Albspirit

Media/News/Publishing

Ilirian Zhupa: Për librin me poezi të Ersid Karajt, “Pengjet e kujtesës”

Parathënie 
As sot e kësaj dite nuk jam takuar personalisht me poetin Ersid Karaj. Herën e parë që rashë në kontakt me poezitë e tij në dorëshkrim, ishte në fillim të vitit 2019, kur Ersidi ishte ende nxënës në shkollën e mesme. Profesori i tij, bashkëstudenti dhe miku im prej më shumë se dyzetepesë vjetësh, Adriatik Petrela, më kishte nisur një cikël me poezi të Ersidit, për t’i ofruar nxënësit të vet, një mendim sa më profesional për rrugëtimin e mëtejshëm poetik. Gjithmonë më ka pëlqyer dhe e kam bërë me qejf njohjen dhe ndihmën për rishtarët dhe punëtorët e rinj të letrave, qysh nga koha që punoja si redaktor te gazeta “Zëri i rinisë”. Në përmbyllje të letrës që i nisa Adriatikut, mbasi i lexova poezitë e Ersidit, mes të tjerash, i shkruaja: “Ersidi është një rast që duhet përgëzuar dhe që nëse do punojë, nuk do e ketë vështirë të afirmohet”. Dhe vërtetë brenda atij viti, Ersidi publikoi librin e tij të parë me poezi me titullin “As në qiell, as në tokë”, që u prit mjaft mirë nga publiku.
Libri i ri “Pengjet e kujtesës”, që Ersidi po i paraqet lexuesit, është pa dyshim një stad i ri në krijimtarinë e tij. Në vargjet e këtij libri, ka më shumë shqetësim e dashuri, më shumë sinqeritet e dhimbje, më shumë qëndresë e brishtësi, më shumë fëmijëri dhe burrërim e si rrjedhojë, më shumë figuracion e ndjeshmëri artistike. “Ti hyre në jetën time si ëndërr në mesnatë,/Mes prekjeve të buta, mes dheleve të ngrohta./Godite në zemrën time me shpatë të zjarrtë,/Imazhet e turbullta dhe fjalët e ftohta./Tani pres të zgjohem nga ëndrrat e mesnatës,/Dhe të të gjej në brendësinë e fjalës.” Kjo është poezia “Ti”, që vetëm me gjashtë vargje, rreth dyzetë fjalë, si një prizëm gjashtëfaqësh i cili na tregon lëvizjen, ëndërrimin, kënaqësinë, përkujdesjen, goditjen e vetvetishme të dashurisë, hutimin dhe shkrirjen e akujve të fjalëve, pritjen për të bindur veten dhe botën dhe për t’ia dhuruar lexuesit gjithë këtë vorbull përjetimesh, të kondensuar në brendësinë e fjalës poetike. Një rrëfim, një metaforë e plotë, njëqind ngasje e përjetime, që e shoqërojnë për shumë kohë lexuesin e vëmendshëm.
Kur poezia është e realizuar mirë, kur ajo krijon një “trup”, një njësi, një univers, që lind dhe vdes sipas ligjeve të veta, një organizëm të gjallë që frymon, regëtin, mbijeton e shuhet për t’u rilindur sërish, për të nuk mjafton as një libër i tërë, që ta zbërthesh, shpjegosh e analizosh. Ka shumë të thëna e teori për artin e krijimit. Përgjithësisht, ato përpiqen ta shpjegojnë artin, ashtu siç shpjegojnë shkencën. Ato na kanë ngulitur në mendje, se nga një pikë jashtë një drejtëze, mund të hiqet një dhe vetëm një vijë paralele, me drejtëzën ekzistuese. Në pikturë, në muzikë, e ca më shumë në poezi, mund të hiqen dy, tre, treqind e më shumë “paralele”. Sa më i madh të jetë numri i “paraleleve”, aq më e madhe është fushpamja e çfaqjeve dhe përjetimeve që merr dhe jep lexuesi, i cili përcakton edhe jetëgjatësinë e krijimit. Poezia “Ti”, të cilën e mora si shembull më lart, është një krijim që për mua heq shumë paralele.
Një koncept tjetër, që dua ta cek në këtë parafjalë, është edhe mënyra e plotësimit të pazëllit poetik, nga vetë poeti. Ndryshe nga shkenca, muzika, proza, etj, poeti plotëson me të gjitha botimet dhe librat e vet, një pazëll, i cili përbën “Librin” e jetës së tij. Pa dashur të merrem me stilin shumë të zhvilluar në diskutimet tona, ku për çdo botim e autor flitet për kryeveprën, për librin që po lexoj mund të them vetëm kaq: -Ersidi, me këtë botim të ri, është në rrugën e suksesshme dhe të vështirë të ndërtimit të pazëllit të tij poetik.
“Pengjet e kujtesës” që lexuesi po merr në dorë, nuk është një produkt inxhinierik, nuk është një formulë apo një algoritëm. Libri është një produkt i gjallë që vjen nga jeta, përvoja dhe leximet e Ersidit. Siç e thotë edhe vetë, ai nuk është një “bimë” e selitur në kushte ideale, por është një shpërthim i vetëvetishëm i qenies që di të rrezistojë e të mbijetojë e shëndetshme. “Unë jam një peng në vetminë e kujtesës,/Si zog pa strehë fluturoj mes qiejve./ Me sytë e verbuar dhe krahët lidhur,/Kërkoj njeriun e fshehur mes ëngjëjve.” (Poezia “Pengjet e kujtesës”). Por e ka vështirë ta gjejë Njeriun, sepse njeriu e ka shitur lirinë e vet, “Lirinë e shitëm./Si zogj shtegëtarë nëpër botë ikëm,/Me zemër të ngurtësuar e njëkohësisht të vrarë,/ E shitëm…e shitëm.”.(Poezia “Liria”). Po edhe kur nuk e kemi shitur vetë, duke mos na llogaritur kush si aksionerë, të tjerë e shesin lirinë dhe të ardhmen tonë. “Ja, e nesërmja erdhi, por nuk është prapë imja,/E njejtë si e djeshmja, rri diku brenda meje,/Me vrapin e hedhur mbi lëkurën intime,/Kërkoj me ngut veten brenda teje./Nuk e duroj dot veten të larguar nga vetja…..” (Poezia “Jeta ime nuk është me imja”).
Përpos dhimbjes që përbën thelbin e librit, e cila duket se është e brendshme, jo e shtirë dhe artificiale, e rritur me autorin bashkë me fëmijën e trishtë, në poezinë e Ersidit ka një zhgënjim e humbim, të cilët bëhet lokomotiva e zbulimit të pjesës së brishtë, të dridhshme e të ndritshme të jetës, që di të mbijetojë edhe në mes të vështirësive. Në poezi, përgjithësisht trishtimi lind fara poetike dhe përsiatje filozofike e njerëzore jetëgjata. Pikërisht deziluzioni, mungesa, humbja e njeriut të dashur, e bëjnë poezinë e tij edhe më humane, më me dritë.“E kam ditur ikjen tënde,/Kur dorën time hiqje enkas nga supet, bashkë me gjethet”, ose “Po unë çfarë të bëj kur bie mbrëmja,/ Kur yjet më shfaqen të bukur si ti?”, e më tej “Më duket sikur ke shekuj,/Që të mbaj të fshehur nën lëkurë”., “Brenda meje dëgjohen/ zhurrmat….”.
Për të mbyllur këto rradhë të këtyre shënimeve, që ndoshta nuk do të mbyllen dot këtu, së fundi, dua ta përgëzoj autorin për sistemin e tij të referencave nga përpiqet të mësojë artin e vështirë të vjershërimit. Ai ka një orientim të qartë që të lexojë si mentorë poetët më të mirë të letërsisë shqipe. Por, duhet ta zgjerojë e thellojë më tej rrethin e tyre, e në mënyrë të veçantë, të zgjerojë e thellojë kërkimin e njohjen e poetëve dhe poezisë së madhe botërore.
Please follow and like us: