Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Poezi që rrjedhin si ujvarë

 

Në poezitë e tij ka qëndresë dhe burrëri

Gjithmonë më ka pëlqyer dhe e kam bërë me qejf njohjen me njerëz nga treva të ndryshme të Atdheut, kur më thërrasin për një takimnjohje. Shumë vonë u takova me Hamit Toçin. Herën e parë që u takova, kur më pruri poezitë e tij në librin “Ujvarë kujtimesh”. E lexova me endje poezitë e një jete të shkruar me ndjenjë dhe dashuri të madhe për vendlindjen dhe për njerëzit.

Hami Toçii është një poet që duhet përgëzuar dhe përshëndetur. Libri “Ujvarë kujtimesh”, që Hamiti ka paraqitur para lexuesit, është pa dyshim një arritje dhe guxim në krijimtarinë e tij. Në vargjet e këtij libri, ka shumë dashuri, por dhe shqetësim, ka shumë sinqeritet dhe dhimbje, ka shumë qëndresë dhe burrëri, gjendet figuracion dhe ndjeshmëri poetike. “Si avujt reshë u shpërndanë/ gjithandej mendimet,/ dhe ngjitet përpjetë/ për të peshuar mendimet…”. Kjo është poezia “Mendimet”, që vetëm me dy strofa, rreth njëzetë e tetë fjalë, si një kubik na tregon lëvizje, ëndërrime, mendime, përkujdesje, shkrirje të akujve të fjalëve, pritje për të marrë vendime, i ka dhënë lexuesit një vorbull avujsh dhe përjetime, për të marrë vendime, në brendësi të fjalës poetike. Rrëfimet, metaforat, përjetimet, të shoqërojnë gjatë gjithë leximit të poezive të cilat lexuesit të vëmendshëm, i ngjallin kujtime…

Për poetët, kur poezia është e realizuar mirë, krijon një mjedis i cili të tërheq dhe nuk mund të largohesh shpejt prej tij. Kështu në poezinë “Për poetët”, autori shprehet se “vendi i krijuar enkas për poetët,/ ku bukuritë flenë në çdo gur,/ veç te ti kanë kuptimin ditët e netët,/ në gjirin tënd gjithëherë”.

Janë shumë të thëna në teori për artin dhe krijimin, gjithkush përpiqet ta shpjegojnë artin, duke ngulitur në mendje, se poezia shëron dhe jep shpresë. Ndaj dhe poezitë që vijnë njëra pas tjetrës plot 102 të tilla në këtë libër krijojnë një fushëpamje të shfaqjeve dhe të përjetimeve që jep autori, por dhe të atyre që merr dhe jep lexuesi, i cili përcakton dhe frymëzimin e krijimit. Poezitë e krijuara nga Hamit Toçi, janë krijime që të krijojnë shumë fushëpamje për njeriun, vendin, virtyete dhe dashurinë për jetën.

Një risi e re për mua gjatë leximit të poezive është dhe mënyra e shtjellimit poetik, nga vetë poeti. Kështu poeti na plotëson me të gjithë botimet dhe librat e vet, një peisazh real i cili sjell dhe “librin” e jetës së tij. Nuk po merrem me stilin e të shkruarit, por po theksoj se ky libër me poezi tregon një rrugë të vështirë, por në ngjitje të malores në ndërtimin poetik të vet autorit.

“Ujëvarë kujtimi” që lexuesi ka në dorë, pra libri është një produkt i gjallë që vjen nga jeta, përvoja dhe puna e palodhur për të dashuruar jetën dhe profesionin. Siç e thotë dhe vetë, autori se “Qiejtë shpërthejnë dete idili,/ toka e veshur e gjitha me thesre,/ mes të përditshmes ulet trilli,/ poetika shkon në rrugë të madhe…”, pra poezia e tij është një shpërthim i brendshëm i qenies së tij, për të dhënë shpresë, rezistencë dhe të jetojë shëndetshëm.

Poeti nuk e ka të vështirë të gjejë njeriun, sepse njeriu nuk e ka shkelur flamurin e vendit të tij, “Mendja, zemra te flamuri rrin,/ nuk e shkel me këmbë,/ simbolin e vendit tim….”. Shqiptarët gjithmonë kanë shtegëtuar në botë, për dituri, për mësim, për punë dhe për jetesë, por kudo, në dhe të huaj, janë treguar guximtar, sepse nënët shqiptare dinë të lindin trima, sepse koha dhe brezat i kanë lidhur te kënga.

Poezi me jetë, gjallëri, këngë…

Tek poezia “Urxulla ime”, autori shprehet se “Urxulla e shtrirë në një lugimë,/ e mbështjellë me jehona historie,/ të ndodhurat të stolisin si rubinë,/ në shtigje të therpisura lirie…”, vjen qartë dashuria për vendlindjen, që e do dhe e kërkon me të gjithë bukuritë dhe trimëritë e saj në shekuj, që edhe pse vend i therpisur, në shekuj ka përcjellë dashuri, qëndresë, bujari, histori dhe këngë me çifteli.

Në poezinë “E, moj fjala ime…” ndërton “rendi brenda rendit,/ nuk është teori,/ është një realitet,/ i trishtë në plici…”, poeti ka dhimbje që përbën dhe thelbin e disa poezive në libër, të cilat jantë të brendshme të profesionit, nuk janë boshe, por janë të rritura me autorin bashkë. Ai nëpërmjet poezive të trishta, të një zhgënjimi apo humbje të një polici, na zbulon pjesën e brishtë, të dridhshme, por dhe të mbingritjes e të ndritshme të jetës, ku vet pozicioni dhe profesioni e bëjnë që autori të mbijetojë dhe në mes të vështirësive. Në poezitë e tij, ka trishtim, ka emocion, ka vrull poetik ka dashuri për jetën njerëzore. Pikërisht në disa poezi si në “Orët e krimit”, apo “Lumenj gjaku” autori bëhet njësh me ngjarjen dhe futet në thellësi të saj si “…krimi në hapësirën e shkretë/ është i pabesë, vrastar, tinza…” apo “Policia me shpirt e zemër/ në betejat me vështirësitë,/ t’u përballur situata të mëdha/ shkruan në letër historitë”. Në mjaft poezi shprehet deziluzioni, mungesa dhe humbja e njeriut të dashur, gjë që e bëjnë poezinë e tij dhe më humane, më me dritë dhe jetë.

Në poezitë e tij ka jetë, ka gjallëri, këngë dhe ato do të jetojnë gjatë, sepse aty është familja, policia, fshati, krahina, heronj dhe dëshmorë si të antifashistit Shahi Toçi, të policëve të rënë në krye të detyrës Allaman Dërvishi, kolonel Gani Malushi, dëshmorëve Sabri Neli, Baftjar Stefasani, Shaqir Lleja, Musa Skura dhe Ilir Ngresi.

Me shumë dashuri ka shkruar për rapsodin Ymer Toçi, për poetin Hamdi Hysnka, për vëllain Ferit Toçi, për artistin e çiftelisë Xhelal Sufën, për poetin Arben Duka, për veteranin Kapllan Cuka dhe për Dritëro Agollin e madh. Të gjitha këto poezi për figura të njohura e lartësojnë dhe i bëjnë jehonë emrit të Hamit Toçit. Autori për këtë punë të bukur të bërë me poezinë, e përgëzoj, sepse në sitemimin e poezive të tij, ka jetë dhe është përpjekur për të ndjekur artin e vështirë të vjershërimit.

Në këtë vëllim me poezi, autori ka dashur që lexuesi të jetojë dhe të jetë përherë në ballafaqim e ballë për ballë me realitetin, pasi problemet dhe shqetësimet shprehet duke u parë sy më sy. Në të gjitha poezitë e Hamit Toçit ka mendim të thellë dhe përcjellje problemesh të kohës, të cilat e shoqërojnë edhe njeriun dhe e ndjekin në rrugëtimin e tij.

Poezia e poetit është e përditshmja, ka aspekte të jetës, ka dashuri, ka dhimbje, mall dhe gjithçka bëhet objekt në vargje, si në poezitë për policin dhe policinë, për njerëzit e shquar e që frymëzojnë në jetë, për dëshmorët dhe për jetën e përditshme. Poezi e tij ka frymë dhe nuk të lodh, të shpie në realitet dhe të bën ta duash dhe të ndjesh atë…

Njohje me Hamit Toçi

Hamit Toçi u lind në Urxallë të Matit më 10.03.1954. Pas arsimit bazë në vendlindje, mbaroi gjimnazin “Hakik Fejza” (sot “Pjetër Budi”), Burrel. Arsimin e lartë e vazhdoi në Akademinë e Policisë së Rendit, në Tiranë. Më pas u specializua në fushën e Rendit dhe të Krimeve në Shqipëri dhe jashtë vendit. Ka një eksperiencë pune disavjeçare në funksione drejtuese të Policisë së Shtetit.

Nga viti 2007 e në vazhdim ka qenë bashkëpunëtor i revistës ndërkombëtare “Krahu i Shqiponjës”. Ndërsa në vitin 2010 e në vazhdim, këshilltar nderi për Sigurinë dhe Mbrojtjen i “Diplomatic Mission Peace and Prosperity”. Është autor i shumë shkrimeve në shtypin e shkruar për Policinë e Shtetit, i librit “Strategjia e parandalimit të krimit në qarkun e Lezhës”, i vëllimit publicistik “Gjurmë jete” dhe vëllimi me poezi “Shtegëtime malli”. Vëllimi poetik “Ujëvarë kujtimi” është libri është libri i radhës dhe ka në proces botimi dhe dy libra të tjerë me tregime, ese dhe përshkrime, etj.

Please follow and like us: