Viron Kona: Spiunët
U sillte lumturi spiunimi,
profesionalizmi i fshehtë,
me talent si merimangat,
futnin viktimën në rrjet!
Çaste kënaqësie kalonin,
kur “viktimën” piketonin,
si hije nate e përndiqnin,
lloj-lloj “faktesh” sajonin.
Pareshtur kurthe ngrinin,
bisedonin vesh më vesh,
viktimën si ta gjurmonin,
si ta futnin atë në “thes!”
S’pranonin dita t’u ikte,
pa spiunuar një viktimë,
po qe se kështu ndodhte,
ajo ditë quhej dështim!
Në ditët që erdhën radhë,
me sukses bashkëpunuan,
kur njëra ditë u doli bosh,
njëri – tjetrin spiunuan!
Please follow and like us: