuhet se ky është një shembull domethënës i aureolës që krijoi media për të.
Sigurisht lajmet për politikën janë shpesh të mërzitshme. Media është vazhdimisht në kërkim të gjërave që mund të zbavisin apo habisin lexuesin dhe spektatorin. Kissinger, me historinë e tij të jetës për shumë vite si hebre në hijen dhe kërcënimin e regjimit nazist, e që jo vetëm shpëton por ia arrin të ngjitet në majat e politikës botërore ishte një rast shumë tërheqës.

NJË JETË SI NJË FILM

Kissinger lindi në një familje hebrejsh në Gjermani. Familja e tij arriti të largohej nga vendi vetëm pak përpara se komuniteti ku bënte pjesë të sulmohej egërsisht nga nazistët.
Familja e tij jetoi në New York, në lagjen Washington Heights në Manhattan. Kur mbushi moshën, ai u regjistrua në ushtrinë amerikane dhe u dërgua në Europë.
Për shkak se e kishte gjermanishten gjuhë të parë, Kissinger u punësua në sektorin e hetimeve dhe zbulimeve si gjatë luftës ashtu edhe në Gjermaninë e çliruar. Amerikanët dhe aleatët në përgjithësi donin të siguroheshin për angazhimin dhe cilësinë e ish-zyrtarëve dhe ushtarakëve gjermanë për të dalluar nazistët e përkushtuar nga ata që mund të përdoreshin për ndërtimin e një Gjermanie të re.
Nuk është e vështirë të kuptohet kurioziteti i njerëzve për këtë situatë në jetën e Kissingerit. Papritur, ky hebre që u kishte shpëtuar nazistëve ishte ai që po i merrte në pyetje tashmë i veshur me uniformën e oficerit amerikan.
Është interant, por në asnjë rast, Kissinger nuk u tregoi nazistëve që merrte në pyetje, se ishte hebre. Asnjëherë nuk pati impulsin që t’ua bënte të qartë sesi ishin përmbysur raportet.
Pas kthimit në SHBA, studioi në Universitetin e Harvardit dhe u bë pjesë e profesorëve dhe studjuesve që u përpoqën të ndikojnë politikën e jashtme dhe të sigurisë së SHBA-së gjatë Luftës së Ftohtë.
Në bashkëpunim me miliardierin republikan, Nelson Rockfeller, ai udhëhoqi Projektin e Studimeve Speciale, një institut që u përpoq të hartonte një doktrinë apo strategji për përdorimin e armëve bërthamore për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kur Rockfeller kandidoi për president, Kissinger shërbeu si këshilltar i tij në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në vitin 1968, kur Rockfeller humbi në zgjedhjet paraprake kundër ish-Zëvendës Presidentit, Richard Nixon, ky i fundit e ftoi Kissingerin që të bashkohej me të. Lidhja që u krijua e katapultoi Kissingerin në politikën ndërkombëtare.
Ai u bë i pari emigrant që shërbeu si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare dhe më vonë si Sekretari i Shtetit në historinë e Amerikës.
Media dhe në përgjithësi vetë publiku nuk i reziston dot jetëshkrimeve të tilla. Kissinger është mbase politikani më i intervistuar në botë. Biografi i tij Niall Ferguson shkruan se gjatë kohës që shërbeu në pushtet, Kissinger doli 15 herë në ballinën e revistës së famshme TIME. “Të gjithë sekretarët e shtetit, herët a vonë, intervistohen nga Charlie Rose”, shkruan ai për ish-intervistuesin e njohur të kanalit PBS në SHBA. “Vetëm Henry Kissinger është ftuar 40 herë në programin e Rose” për të mos folur pastaj për daljet e tij në televizion për rolin figurativ në serialin televiziv “Dynasty” etj.
Aq i madh ishte popullariteti i tij në kohën kur shërbente si Këshilltari i Presidentit Nixon, saqë një nga batutat humoristike të kohës ishte: “Çfarë ndodh po vdiq Kissingeri? Atëhere Richard Nixon bëhet president i Amerikës”.
Sigurisht fama e tij nuk mbështetet vetëm në obsesionin e natyrës së tabloideve me këtë njeri të pushtetit.
Roli i tij personal në afrimin e Shteteve të Bashkuara me Kinën, që ndau në dysh në mënyrë fatale bllokun komunist dhe ndihmoi në hapjen e Kinës është një nga ngjarjet që ndryshuan botën në një shkallë që ende nuk është kuptuar sa duhet.
Nën drejtimin e tij, u arritën marrëveshje historike që shmangën një përplasje tragjike mes superfuqive duke siguruar që Lufta e Frohtë të mos bëhej asnjëherë e nxehtë, e që të mos kishim një Luftë të Tretë Botërore. Kështu negocioi Traktatin e Kufizimit të Armëve Strategjike (SALT I) dhe Traktatin e Raketave Anti-Balistike me Bashkimin Sovietik.

NJË POLITIKË E JASHTME PA MORAL DHE PA ZEMËR

Agim Aliçkaj i jep Kissingeri-it librin nga Harvey Sarner, për shpëtimin e hebrejve nga shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore.

Kam shumë arsye se pse, pavarësisht prej interesit në studimet dhe librat e tij, e kam humbur respektin për Kissingerin si aktor në politikën ndërkombëtare.
Sigurisht, trajtimi i tij si “një kriminel lufte” ka qenë një refren i të majtës në botë. Një nga nofkat që i kishin vënë ishte “Henry Killinger”. Mirëpo, shpesh kanë qenë edhe ekzagjerime të rolit të tij personal, injorojnë faktin se veprime të ngjashme të CIA-s dhe SHBA-së në Luftën e Ftohtë kanë ndodhur shumë më shpesh dhe shumë më herët përpara se Kissinger të ngjitej në pushtet. Harrohet shpesh edhe konteksti i Luftës së Ftohtë dhe krimet e regjimeve komuniste, që i japin – nëse do – një kuptim ndërhyrjeve, puçeve, dhe ekzekutimeve për të penguar përhapjen e komunizmit në botë.
Arsyeja kryesore se pse i mbaj mëri Kissingerit si dhe pse fillova të rishikoj veprimtarinë e tij pas largimit nga pushteti ishte sigurisht Lufta në Kosovë.
Deklarimet e tij kundër ndërhyrjes së NATO-s, dalja e tij si dëshmitar në Kongresin Amerikan për të argumentuar kundër ndërhyrjes ishin për mua të papranueshme.
Të them të drejtën, në atë kohë, e shihja kundërshtimin e tij si në vijë me pikëpamjet e tij të realpolitikës. Si dikush që druhet se një politikë e jashtme morale në fund, do të sillte dëm shumë më të madh njerëzimit. Në përplasjen mes forcave të mëdha botërore, duheshin sakrifikuar viktima të vogla për hir të fitores së madhe.
Kissinger nuk e mohonte se veprimi i moralshëm ishte shpëtimi i shqiptarëve të Kosovës, por thoshte se nëse virtyti fillon të drejtojë politikën e jashtme atëhere virtyti do të dalë mendsh.
Në një pushim, gjatë seancës në Kongresin Amerikan ku po dëshmonte, një veprimtar i njohur shqiptaro-amerikan, Agim Aliçkaj iu afrua tryezës ku ishte ulur dhe i dha librin e autorit Harvey Sarner, të botuar nga Liga Qytetare që tregonte historinë e shpëtimit të hebrejve nga shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore. Aliçkaj më ka thënë në një intervistë se pas kësaj, Kissinger ka ndryshuar mendim për ndërhyrjen në Kosovë.
Mbase është ashtu, por unë kam dyshimet e mia.
Më vonë, kam zbuluar se ai ka trajtuar me të njëjtën mospërfillje hebrenjtë që persekutoheshin në Bashkimin Sovietik. I shtyrë nga komuniteti hebre në SHBA që ta ngrinte çështjen e tyre ndërkohë që negocionte për traktatet e njohura me Moskën, Kissinger refuzoi. Ai madje ka thënë në mënyrë cinike se nuk do të vinte në rrezik raportin SHBA-Bashkimi Sovietik edhe nëse sovietikët fillonin të hidhnin hebrenjtë në furra si dikur nazistët. Është një deklaratë shokuese për dikë që vetëm për një fije i shpëtoi vdekjes në duart e nazistëve.
Në dekadat e tij të gjata si konsulent, ai më duket se rrëshqiti nga politika realiste e mbajtjes së paqes mes fuqive të mëdha, në apologji të hapur e justifikim, në mos në shërbim të çdo regjimi diktatorial në botë të gatshëm për të paguar.
Si këshilltar korporatash gjigande që investonin në botë, ai u bë profesor i metodës se si të mund të përshtasnin interesat e biznesit me shkeljen e turpshme të të drejtave në njeriut në vende ku investonin.
Jo më kot, u bë amerikani më i preferuar në Kinë, në Rusi, e në shumë diktatura në mbarë botën. Me një mungesë të thellë respekti për demokracinë si sistem dhe kauzën e të drejtave të njeriut, ai pushoi së përfaqësuari aspektin më pozitiv të politikës së jashtme amerikane në botë.
Gazetari i shquar Joseph Anthony Lewis ka thënë se “Doktrina Kissinger” është “një fiksim me rendin dhe pushtetin në kurriz të njerëzores”.
Në vëllimin e parë të biografisë së tij historike për Kissingerin, historiani Niall Ferguson (që do të ketë punë të madhe për të bërë nëse në vëllimin e dytë ka vendosur ta nxjerrë në dritë pozitive punën e tij si lobist) përmend debatin e ekspertëve që përpiqen të kuptojnë se pse një njeri që i shpëtoi diktaturës së Adolf Hitlerit është kaq i mahnitur pas diktatorëve dhe kaq përbuzës ndaj demokracive.
Disa mendime aty hedhin pak dritë mbi këtë dukuri interesante psikologjike duke e lexuar ndryshe formimin e tij intelektual.
Duket se më shumë se nga diktatura naziste, vizioni i Kissingerit është formuar nga periudha që parapriu dhe solli diktaturën. Tmerri i anarkisë dhe dështimit të republikës së Vaimarit. Rrëzimit të çdo autoriteti.
Jeremi Suri shkruan se “Henry Kissinger nuk kishte si të mos dilte në përfundimin se demokracitë janë të dobëta dhe të paefektshme, në përballjen me armiq shkatërrimtarë”.
Këto janë arsyetime të pranueshme që hedhin dritë mbi psikologjinë e tij. Megjithatë, njeriu jetëgjatë që sot mbush 100 vjet, ka jetuar aq sa të shohë triumfin e demokracive mbi diktaturat me rrëzimin e Murit të Berlinit, nëqoftë se ka harruar fitoren e madhe të “demokracive të dobëta” mbi diktaturat e forta të Hitlerit, Musolinit dhe Japonisë militariste.
Në luftë armët e mëdha kanë rëndësi të madhe, por mjerë kush injoron fuqinë e moralit dhe të së drejtës. Historia ka dëshmuar se paqja si kompromis me diktaturat vetëm sa ka shtyrë luftën për një datë tjetër, më të përshtatshme për agresorin.
Sado të veshura bukur me teori e argumente, këto pakte me djallin, për të lejuar tragjeditë e vogla si masakrimi i shqiptarëve të Kosovës, vetëm sa kanë vonuar tragjeditë më të mëdha që kanë ardhur gjithësesi. Jo larg nga vendi ku u lind dhe jetoi Kissingeri, bota demokratike pranoi që Hitleri të grabiste një krahinë nga Çekosllovakia. Ashtu si u lejua Putini që të shkëpuste me dhunë dy rajone nga Gjeorgjia. Asnjëra e as tjetra nuk ndaluan luftëra më të mëdha, që erdhën shumë shpejt gjithësesi.
100 vjet jetë nuk i kanë mjaftuar Kissingerit që ta kuptojë apo pranojë një gjë të tillë. Por mbase ka shpresë në shekullin e dytë.

Please follow and like us: