Një urim për të shkuarën dhe të sotmen e Ksanthipi Bufit
Nga Bashkim Koçi
Veterania Ksanthipi Bufi mbushi 95 vjeç. Ajo u lind më 6 dhjetor të vitit 1928 në lagjen Stane të qytetit të Lushnjes ku do të kalonte një fëmijëri të vështirë. Por ajo vajzë me plot energji dhe e dashuruar me jetën përdori si busull orjentuese sentencën “më mirë e varfër se e padijshme”. Ai që ka patur rastin të lexojë jetëshkrimin e Ksanthipi Bufit, i bëhet “e pabesueshme” sesi një vajzë e mbetur jetime që kur ishte vetëm katër vjeç, të mund të këtë patur aq “fat” për të arritur deri këtu, në këtë çast të jetës, të cilit i belbëzon nga thellësia e shpirtit: Unë kam jetuar, e përshkova më shumë sukses rrjedhën që më kish caktuar Fati.
Unë nuk mund të hedh dot në këto pak radhë ekstraktin e jetës të kësaj zonje, madje e kam të pamundur, por nëse e shikojmë nga një këndvështrim tjetër, atë të dhënies të informacionit sesi prindërit tanë, pra plejada e vërsës së kësaj nëne, kanë mundur të realizojnë “të parealizueshmen”, ia vlen të thuhet diçka. Ksanthipi Bufi, falë dhuntisë së saj për të studiuar, falë zellit për të qenë “e para ndër shoqe”, iu hapën të gjitha rrugët të ishte e përzgjedhura për të vijuar shkollimin atje ku mund të arsimoheshin vetëm parallinjtë, sëra e Familjeve të Mëdha. Po si kështu, ç’ndodhi me Ksanthipin, vajzën nga qyteti i Lushnjës, e cila jetonte në një shtëpi të shtruar e lyer rreth e rreth me baltë, që nuk kishin as bukë për të mbajtur shpirtin gjallë? A mund të kishte shans vajza “e para ndër shoqe” të mund të shkollohej, ashtu si edhe ëndërronte të bëhej në mes të kësaj skamjeje? Po ja që edhe fukaresha e vogël na e paskësh pasur një “pasuri”. Ajo tregon se mësuesi i saj, Esat Libohova, një burrë i moshuar e patriot i madh, nuk kish lënë derë të organeve të pushtetit të atëhershëm pa trokitur, deri në Ministrinë e Arsimit, për t’ja arritur qëllimit që nxënësja e tij, “e shkëlqyera në mësime”, të mos humbiste, të mos “i thahej shpirti”, duke mos u shkolluar.. Dhe i doli e drejta e studimit për në qytetin e Shkodrës, në një nga shkollat më me emër të asaj kohe, “Donika Kastrioti”.
Nga jeta konviktore, mes 60 vajzave të tjera, ajo nuk harroi kurrë ndihmën që u dhanë në ata vite të vështira të mbarsura nga lufta e Dytë Botërore, ndihmën prindërore të disa familjeve me emër të Shkodrës si Kumbaro, Juba, Xhabija, Jubani, Sereqi etj. Ishte viti 1940 kur shkolla u mbyll e djemtë e vajzat e moshës së Ksanthipit u bashkuan me formacionet partizane, apo u bënë pjesë e frontit nacionalçlirimtar.
Në vitin 1945, menjëherë pas çlirimit, u hapën shkollat, por ajo tashmë ish krejt “e çorientuar”. Ndaj “vrapoi” drejt aksioneve për rindërtimin e vendit dhe ngritjen e veprave të reja nga pushteti popullor. Do të ishte po ky vit që ajo të regjistrohej si e jashtme në shkollën pedagogjike “Nëna Mbretëreshë”, në Tiranë. Ksanthipi kujton, jo pa emocion, edhe pse kanë kaluar dhjetëra vjet, që të drejtën për të vazhduar shkollën me bursë nga shteti ia dha Enver Hoxha në tetor të vitit 1946, ditën kur ai ndau tapitë e para të Reformës Agrare në fshatin Gorre, në Lushnje. Kam qarë me lot nga gëzimi, tregon e moshuara 95 vjeçare, kur Enveri i dha porosi të prerë ministrit të arsimit të asaj kohe, Bedri Spahiut, që të kujdesej për mua.
Në rininë e saj, atëherë kur duhej, e lidhi jetën me një ndër luftëtarët më të zotë dhe idealist, djalin fierak, Sokrat Bufin, i cili u nda shumë herët nga jeta, vetëm 36 vjeç, duke e lënë Ksxanthipin 28 vjeҪarë më katër fëmijë jetimë. Ajo punoi shumë vjet, deri sa doli në pension, në detyrën e drejtoreshës të konviktit të shkollës pedagogjike “Janaq Kilica” në Fier, ndër më të mëdhatë e më të suksesshmet në shkallë vendi. Vitet e mëpastajme e deri më sot veterania Ksanthipi Bufi mbetet një veprimtare e shquar, duke dhënë kontributin e saj të vyer në mbrojtjen e vlera ve dhe të simboleve të LANҪ.
Please follow and like us: