Albspirit

Media/News/Publishing

Ymer Çiraku: Të qoftë dheu i lehtë, Musa Vyshka!

Është pikëlluese ndarja nga jeta e poetit Musa Vyshka. Njohja ime me të, zë fill përmes letërsisë, që na e përcolli prej shumë vitesh. Por e kam njohur edhe përmes takimeve të drejtpërdrejta. Fillimisht, ne studentë të fillimit të viteve `70 të gjuhë – letërsisë, kishim mjaft vlerësim për disa nga ata studentë, që kishin pak vite që patën mbaruar në atë degë dhe kishin bërë emër veçanërisht në poezi si: Sulejman Mato, Niko Kacalidha, Sadik Bejko, Anton Papleka, Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo, Thanas Dino, Rudolf Marku etj. Mes tyre, ishte sigurisht edhe Musa Vyshka. Kishim patur rastin disa herë që ta shihnim portretin e tij, tek qëndronte i përqendruar disa çaste, kundruall derës së përtejme të fakultetit të filologjikut. Përcillej shumë mall e nostalgji në atë qëndrim. Na bënte përshtypje me ato duar të kapura fort pas hekurave të derës së madhe. Sikur kishte një betejë të heshtur me to.
Musai jetonte dhe kishte nisur punën në qytetin e tij të lindjes në Elbasan dhe duket, kur vinte prej andej për në Tiranë, para se të shkonte tek ndonjë redaksi gazete letrare për të çuar për botim ciklet me poezi, nuk harronte që të bënte “ritualin” e ndaljes para asaj godine. Që sigurisht, duket se i rizgjonte kujtime. Ishte djalë i ri, i hajthëm dhe me qëndrimin e çpenguar dhe flokët e zgjatura, karakteristika këto për dukjen e jashtme antikonformiste të shumë poetëve të rinj aso kohe. Se ishin vite, kur po frynin ca erëra liberalizmi, ndonëse mjaft kohëshkurtër. Më pas, kam patur mjaft raste që të njhem nga afër me të dhe të ndajmë mendime rreth letërsisë dhe problemeve të jetës universitare. Pasi prej shumë vitesh, ai ka qënë lektor dhe drejtues i departamentit të letërsisë në universitetin “A. Xhuvani” në Elbasan.
Si peng nderimi dhe kujtimi, po përcjell disa vlerësime të miat rreth poezisë së krijuar dhe botuar prej Tij, në një hark kohor pothuaj 60 vjeçar.
“…Profili artistik i shkrimtarit Musa Vyshka, para së gjithash në poezi, mbetet i spikatur dhe me shenja origjinaliteti. Qysh me krijimet e tij të para poetike, ai u dallua për ndjeshmëri të hollë e pothuaj delikate. Nuk ishte një poet që do të dëshmonte në vargjet e tij, prirje të dukshme për nga temat dhe konfliktet e forta sociale dhe historike të jetës. Në vargjet dhe ritmet e kësaj poezie, më së shumti, gjejmë “oazin” e vendlindjes së përmallshme, me gugatjen e kumrive, me trokitjen e erërave, që për një çast rrëzëllitës i kujtojnë heroit lirik ardhjen e të dashurës… Gjejmë po ashtu, etjen e rinisë nëpër udhëkryqe të kohës, qiellin e marsit që spërkatet me ngjyrat e ylberta të pranverës, njerëzit e dashur të larguar nga jeta… Te kjo poezi akuareli, duket se ndihen mjaft motive të spërkatura me impresione personale, aq sa mjaft cikle poetike, të ngjajnë si shfletim albumesh të jetës së heroit rrëfyes lirik, ku vrehen të derdhura në to: ujëvara kujtimesh të largëta të fëmijërisë, mbresa takimesh të bukura, apo edhe pendesash – ardhur prej keqkuptimeve, apo mos mundjen dot për t`iu përgjigjur ndjenjave trallisëse të dashurisë. Skaliten në këto krijime: biri, ati, vëllai e shoku, si Raporti Njerëzor i Gjithësisë.
Poezia e këtij autori, është kryesisht e prirjes së përsiatjes dhe jo aq e detajeve dhe impresioneve e situatave fabulistike. Kuptohet, se secili prej këtyre modeleve, ka ndjekësit dhe po ashtu, ka padyshim vlerat e veta, kur arrihet që ato të realizohen. Por poeti M. Vyshka, nuk priret që të rendë aq nëpër përshkrime subjektore ngjarjesh e situatash, prej të cilave, të burojnë pastaj vetiu mesazhet dhe nëntekstet poetike. Pra, duket se ai nuk preferon që ta transmetojë poetikisht vet ngjarjen, por të evidentojë para së gjithash, përsiatjet pafund rreth asaj ngjerjeje, apo situate poetike, që çlirojnë për pasojë – edhe një spektër të pasur emocional.
Vargmalet kokëthyer u krrusën përmbi fusha
E qajnë tok mes erës.
Mijëra përralla dridhen e vdesin në gëmusha
Me valën e skëterrës (“Elegjia e zhgënjimit”)
Ndonëse të shpërndara përgjatë përmbledhjeve poetike të botuara në vite (“Do të vdes i dashuruar”, “Vijmë dhe shkojmë”, “Mos e kthe kokën pas”, “Pse rënkon kumria ime” etj), mund të thuhet se përbëjnë një cikël më vete poezitë kushtuar disa prej poetëve e shkrimtarëve të njohur të letërsisë shqipe: Fan Nolit, Kristoforidhit, Lasgush Poradecit, Migjenit, padër Anton Harapit, Petro Markos, Viktor Qurkut, Genc Lekës etj. Në to, ndihet venerimi i thellë për njerëzit e paharruar të Vëllazërisë së Poetëve, të cilët, u shuan nëpër kohë e rrethana të ndryshme, por që mbeti përherë e gjallë vepra e tyre. Ajo vepër, nuk përcillet thjesht dhe vetëm si kujtesë, por para së gjithash, vlerësohet për rolin dhe peshën e saj të madhe, si fortesë e letërsisë dhe e gjuhës shqipe.
Vdekja e Lasgushit, përjetohet si një vajtim i tërësishëm/kozmik edhe i vet natyrës:
Liqeri i mbytur në lotë
Rënkonte me dhimbjen në gji,
Poeti i lodhur në shqotë
Kërkonte mes shqotës qetësi…
Kurse shkrimtarin e befasive, në jetën dhe në letërsinë e tij, Petro Markon, e mitizon në model balade të tretur si bard në shkumën e bardhë të valëve të detit, duke i apeluar poetikisht: Mos u fshih pas maleve, (pra pas maleve/lartësive të veprave e jetës së tij) – thuaju që je ti!
Librin me poezi të përzgjedhura, botuar para pak vitesh, e shoqëron edhe një shkrim i Dritëro Agollit. Ai e çmon dhe e përcakton krijimtarinë e M. Vyshkës, si një poezi meditative, ku ndihen bukur vibracionet e shpirtit dhe dilemat e njeriut në jetë, ku ndeshen të kundërtat dhe shpesh shpallen pikëpyetje, jo vetëm për të sotmen, por edhe për të nesërmen.
Në faqen e pasme të kësaj prmbledhjeje, është vendosur një fragment poezie, ku derdhet si në fije ari, një përdëllimë dashurie e pashuar, që endet nëpër eterin e kohëve pa cak:
Ti fundi je i pritjes që s`ka fund,
Je prehja e shqetësimit që s`qetohet
Sapo të shoh mërzia krahët shkund
Trishtimi i trishtuar larg largohet.
Aq shumë të dashkam sa as vetë s`e di.
O dashuri! O dritë e kësaj bote!
Sa herë dal në pasqyrë, për çudi,
Veten kërkoj, më del fytyra jote!
Këto vargje, mund të cilësohen edhe si kredo e poetit për dashurinë me kahje universale, pra, në të gjitha pamjet/shfaqjet e saj – në jetën njerëzore.
Një dashuri e thellë dhe pa kushte kjo, e cila, ka aftësinë që të sjellë dritën dhe paqen e bekuar dhe përtëritëse mes njerëzve.”
Please follow and like us: