Dr. Vlora Obertinca: Mendoni bukur, që ta jetoni jetën bukur!
“Mendimi ynë është komandanti suprem që u jep urdhëra ushtrisë triliardëshe të qelizave të organizmit tonë për t’u shëndoshur apo për t’u sëmurë“, Dr. Vlora Obertinca.
Gjeneratat tona ishin edukuar se paratë nuk gjenden në rrugë, se duhet të punohet dhe të mësohet shumë për të pasur të ardhura mesatare për të jetuar një jetë të rëndomtë. Askush nga mësuesit apo profesorët në shkollë nuk diti të na mësonte si të dilnim nga kjo “kuti” negative e të menduarit dhe e të perceptuarit të jetës, madje e përforconin edhe më shumë frikën dhe luhatjen tek ne si fëmijë, në vend që të ndodhte e kundërta. Nuk dinin të na mësonin se si të kemi kurajë dhe të mendojmë pozitivisht, në mënyrë që të mund të mposhtim çdo situatë të papritur negative, cilado qoftë ajo në jetë. Çdo këshillë ishte përcjellë me dozat e frikës së tyre, që e kishin mbledhur dhe e kishin përcjellë prej gjeneratës në gjeneratë deri te ne më të vegjëlit.
Askush nga rrethi ynë nuk dinte se si të na e thjeshtësonte kuptimin e jetës së përditshme, si një formulë shumë e thjeshtë: “Mendoni bukur, që ta jetoni jetën bukur”.
Të dashurit e mi çelësi i çdo suksesi dhe i mirëqenies buron nga mendja jonë. Andaj, zgjedhni mendimin e bukur dhe mposhtni frikën sepse edhe jeta mund të jetohet gjithqysh, varësisht se çfarë mendimesh zgjedhni. Shtypni butonin e mendimeve pozitive sepse e keni në dorën tuaj!