Albspirit

Media/News/Publishing

ZBULOHET RECITALI I PARË MUZIKOR SHQIPTAR NË ARKIVIN E LEF NOSIT

ZBULOHET RECITALI I PARË MUZIKOR SHQIPTAR NË ARKIVIN E LEF NOSIT – KONCERTI I VILONISTIT VIRTUOZ SHQIPTAR LUDOVIK NARAÇI NDRYSHON DATAT NË HISTORINË E MUZIKËS
Nga Prof. asoc. INA KOSTURI

Sonata për violinë e Corellit, ” La Follia ” është vepra e parë e shkruar mbi një fletë koncerti të vjetër. Kjo temë e lashtë muzikore me origjinë portugeze, ndër më antiket e muzikës evropiane, përdorur nga shumë e shumë kompozitorë , bashkë me fillimin e programit na vjen me dëshminë e rrallë të një date në historinë tonë muzikore. Si variacionet e kësaj vepre midis jetës dhe artit shqiptar, historisë e muzikës vërtitet i njëjti lajtmotiv, i harresës, humbjes , zhdukjes. Në kërkimet e 100 vjetorit të Pavarësisë, në fondin prej 12.000 faqesh të firmëtarit e koleksionistit të njohur Lef Nosi, gjeta këtë fletë e rrallë, dëshmi e fushës muzikore dhe interpretimit.

Ngjashmërisht si variacioni i përsëritur i “Follisë” së Corellit, mu forcua ideja se historinë, faktet dhe historinë e muzikës së krijmtarisë e interpretimit shqiptar në kohë të vjetra e kemi akoma të panjohur. Kjo histori e shkuar, pjesë e kulturës dhe trashëgimisë sonë muzikore vërtitet në ambjetin shkencor e muzikor, pa gjetur zgjidhje as pranë Akademisë së Shkencave, e as Universitetit të Arteve. Dyshimi se muzika shqiptare e parë në sens të gjerë është pjesa më konservatore e artit në Shqipëri kthehet në bindje, madje dhe ky konservatorizëm mbërthyer në një periudhë të caktuar të realizmit socialist, shfaqur me dembelizmin e bezdinë për të hedhur sytë në të shkuarën, me ankesën për mungesa në të sotmen. Fleta e rrallë e koncertit recital për violinë e piano, gjetur në fondin e Lef Nosit mban datën 3 dhjetor 1926, me shkrimin e plotë, (në Sallën Theater Nacjonal, Tiranë, te premten me 3 Dhetuer 1926, n oren 15) .

Është e para datë ndoshta e koncertit të parë të muzikës serioze, aq më shumë të një recitali të mirëfilltë të muzikës violinistike. Nuk kisha menduar se interpretimi do fillonte pikërisht me violinën, e aq më tepër që këtë fakt ta gjeja mes shumë dokumentave të tjera të vyera në fondin e Lef Nosit, nga traktet e Luftës Nacional Çlirimtare, tek aktiviteti artistik para 1944. Nisur nga përpjekjet e mëparshme të shtypit të sotëm të një date të parë të koncertit të muzikës serioze, siç dëshmohet me anë të shkrimeve të kohës për koncertin e vitit 1933 në Korcë, data e këtij recitali me violinë duket se na sjell në një konkluzion të ri e na bën të hulumtojmë për të tjera ngjarje. Kjo datë e këtij koncerti recital të një niveli të lartë përsa i përket konceptimit të shkrimit, veprave të interpretuara, dëshmuar nga kjo fletë programi është së pari gjurmë e integrimit të hershëm, kulturës dhe muzikës serioze. Koncerti recital i 3 dhjetorit 1926 është interpretimi i Ludovik Naraçit, violinistit shkodran dhe pianistit Emanuel Scharfberg, profesor në Konservatorin e Vjenës. Është vetëm një fletë programi, dhe cdo detaj përbën fakt . Duke nisur nga fillimi me termin “Violin Koncert Artistik”, specifikohet lloji i koncertit , si recital i mirëfilltë, ndërsa poshtë emrit te vioinistit shkruhet fjala “Virtuos”, që lidhet me titullin që violinisti gëzon dhe e ka fituar nga studimet e tij në konservatorët prestigjozë botërorë.

Emri i Ludovik Naraçit është i dëgjuar, i përcjellë në breza nga violinistët shqiptarë si një legjendë e mësimdhënies, një gojëdhënë. Megjithatë, ndryshe nga ajo që në popull transmetohet si trashëgimi, ky emër është pjesë e muzikës serioze shqiptare, me një mesazh të madh të koncertit të parë, recitalit të parë, si një date gati historike në historinë e interpretimit tonë muzikor. Për të njohur më tej këtë detaj apo fakt të zbuluar kaq vonë dhe kaq rastësisht, kërkova diçka më shumë për violinistin virtuoz, siç shkruante programi i koncertit, përtej deshifrimit që një violinist i bën programit duke kuptuar profesionalisht deri detajet. Në mënyrë paradoksale nuk gjendej asgjë, as në internet, as në ndonjë botim enciklopedik. I vetmi muzikolog dhe i vetmi burim i cili shkroi dhe kujtoi Ludovik Naraçin në gjithë këto vite është z. Zamir Këlliçi. Referuar dhe njërit prej librave të botuar nga z Këlliçi, dhe pikërisht ” Zemra e madhe, botë e ngushtë”, ku përfshihet dhe shkrimi për violinistin, muzikologu bën apel për njohjen dhe thellimin e mëtejshëm të aktivitetit të këtij muzikanti, që kish studiuar në Vjenë e më pas në Pragë, mbante titullin” Violinist Virtuos”, i vlerësuar në Pragë nga i madhi apo legjenda e violinës , Shevcik. Gjithnjë sipas shkrimit të Këlliçit, Odise Paskali në kujtimet e tij me një frazë të vetme lë të kuptohet se harrimi i Naraçit është cmira dhe ambicja shqiptare… Përtej asaj çka ndodhi me Ludovik Naraçin, emër që përmendej nga studentët e tij në biseda kujtimesh personale, një artikulli të shkruar në një të përditshme, askush, asnjëherë nuk shkroi më shumë, për më tepër këtë fakt domethënës të këtij recitali të parë, me vlerë në historikun e interpretimit instrumental e atë violinistik. Madje violinisti vdiq fare vonë , në 1999 ( 1903- 1999) kur ekzistuan të gjithë mundësitë për të bërë shumë e më shumë. Programi i koncertit duket se mbart idenë e një koncerti recital me vlera, të ndarë në tre pjesë, me kohën normale të një recitali sipas një llogaritjeje të thjeshtë të pjesëve te njohura, duke filluan me Corellin, Sarasaden.

Ka një rregull në përcaktimin e programit , fillon me një pjesë, teme me variacione dhe vazhdon me ” Romanza Andaluza” në një shkrirje me virtuozen, midis temave dhe melodive të zgjedhura dhe pjesëve që bëjnë efekt. Pjesa e dytë përfshin Sonatën 12 të Paganinit, Kapricin Vienez te Kreislerit, Melodi nga Brahms dhe në mbyllje Kapricin 13 të Paganinit për violinë solo. Kjo pjesë e dytë avancon me Paganinin, e ajo që bën më shumë përshtypje është Fritz Kreisleri, kompozitori e violinisti austriak. Mjafton të shikosh datën e lindjes në Vienë në 1875 dhe atë të vdekjes në Amerikë 1962, për të kuptuar sa bashkëkohor ishte Naraçi, duke zgjedhur krijmtarinë e një kompozitori që jetonte, duke qenë pranë Vienës dhe arritjeve më të mira të botës violinistike të asaj kohe. Pjesa e tretë përfshin “Marche Turk” të Bethovenit, për të arritur tek e famshmja, e njohura ” Zingaresca” e Sarasades për të përfunduar me një moment më të vecantë, ngjashmërisht në shqip. Violinisti sjell kompozimin e tij në koncert, detaj sinjfikativ, që ndoshta përbën dhe enigmën më të madhe të këtij programi. Për të nuk mund të gjejmë asgjë, përveç titullit “Souvenir de Qor Jakova”. Nuk njohim melodinë, as kohëzgjatjen e kësaj pjese, fati i së cilës nuk dihet, ndoshta e humbur, e pluhurosur diku, e dënuar nga heshtja e kërkimeve ndër vite. Kjo pjesë e kompozuar nga vetë Naraçi, interpretuar si mbyllje e recitalit që dëshmon kulturë e profesionalizëm të shtyn në një tjetër kërkim. Ku gjendet kjo pjesë?

Është viti 1926… Programi i shkruar me kulturë e finesë, me detajim të pjesëve të detyron të besosh dhe për një publik të zgjedhur, për një elitë që e plotëson kuadrin e atëhershëm të integrimit në botën të qytetëruar. Ndosha është i pari, ndoshta është i vetmi, ndosha një fillim në traditën tonë shqiptare të muzikës serioze, pak dritë në Shqipërinë e atyre viteve. Fakti që ka qënë, fakti që ka ekzistuar, fakti që u gjet të çon gjithnjë e më shumë drejt pyetjes.

A jemi të vonuar? A nuk është shumë vonë për tu njohur me të vërteta, kur tashmë kanë kaluar 20 vite nga rënia e diktaturës dhe studiuesit, muzikologët , institucionet që në mënyrë butaforike kanë folur për kërkimin shkencor, integrimin, të meken para fakteve, të mbërthyer në një kohë të vetme nga viti1945 në 1990, duke e kthyer muzikën dhe interpretimin në pjesën më pranë së shkuarës , në ishullin më nostalgjik të shtrënguar me Dekadat e Majit të dikurshme, pa mundur të shohin me vizione të qarta në të shkuarën që daton mes fakteve dhe flet me fakte. A ishte 100 vjetori momenti për të ndrequr të shkuarën, apo politikat në muzikë janë kaq të vakëta sa përmbushen me përfshirjen e individëve në interpretime dhe këtu mbaron gjithcka? Veprave të vjetra për violinë të Kostandin Papajorgjit, Lec Kurtit, Thoma Nasit, Nolit i shtohet virtualisht kjo pjesë e kompozuar dhe interpretuar nga Ludovik Naraçi në 1926 në këtë koncert profesional të një niveli të lartë. A janë pjesë e historisë dhe pasurisë sonë kombëtare, të civilizimit shqiptar, dhe deri kur do heshtet ? Për të gjithë të apasionuarit e muzikës, lexuesit e këtij shkrimi e atyre që kanë dëshirë të kuptojnë më shumë, teknologji e sotme e you tube në internet mundëson një ide të pjesëve të përfshira në këtë koncert recital. Mjafton të kërkoni pjesët sipas rendit në program, të zgjidhni interpretime të vjetra të violinistëve botërorë rreth viteve 1930, për të qënë më pranë Virtuozit Ludovik Naraçi, që përtej mirënjohjes në fushën e pedagogjisë na la këtë dëshmi me vlerë të interpretimit muzikor në jetën shqiptare e atë violinistike.

Please follow and like us: