Albspirit

Media/News/Publishing

Ëngjëll Zotaj na la shpirtin e tij poetik

 

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Vepra poetike që shkroi në jetë

Ëngjëll Zotaj këto ditë shkoi në parajsë, por na la shpirtin poetik të tij të botuar në dhjetë libra, si dhe mjaft poezi ende të pabotuara. Në vëllimin e parë poetik të tij poetët Bardhosh Gaçe dhe Lirim Deda kanë shkruar se “shpesh tek labërit ndodh që malli bëhet këngë në buzët e tyre nëpër udhët e jetës… Kështu ka ndodhur edhe me mikun tonë, Ëngjëll Zotaj nga Ramica e Vlorës, që jetonte në qytetin e Elbasanit.

Emri i tij është bërë i njohur në shtypin e kohës nga poeti ynë i shquar Xhevahir Spahiu, kur shkroi reportazhin me titullin: “Në gjunjë i pagjunjëzuar” në radhët e të cilit nënvizon: “Ndodhesha përballë me një njeri jo të zakonshëm. Ai po delte nga hyrja e tunelit. Dhe nuk ecte siç ecin gjithë njerëzit e kësaj bote. Ecte në gjunjë. Mbështetur mbi dy shkopinj të drunjtë. Nën vete tërhiqte dy këmbët e paralizuara. Sytë e tij të mëdhenj rrezatonin një dritë që mund ta shquaje së largu. Ai qëndroi. Ashtu i palëvizur të krijonte përshtypjen sikur kishte mbirë nga të çarat e dheut. Përkrah tij ecnin një grup pleqsh veriorë, të gjatë dhe fokëthinjur. Pas shpine, gryka e tunelit që nxinte. Njeriu pa këmbë sikur po dilte nga legjendat e lashta…”.

Portretizimi i Ëngjëll Zotaj në vëllimet e tij është shfaqur me drita të ylberta mes gurgullimave të zërit të tij polifonik, në vjershërimet e thurura e të përmbledhura që nga vëllimi i parë me titull “Më merr malli për Smokthinën” deri tek i dhjeti “Shqipëria”, janë vëllime poetik brenda të cilavë ka mall, dufe, kujtime, homazhe e mbi të gjitha një pikëllim e dashuri që ringjall fëmijërinë e tij dhe udhët e vështira të jetës. Fuqia e fjalës poetike, gjithë vargu, i mbrujtur me mendime e figura artistike, ravijëzohet denjësisht në konceptimin e poetit. Pothuajse në tërë vëllimin poetik na shpaloset peizazhi malor i Smokthinës, mali i Çipinit e vargmalet e tjerë, që herë-herë duken si labër që ecin nëpër legjenda. Nga këndvështrimi i tij estetik ai jep jetën epike e lirike të banorëve të kësaj treve gjëmimmadhe në jetën shqiptare, luftëtarët, dëshmorët, trimat e stanarët, të cilët kalojnë para syve dhe ulen nëpër sofrat e kuvendeve të Labërisë.

Duke lexuar këto vjershërime të tij në këto vëllime poetike, të duken si këngë që këndohen në mënyrë polifonike nga smokthinjotët. Në këtë shtrat ka ecur muza e Ëngjëll Zotaj, duke i kënduar vargjet e tij më vete një jetë të tërë, por nga ana tjetër, këto këngë ai i ka shkruar me shumë me shpirtin e tij poetik dhe me zemrën e tij të bardhë… Familja Zotaj në Smokthinë vazhdon të jetë një vatër e nxehtë atdhedashurie, motivet patriotike shfaqen pothuajse në çdo varg të këngëzimit të tij. Midis të tjerave, në këto vëllime poetik shpaloset bukur bota dhe psikologjia e fshatarit lab, jeta e tij në shërbim të shoqërisë dhe të Atdheut.

Vjershërimet e Ëngjëll Zotaj nëpërmjet konkretësisë së tyre, fitojnë një fuqi shprehëse të veçante me nota meditative. Mesazhi artistik dhe imazhi që krijojnë figurat poetike, tablote, ngjarjet, situatat e bëjnë poezinë edhe më të ndjeshme duke prekur ndjenjat e lexuesit.

“Enciklopedia e Vlorës” për poetin

Në “Enciklopedinë e Vlorës” të shkruar nga prof. dr. Bardhosh Gaçe ka zënë vend dhe një zë me emrin Ëngjëll Zotaj: lindi në fshatin Ramicë, më 15 prill 1944. Pas mësimeve në vendlindje, kreu shkollën e mesme Teknologjike në Tiranë, 1966, si dhe Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiraneë, dega Financë, 1972. Punoi si ekonomist në Smokthinë, komandant në aksionin kombëtar të rinisë, në hekurudhën Elbasan-Prrenjas, Laç-Lezhë-Shkodër dhe Fier-Vlorë, si dhe ekonomist në Ndërmarrjen e Hekurudhave të Shqipërisë. Ka botuar publicistikë dhe poezi në gazetën “Zëri i Rinisë” e “Drita” qysh në vitet ’70 të shek. XX. Krijimtarinë e tij poetike e përmblodhi në vëllimet: “Me merr malli për Smokthinën” 2001, “Lere portën hapur” 2004, “E vogla sa një ftua” 2005, “Me zemrën mos luaj” 2006, “Letër gruas” 2007, “Sa të shkrije bora në male” 2008, “Thëllëzat e malit vinë” 2009, “Mos harroni” 2010, “Hiri i vatrës më thërret” 2014, “Shqipëria”2015.

Fjalët që bënë ngushëllimin

Ai u përcoll thjeshtë, por në fjalën e lamtumirës u lexuan fjalët e shprehra nga njerëz që e kanë njohur, takuar, dëgjuar për Ëngjëll Zotaj. Të tilla ishin ngushëllimet:

Valdete Lekaj” “Ngushëllime është fjala më e pakët që mund të shpreh për vëllain tuaj që s’kishte këmbë, … por kishte krah e fluturoi në të gjitha skajet e Shqipërisë për ta lulëzuat atë! Por, në të njëjtën kohë Ëngjëlli, ishte në rolin e vëllait, mikut, prindit në atë hyrje pallati, që e ktheu, për mua dhe për çdo Smokthonjotë që studioi në Elbasan, në një hotel me 5 yje, me bujarinë, mikpritjen, baballëkun dhe urtësinë e tij”.

Elidiana Canaj: “E kam njohur nga hekurudha vëllain tuaj! Ishte sfidues mbi mungesën e këmbëve! Sillej si gjithë të tjerët dhe ishte i zoti në punët që bënte”.

Idajet Sejdiaj: “Ngushëllime ty dhe gjithë familjes së madhe Zotaj për humbjen e parakohëshme të Ëngjëllit të dashur, gojëëmbël, të zgjuar, por mbi të gjitha hallemadhit të sakrificave të shumta”.

Sejmen Gjokoli: “Keqardhje edhe për ne miqtë e tu që kemi jetuar me heroikën dhe vitalitetin e vëllait tuaj të dashur, personazhit të famshëm të reportazhit të Xhevahir Spahiut, “Në gjunjë i pa gjunjëzuar”. Ne aso kohe ishim fare të rinj dhe veprimtaria e tët vëllai u bë udhërrëfyese për punë të mira për shoqërinë e për Atdheun. Ja pse Engjëlli juaj, i Ramicës e Labërisë do të mbetet për jetë i pa harruar me kujtimin e tij të ndritur”.

Shpendi Topollaj: “Keqardhje për humbjen e vëllait tuaj të dashur dhe me vlera të spikatura njerëzore dhe intelektuale! Ngushellime dhe te rroni gjate e ta kujtoni. Ai tregoi se vlerat e njeriut nuk qëndrojnë te këmbët, por të koka dhe shpirti i tij.

Jorgo Qirko: “Lexova ç’thotë “Enciklopedia e Vlorës” për vëllain tuaj dhe u mahnita nga forca e shpirtit të tij”.

Pëllumb Gjonbrati: “Ngushëllime familjes Zotaj kudo ku janë për ndarjen nga jeta Të Engjëllit! Jeta e tij ngelet burim frymëzimi për vullnetin e manifestuar prej Tij, për dashurinë për Jetën, për kontributin e dhënë për shoqërinë”.

Leto Rroka: “Ngushëllime familjes Zotaj, për humbjen e një njeriu me vlera të rralla. Ëngjëll e kishte emrin, ëngjëll e kishte skalitur natyra”.

Thanas Tane: “Në gjunjë i pagjunjëzuar, ky burrë e ka bërë denjësisht historinë e jetës tij. Shembulli i tij na tregon se “gjymtyra” kryesore e njeriut është shpirti”.

Liri Mullaraj Beqiraj: “Ka qenë nxënës në Teknikumin Ekonomik “Nako Spiro” Tiranë, e kam njohur nga afër, nxënës i shkëlqyer”.

Pëllumb Dervishaj: “Të gjithë Zotajve, ngushëllime për humbjen e Vëllait tuaj, Engjëllit. Një shembull i rrallë, Karakteri dhe Dinjiteti është e tërë jeta e tij që mbyllet sot. Për ne që e njihnim si djalë Ramice na lë një boshllëk. Në parajsë shpirti i Ëngjëllit”.

Ansambli Folklorik “Çipini”: “Ëngjëlli ndëroi jetë,/ Si kish emërin, ish vërtetë,/ E përciellin për xhehnet,/ Ëngjëjt edhe Melaqetë…”.

Vjollca Zeneli: “Lamtumirë Engjëllit që ishte vërtetë Engjëll. Ai nuk ishte vetëm punëtor dhe veprimtar, ai ishte një hero i madh që dhe në gjunjë nuk u përgjunj kurrë. Ngushëllime Letës, fëmijeve dhe juve Nuk do të e harroj kurrë Engjëllit dhe shakat e tija”.

Pajtim K Musaraj: “E kam njohur e vlerësuar Ëngjëllin kur ishim në 7 vjeçaren e Ramicës dhe vitet në vazhdim… rrugët e jetës na ndanë. Njeri me vullnet të çeliktë që mposhti të metat fizike me kalitje dhe intelekt superior. E krahasoja me Aleksandër Meresjevin, që ju prenë këmbët në avion dhe ai u ringrit dhe arriti të pilotojë rishtas”.

Shezai Zotaj: “I pa harruar qofsh Ëngjëll vëllai. Nuk të pengoj mangësija fizike që ti të jesh në jetë ndër më të mirët dhe ndër më të zotët midis tyre. Ti shkëlqve kudo të hodhën dallgët e jetës. Ti ke qenë shëmbëlli më i mirë për fisin tonë dhe shoqërin për sakrificat e tua në jetë”.

Gjergji Velo: “Lajmi mbi ndarjen nga jeta të Ëngëllit na hidhëroj. Pranoni ngushëllime të veçanta nga Kryesia e Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ-it dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut dhe nga ana ime. Si degë në familjen Zotaj që frymzim për gjithë Shqipërinë që i pari që jetën e kish në dorë duke bërë më të mirën për vehte, për shoqërinë për Shqipërinë në ndërtimin e veprave të papara ndonjëherë. U prehtë në paqe duke marrë me vehte nderimet e familjes, të shokve të fakulteteve, të shokve të punës, të atyre që e njohën nëpër veprat e mëdha; të Vlorës e Labërisë, të Shkodrës dhe Veriut, të Elbasanit dhe Tonën si Organizatë e ngritur nga loti dhe gjaku i ballit të djemve dhe vajzave; i burrave të Shqipërisë. Me nderim të madh për vëllain që u nda nga familja me zë të gjithë Vlorës”.

Në fund u lexua dhe poezia e Ëngjëllt me titull “Një nga një shkojnë”, ku shkruan: …Lamtumirë, o mote,/ Bëtë punën tuaj,/ Asnjë bir i kësaj toke,/ Për jetë s’ka qëndruar.

Please follow and like us: