Si e solli Franz Babingeri Gjakovën në Berlin në vitin 1928?
Nga Edona Rexhepi
Gjakova është një qytet i vdekur, do të shkruante historiani dhe orientalisti gjerman, Hranz Babinger, në faqen e parë të artikullit të botuar në dhjetor të vitit 1928 në “Deutsche Allgemeine Zeitung”. I zhgënjyer nga numri i paktë i njerëzve që kishte parë në rrugët e këtij vendi, Babinger tregon se popullsia shqiptare po migronte në masë të madhe matanë kufirit në Shqipëri e edhe në Turqi, dhe të paktë kishin mbetur ata që nuk donin të lëshonin vendin. Gjallëri i jepte qytetit bujtina e vetme e ngritur atypari, që mbante emrin “Jugoslavija”, përndryshe, qytetin që dikur numëronte më shumë se 20’000 banorë, e kishte kapluar një heshtje. Këtë zymtësi sipas tij, nuk e hiqnin as ata malazezë të pakët që shiheshin në qytet me veshjet e tyre të shumëngjyrshme. Gjallërinë dhe materialin për të shkruar pjesën tjetër të artikullit për Gjakovën, Babingeri do ta gjente me rastin e vizitës së tij në konakun e Gani Kryeziut.
Në fillim të dhjetorit të vitit 1928, lexuesit e gazetës “Deutsche Allgemeine Zeitung”, në ballinën e së përditshmes, mund të informoheshin mbi lajmet më interesante të ditës. Ato që binin më në pah qenë shkrimet mbi diskutimet aktuale se kush mund të ishte presidenti i ri i shtetit austriak, debatet mbi çështjen e Rajnlandit si dhe një vizitë e bërë nga një profesor gjerman, në një qytet të vogël në krahun tjetër të Evropës, i sjellë te lexuesi përmes një figure diplomatike, vrasja e të cilit bëri bujë në shumë media evropiane, jo shumë kohë më parë. Bëhej fjalë për vizitën e orientalistit Franz Babinger, në Gjakovën e Cena Bej Kryeziut, ambasadorit të shtetit shqiptar në Çeki. Para se të kuptohet se si erdhi deri te ky lajm dhe çfarë pa profesori gjerman në këtë vend, të ndalemi te ky i fundit për një moment.
Kush ishte Franz Babinger?
I lindur në Weiden in der Oberpfalz, në kapërcyell të shekullit të gjatë të nëntëmbëdhjetë, Franz Babinger ishte historian dhe orientalist gjerman, i njohur për botën akademike përmes kontributit të tij të gjerë, kryesisht në studimin e kulturës dhe historisë së Lindjes së Afërt. Pas përfundimit të studimeve, me fillimin e Luftës së Parë Botërore, mori pjesë aktivisht në frontin lindor përkrah trupave gjermane, atëbotë aleate të Perandorisë Osmane. Në kujtimet e tij, por edhe të shumë shqiptarëve, Çanakalaja do zinte një vend të rëndësishëm. Ka mundësi se aty ishte takuar me gjeneralin Mustafa Kemal Pasha, të cilin bota më vonë do ta njihte si Mustafa Kemal Ataturku, themeluesin e Turqisë moderne, duke shërbyer, sipas disa burimeve, për një kohë edhe si adjutant i tij. Turqishtja e tij qe çelës jo vetëm në frontet e luftës, por edhe në udhëtimet që bëri pas saj nëpër Ballkan. Në rastin tonë, shqipja e tij e çaluar i pamundësonte bisedat me vendasit, por ishte turqishtja e tij e rrjedhshme, e përdorur kudo, që i mundësoi Babingerit të gjente rrugën e tij për në trevat shqiptare.
Me t’u kryer lufta, Babinger rifilloi jetën akademike, me shpresën e ditëve më të mira. Mirëpo, e ardhmja e hidhur kishte plane të tjera. Ai u habilitua si profesor në Universitetin e Berlinit. Në kryeqytetin e Gjermanisë jetoi deri në vitin 1934, ku vetëm për shkak të prejardhjes së tij pjesërisht hebraike (njëra nga gjyshet e tij ishte me prejardhje hebraike), pushteti nazist e detyroi të lironte pozitën, duke e lënë orientalistin gjerman rrugëve, pa punë. Kështu, pas kërkimeve të shumta për një vend pune në një kohë krize të thellë politike e ekonomike, ai u vendos në Rumani deri në vitin 1943. Pasi u kthye përfundimisht në Gjermani, themeloi Institutin për Historinë dhe Kulturën e Lindjes së Afërt dhe Turkologjinë, në Mynih. Franz Babinger i dha botës akademike një numër të madh veprash, nisur nga vepra e tij e parë e madhe mbi historianët e osmanëve dhe veprat e tyre “Die Geschichtsschreiber der Osmanen und ihre Werke” dhe duke vazhduar me veprën e tij monumentale mbi Sulltan Mehmetin e Dytë (“Mehmed der Eroberer und seine Zeit”) libër ky që mori vëmendje të jashtëzakonshme në botën akademike, e me të solli debate të cilat ndjekin këtë figurë deri më sot.
Interesimi i Babingerit për botën shqiptare filloi që në periudhën e studimeve, pak para Luftës së Parë Botërore. Kontakti i tij i parë me vendin duket të jetë në vitin 1928, kur ai qe dërguar me detyrë nga Akademia Jugosllave, për të blerë dorëshkrime osmane në Ballkan. Pas Luftës së Dytë Botërore, Babinger hyri në kontakt me personalitete te ndryshme shqiptare, pjesë dhe kundërshtarë të sistemit komunist të vendosur në Shqipëri, kontakte këto që i mbajti deri në fund të jetës. Vizita e parë në Shqipërinë e Enver Hoxhës, ishte në nëntor të vitit 1962, me rastin e organizimit të Konferencës së Parë Albanologjike në Tiranë. Vizita e fundit qe në qershor të vitit 1967, kur ai vdiq, si pasojë e një ataku kardiak.
Një udhëtim drejt Ballkanit
Franz Babinger, me të marrë detyrën nga Akademia Jugosllave në Zagreb, filloi udhëtimin e tij nëpër Ballkan, në kërkim të manuskripteve osmane, për të cilat kishte në dorë negocimin e një çmimi dhe blerjen më pas të tyre, për hesap të institucionit në fjalë. Babinger ishte ftuar nga kryetari i këtij institucioni, Gavro Manojlović, dhe me t’u vendosur, Babinger u pajis me një leje kalimi e cila ia mundësoi vizitat nëpër Ballkan. Kështu, Profesori i Universitetit të Berlinit, i mësuar nga përvoja e shkrimeve në fronte gjatë Luftës së Parë Botërore, u mundua të nxirrte më të mirën nga ky udhëtim, duke përdorur vizitën e tij për të shkruar më pas artikuj që do t’ua shiste gazetave, revistave e botuesve të ndryshëm. Por kjo punë e dyfishtë nuk rezultoi e dobishme vetëm për autorin.
Në vitin 1929, shtëpia botuese e librave udhëpërshkrues “Baedeker”, u ofroi lexuesve, për herë të parë, një udhëpërshkrim të detajuar mbi Shqipërinë. Në një kapitull prej 37 faqesh, udhëtarët do të njoftoheshin me një vend, për të cilin, deri në atë periudhë, rrallëkush kishte dëgjuar me aq hollësi, madje edhe nga të dëgjuarat, rrallë pati lajme të mira. Vetë “Baedeker”, në botimin e fundit të udhëpërshkrimit drejt Kostandinopojës, më 1914, konsideronte Shqipërinë si “vendin më të egër dhe më të panjohur të Europës”. 15 vjet më pas, falë Franz Babingerit, Shqipëria nuk qe më as e egër, e as e panjohur. Përkundrazi, shteti shqiptar u bë destinacion turistik. Udhërrëfyesi i tij në anën tjetër, është i dobishëm edhe sot, teksa na mëson neve mbi Shqipërinë e para 100 vjetëve. Për shembull, sado vështirë e imagjinueshme mund të ishte për dikë që lexonte këtë artikull në këtë kohë, në Shqipërinë e vitit 1929, mund të udhëtoje me aeroplan nga një qytet në tjetrin, brenda territorit të vendit. Kështu, një udhëtar mund të hante mëngjesin në kryeqytetin e mbretërisë shqiptare, Tiranë, dhe brenda vetëm një ore mund të shijonte kafenë në një nga kafenetë e shumta në sheshin e qytetit të bukur të Shkodrës, pas një fluturimi të shkurtër që do t’i kushtonte 20 franga ari.
Të kthehemi te vizita e Babingerit në vitin 1928. Pasi la shtetin shqiptar pas, Babingeri vazhdoi për në qytetet matanë kufirit të Mbretërisë Serbo Kroate Sllovene, e cila për pak kohë do të quhej edhe zyrtarisht Jugosllavi. Kështu, në një kohë shumë të shkurtër, radha i erdhi Gjakovës. Se sa pak mund të dinte qytetari berlinas për Gjakovën, këtë vetëm mund ta hamendësojmë. Çfarë dimë me siguri është se jo shumë kohë më parë, 50 vjet për të qenë të saktë, Gjakova u bë kryetitull i medias në mbarë botën. Jo për kulturën dhe traditat, por për një vrasje që tronditi të gjithë. Mareshali osman me prejardhje gjermane, Mehmet Ali Pasha ishte vrarë nga shqiptarët në të ashtuquajturin Aksion të Gjakovës, në shtator të vitit 1878. Për ironi të fatit, vëmendjen Gjakova do ta merrte gjysmë shekulli më pas, por për shkak të vrasjes së një individi tjetër, megjithëse kësaj radhe për shkaqe dhe në rrethana krejt të tjera.
Një qytet i vdekur
Gjakova është një qytet i vdekur, do të shkruante Babinger në faqen e parë të këtij artikulli. I zhgënjyer nga numri i paktë i njerëzve që kishte parë në rrugët e këtij vendi, Babinger tregon se popullsia shqiptare po migronte në masë të madhe matanë kufirit në Shqipëri e edhe në Turqi, dhe të pakët kishin mbetur ata që nuk donin të lëshonin vendin. Gjallëri i jepte qytetit bujtina e vetme e ngritur atypari, që mbante emrin “Jugoslavija”, përndryshe, qytetin që dikur numëronte më shumë se 20’000 banorë, e kishte kapluar një heshtje. Këtë zymtësi sipas tij, nuk e hiqnin as ata malazezë të paktë që shiheshin në qytet me veshjet e tyre të shumëngjyrshme. Si duket përjashtimin e vetëm e bënin, por jo në plotëni, dervishët dhe tyrbet e tyre në veri të Gjakovës. Megjithatë gjendja e Gjakovës dukej të mos ishte një përjashtim për vendbanimet shqiptare në Jugosllavi. Sipas tij, vendbanime të tilla shqiptare të braktisura do mund ta vërenin lehtësisht udhëtarët që vinin nga jugu.
Në anën tjetër, Babinger nuk la as pa përmendur qasjen e Qeverisë jugosllave ndaj kësaj zone. Sipas tij, kjo e fundit ka shqetësime serioze mbi këtë cep të monarkisë që refuzon qetësinë dhe rrezikon rendin shtetëror. Me gjasë i referohej situatës politike në Kosovë, dhe ngjarjeve të lidhura ngushtë me Lëvizjen Kaçake, lëvizje kjo e cila ishte pothuajse e shuar në vitin 1928, me iniciativa të vogla kohë pas kohe në vende të ndryshme që nga vdekja e Azem Galicës, më 1924.
Nuk u shkrua më shumë për Gjakovën, po për një familje të saj, po. Monotoninë e orientalistit Babinger, si duket do të thyente ftesa e një anëtari të familjes Kryeziu, jo shumë larg nga vendi ku ai po qëndronte.
Një bavarez në Konak të Gani Kryeziut
Gjallërinë dhe materialin për të shkruar pjesën tjetër të artikullit për Gjakovën, Babinger do ta gjente me rastin e vizitës së tij në konakun e Gani Kryeziut, vëllait të Cena (Hysen, Ceno) Begut, i vrarë 1 vit më parë nga Alqiviadh Bebi, në kafenenë “Passage”, në Pragë. Këtyre rrethanave dhe Kryezinjve profesori bavarez u referohet me termin sllav e turk Crnoglavitsch dhe Karabaschsade. Me të dëgjuar për ardhjen e tij në vend, Babingerit iu afruan Kryezinjtë duke e njoftuar me qytetin e Gjakovës dhe duke e ftuar në konakun e tyre.
Ky vendbanim në pjesën perëndimore të Gjakovës, i ngjason profesorit gjerman me një kështjellë të ndarë në tri shtëpi të rrethuara me mure të larta. Në dy anët e hyrjes shihen dy kulla të larta me frëngji, e para tyre qëndrojnë ditë e net rojtarët e shtëpisë. Askush që nuk është i njohur për këta të fundit, nuk lejohet të hyjë brenda. Shkak sipas tij është gjakmarrja, situatë në të cilën gjendej familja Kryeziu. Ai njofton lexuesit që ky fenomen është shkak i më shumë se gjysmës së vdekjeve në tokën e shqiptarëve. Jo shumë kohë më parë, një mbikëqyrës i familjes, u vra para dyerve të kullave, plumbat e të cilit, me gjasë ishin bërë plan për Ganiun, vëllain e vogël të Cena Begut.
Me të hyrë në shtëpinë ku qëndronte Ganiu, Babinger duket se u magjeps nga pamja që shtrihej para tij. Në mes të një Gjakove të pllakosur nga varfëria, konaku i Kryezinjve i çonte mallin e një përralle nga një mijë e një net. Brenda, mysafiri shinte qilima të çmuar orientalë, disa të shtrirë në dysheme, e ca tjerë të varur në muret e larta. Më tej, dhomat e gjera, të mobiluara në stilin europian e një sallon me mobile franceze të mbështjella me mëndafsh nuk mund të mos i binin në sy profesorit gjerman, i cili ç’ishte e vërteta, po i shkruante këto përshtypje, me shpresën për të nxjerrë një artikull mjaftueshëm interesant, që gazeta gjermane ta botonte, e që ky i fundit të siguronte disa të ardhura shtesë. Duke ditur krizën ekonomike si ajo e fundit të viteve ‘20, kuptohet që kjo situatë nuk la pa prekur as profesorët, titujt e të cilëve qëndronin diametralisht kundër të ardhurave që merrnin.
Në njërin nga sallonet, afër një pianoje gjigante, gjendej nikoqiri i kësaj godine madhështore. Një burrë rreth të tridhjetave, ish-kolonel në ushtrinë shqiptare, ndërsa atë ditë i veshur me rroba civile, Gani Kryeziu, vëllai i ambasadorit shqiptar të vrarë një vit më parë, e përshëndet miqësisht Franz Babingerin me një turqishte të rrjedhshme dhe e fton për të pirë diçka. Shumë shpejt, biseda kthehet rreth çështjeve shqiptare. Sipas Kryeziut, gjendja në kufi nuk ishte në favor të asnjërës palë. Babingerit i bën përshtypje fakti që ai shkarazi tregon për largimin e tij nga Shqipëria, pak para se mbreti Zog të shpallte mbretërinë, pa dashur të tregojë për arsyet pas këtij vendimi. Si dukej, në Gjakovë flitej se Ganiu kishte frikë për jetën e tij në Shqipëri. Shkarazi qe përmendur edhe Cena Begu, për të cilin nuk u fol shumë, por që Babingerit i dha përshtypjen se në fytyrën e tij mund të shihej një mllef i thellë për ngjarjen. Duke folur shkurtimisht për Shqipërinë e Zogut, Ganiu ndër të tjerash, kishte cilësuar se rritja e ndikimit italian në Shqipëri vinte si pasojë e një politike më pak energjike të Jugosllavisë, gjë që bëri profesorin gjerman të besonte në frikën se herët apo vonë, Shqipëria do të ballafaqohej me vështirësi serioze. E ardhmja e vërtetoi këtë frikë, meqë më 7 prill 1939, Shqipëria u pushtua nga forcat italiane. Megjithatë, qëndrimet e Gani Begut, si dhe familjes Kryeziu në këtë kohë, mbeten për t’u studiuar më tej, sidomos në raport me Shqipërinë Zyrtare dhe Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene.
Biseda e Babingerit me vëllain e Cena Begut, do të përfundonte me tregimet e këtij të fundit për planet që kishte të udhëtonte drejt Vjenës e më pas drejt Gjermanisë. Pas një ore, profesori bavarez la pas portat e këtyre kullave, me ndjenjën që sapo kishte lënë prapa krahëve një personalitet, i cili do të luante një rol të rëndësishëm në historinë politike të Shqipërisë. Për habinë e tij, emri i tij do të dëgjohej shumë shpejt, me rastin e vrasjes së Alqiviadh Bebit, në sallën e gjyqit, nga Zija Vuçitërna, ku Gani Kryeziu, u akuzua për porositjen e këtij atentati.
Me të rënë muzgu, Franz Babinger iu kthye Gjakovës. Qetësinë e rënë aq të zakonshme për vendin, e thyen natën vajtimet për një vdekje në një familje myslimane. Kështu do të përfundonte artikulli i shkurtër dhe kaq do mësonte lexuesi berlinas, në film të dhjetorit të vitit 1928, për Gjakovën dhe familjen Kryeziu. Por, kjo nuk është qasja e vetme në shkrimet që ai do të bënte për udhëtimet jo vetëm në Ballkan, por edhe më tej. Babinger qe më tepër se një orientalist dhe udhëtar i zakonshëm. Ai do të shkruante edhe për revistat propagandistike mbi turizmin në Jugosllavi. Se si do t’i paraqiste territoret e Kosovës së sotme, mbetet të shihet në artikullin e radhës.