Albspirit

Media/News/Publishing

Sakip Cami: Një roman jo shumë i njohur i Mustafa Greblleshit

“Gremina e dashunis”, një roman jo shumë i njohur i Mustafa Greblleshit.

Shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare duke ju referuar këtij autori dhe këtij romani thekson se nxjerrja nga mjegulla e letërsisë së lënë në harresë, përveç anës emocionale, në rastin shqiptar është pjesë e një akti madhor të dorës së parë në krejt historinë e kombit.
“Gremina e dashunis” është botuar për herë të parë në vitin 1940 nga ShB Ismail Malosmani, ribotuar në vitin 1943 dhe më pas nuk e njohu dritën e botimit në Shqipëri, ndërsa është botuar e ribotuar gjashtë herë në Kosovë.
E porosita nëpërmjet internetit dhe më erdhi me postë nga Kosova, nga ShB Dija…
Kritika letrare në Shqipëri e ka renditur këtë roman te letërsia sentimentale e autorëve të viteve 30, përkrah romaneve “Pse” të Sterjo Soases, “Lulja e kujtimit” e Foqion Postolit.
Por a është romani “Gremina e dashunis” thjesht një roman sentimental ?
Kadareja në parathënien e librit me kujtime 1939-1944 të Greblleshit e quan këtë roman një roman të bukur dashurie.
Unë mendoj se romani nëpërmjet dashurisë së pamundur dy të rinjve liceistë Memlit dhe Margaritës i bën një skaner tërë sistemit të kohës dhe konkretisht regjimit të Mbretit Zog, të ardhur pas 500 vjetësh sundimi otoman e obskurantizmi të skajshëm.
Ngjarjet zhvillohen në vitet 30. Autori ka zgjedhur si mënyrë të treguari ditarin e Memlit, një djali të ri tiranas që jeton në konvikt dhe mëson në një lice në jug të vendit.
Memli që në vitet e para të jetës së tij goditet nga një ngjarje e rëndë familjare dhe shoqërore. Babai i tij në zemërim e sipër, i fyer, vret një bashkëfshatar të tij.
Pra romani fillon me fenomenin e vëllavrasjes dhe të gjakmarrjes. Aliu. i biri i viktimës, moshatar dhe shok i Memlit ndodhet gjatë gjithë kohës nën presionin e opinionit negativ të fshatit e familjes për të marr hak e për të vrarë Memlin, shokun e tij, pasi i jati i Memlit vdes nga stresi e mërzia.
Memli në lice njihet me Margotin, siç e thërrisnin shkurt Margaritën, të bijën e Vangjos, të një tregtari nga ky qytet.
Por pengesë për këtë dashuri të zjarrtë del ndasia fetare. Një vajzë ortodokse nuk e kishte të lejuar të martohej me një djalë mysliman në ato vite.
Autori nëpërmjet dashurisë së këtyre të rinjve trajton edhe temën e ndasive fetare që egzistonin realisht.
Ja pra ç’na bëri pushtuesi otoman në 500 vjet, mediton Memli, na ndërroi fenë, na përçau, na la pa shkolla shqipe, pa dije.
Në lice në shoqërinë e shoqes së bankës Margaritës, që është e dashura e tij që i ka premtuar jetë të pandarë deri në vdekje, në konvikt në shoqërinë e shokëve, Memli gjen qetësi shpirtërore dhe harron hallet që e prisnin, nëna e sëmurë dhe motra analfabete në fshat, Aliun që e priste te gremina në të hyrë të fshatit me pushkën për syri.
Dashuria dhe respekti i nënës së Margotit për Memlin nuk mjaftoi pasi i jati, Vangjo nuk e miraton këtë martesë. Ai i sinjalizuar nga një kushuri i tij, ushtron presion tek drejtoria e konvktit dhe Memlin e përjashtojnë nga konvikti duke gjetur si shkak sëmundjen dhe kurimin e tij në spitalin e qytetit pa dijeninë dhe miratimin e drejtorisë së shkollës dhe konviktit.
Memlit i vdes nëna dhe motra shkon për të jetuar te xhaxhai.
Margoti sëmuret dhe shkon për kurim në Itali. Ajo refuzon martesën me Kiçon, magazinjerin dhe njeriun e besuar të të jatit dhe vajtjen me të në Greqi.
Memli i dërrmuar dhe i shkatrruar kthehet në fshat.
Në përpjekje për të vrsrë vehten te shkëmbi i greminës së fshatit të tij, një plumb tjetër i dalë nga pushka e Aliut në pritë i merr jetën.
Margoti e shëruar sapo zbret nga vaporri në Durrës, para se të shkojë në shtëpinë e saj, merr rrugën për në fshatin e Memlit, duke vendosur lule në varrin e tij dhe duke i premtuar se ai do të jetë dashuria e vetme e saj në jetë të jetëve.
Një fund pesimist, deri diku fatalist, por realist në ato vite të vështira që kalonte i gjithë populli shqiptar.
Në këtë vështrim do të thoja se ky roman është një sintezë e gjendjes ekonomike e sociale të viteve 30, për njohjen e së cilës brezat kanë nevojë.
Kanë kaluar 80 vjet, nga këto 30 vjet demokraci dhe asnjë shtëpi botuese në Shqipëri nuk e ka botuar, në një kohë kur në Kosovë është botuar e ribotuar 6 herë.
Harresa të tilla janë të dëmshme dhe të pafalshme.

Please follow and like us: