Albspirit

Media/News/Publishing

Rudolf Marku: PËRKUJTIMI I NJË MUZE

Ecja në Old Brompton Road, një rrugë që lidh Fulham me Chelsea-n, kur pashë se kisha arritur pothuajse në gjysmën e kësaj rruge, te Varrezat e Vjetra të Old Brompton (Old Cemetery of Brompton Road).
Nuk më ka ndodhur kurr, sa herë që kaloj pranë kësaj Varreze të rrethuar me mure, që të mos kujtohem se këtu është varri i Muzës së Poetit John Keats, Fanny Brawne. Keats dhe Brawne jetuan të fejuar veç tre vite së bashku, të bashkuar me një dashuri të vrullshme, pasionante, por dhe herë- herë të pasigurt dhe të ankthshme, deri në pragvedekjen e parakoshme të poetit, në moshën 26 vjeçare. Kujtohem se pas dy ditësh, koinçidon dhe përvjetori i vdekjes së saj (4 Dhjetor 1865).
Futem në varreza për të vendosur një lule mbi varrin e Muzes së Poetit, dashuria për të cilën dha dhe kryeveprat e Poezisë së Keatsit. Të tilla si Endymion dhe Bright star, pa përmendur pothuajse dhe praninë e saj në të gjithë Odet e famshme të Poetit.
Varreza është tepër e madhe, një hapësirë mes Old Brompton dhe Kings Road e Chelsea-t, ndërsa shumica e varreve janë shekullore të vjetra. Është e vështirë, madje e pamundur ta gjesh varrin e saj. Në hyrje të varrezave është një godinë një katëshe moderne, me xhama. Është zyra e informacionit të varrezave, dhe, ngase kjo varrezë vizitohet nga shumë turistë (ngase është e vjetër të paktën që prej 7 shekujsh). Në zyrë janë dy punonjës, një djalosh rreth të tridhjetave dhe një grua mes 50 a 60 vjetëve. I pyes nëse mund të më ndihmojnë të gjej varrin e Fanny Brawne. Djaloshi, që qëndron para një kompjuteri (duket së është projektuesi kompjuterik i Varrezave, simpatik dhe modern, nga ata tipat që janë tepër të sigurt në veten e tyre), ngre kokën dhe më pyet- Është njeri i afërm i juaji?
Gruaja ngre kokën- Jonathan- thotë ajo- zotëria pyet për varrin e së dashures së John Keatsit.
As dhe emri i John Keatsit nuk i bën asnjë përshtypje djaloshit kommjuterik. Kush është ky?-pyet për Keatsin.
Zonja skuqet në fytyrë. Ndjen turp nga injoranca e kolegut të vet. Më thotë: Shkojmë te dhoma tjetër. Atje kemi të gjithë certifikatat e vdekjes së njerëzve të varrosur këtu. – Je i sigurt se Frances Brawne është e varrosur këtu?- më pyet. I them se po.
Këtë herë është rradhe ime që të hutohem. Nuk e kisha ditur se Fanny mund të ishte shkurtim i Frances (ose Françeska, shton ajo, ngase mendon se unë mund të jem italian). I them se ka vdekur me 4 Dhjetor 1865. Ah, kjo më ndihmon shumë, më thotë. Faleminderit!
Hap dosjet gjithë pluhur dhe pas pesë minutash ka në dorë certifikaten e vdekjes së Muzës së Poetit. Pas kësaj sheh një regjistër tjetër. Më jep të shkruar në një copë letër kordinatat e varrit: F3684. Në krahun e majtë, diku nga mesi i varrezes, në të majtë të Monumentit të ngritur në kujtimin e të Vdekurve. Dhe në fund, shton: Shiko për varrin e Fanny Keats, jo të Fanny Brawne. Vetë ajo, ndonëse e pamartuar me Keatsin, ka lënë amanet të varrozet me mbiemrin Keats.
Franny Keats! -shton ajo, me buzëqeshjen e një zonje fisnike të kohnave të shkuara!
Please follow and like us: