Miho Gjini: EMIGRANTI SHQIPTAR MIHA NË SERIALET GREKE
Është viti i tretë që ndjek në kanalin televiziv grek “Mega” filmin serial vendas “Në tokën e ullinjve”, me një interesim të pazakontë dhe ku,-sikundër ndodh me të gjithë serialet televizive,-jo të gjithë aktorët e nisur e “bitisin” skenarin. Kështuqë, do të shkruaja vitin e kaluar për aktorin grek Paskalis Tcaruhas (njëheresh edhe këngëtar), të cilin e patëm si “mik-debutant” disa vite më parë, të ftuar në Festivalin Ballkanik të Gëzim Kames në Tiranë. Ndërsa këtë vit, kam kënaqësinë të shkruaj për emigrantin shqiptar (nga Durrësi) Vasil Miha, të cilin e kisha parë në filmin serial “Dashuri e pabarabartë” (për një lidhje dashurie në mosha të ndryshme) dhe tani po e ndjek me kërshëri tek filmi serial i kineastëve qipriotë Vana Dimitriu-skenariste dhe Andrea Georgiou-regjisor. Në skenat e ekranet e vendit fqinj, gjithmonë e më tepër e thonë fjalën e tyre me vlerë, art e profesionalizëm edhe shqiptarët e mërguar, në atë lidhje shpirtërore që ofron miqësia e ndersjellë, kultura e ARTI.
Filmi i tanishëm është nga më të ndjekurit, për subjektin kompleks të një jete fshati e të një shoqërie aktuale greke, teksa problemet, kontradiktat e konfliktet shpesh anashkalojnë apo mbeten “nën jorgan”, për t’u shfaqur a zbuluar në “një ditë të bukur” kur qetësohet qielli e lumenjtë derdhen paqësisht në detin pranë tyre. Një film i vendosur me ngjarje aktuale dhe i xhiruar përgjithësisht në Mani të Peloponezit që ne shqiptarëve na kujton relievin e Himarës në trajtën e përafërt të një patkoi, me gjirin e bukur të detit, me kodrinën e blertë, plot me ullinj e agrume. Ku edhe gratë e vajzat e reja e “hedhin ndonjë gotë raki faqe burrave” në Kafenion e fshatit të tyre! Dhe me një vështrim trajtimi “alla Ibsen” të subjektit, kur ndodhitë, ngjarjet e vrasjet e njëhershme në rrafshin e hakmarrjes,“dalin në shesh” nga “mëria që flë”, apo nga “vrasjet e rradhës”. Po dhe si seral, filmi ka një regjisurë moderne, në përdorimin e retrospektivës, si edhe interpretime në mizanskena e marrje të bukura, ku natyra bëhet edhe më e pëlqyeshm për syrin. Gjithashtu, kur skenaristja Vana Dimitriu e “ruan fillin e lëmshit”, pa e shkëputur, po edhe të tendosur, duke e pasuruar subjektin e gjatë në kohë, me episode të reja e me personazhe të rinj, pa e humbur “thelbin” e njëhershëm e pa e braktisur atë katërshe virtuoze aktorësh grekë, përveç mikut tonë Paskal që “e rrëmbeu” me të drejtë tek ne “Diplomën e Festivalit Ballkanik” me monodramën “Kaçaku”. Edhe me aktorët e njohur Niko Golianos, Jorgos Parçalatos, Stefanos Kiriakidis, Maro Kondu e Anxhela Xhereku,-që të gjithë aktorë me potencë të skenës e te ekranit, veteranë të nderuar të jetës artistike, kulturore e shoqërore greke, midis të cilëve aktori nga Shqipëria e ndjen vetveten të barabartë, edhe pse vjen drejtpërdrejt nga jeta e vështirë e një emigranti ekonomik, tok me ëndërrimet e tij për t’u bërë futbollist si gjyshi dhe i ati i tij, një mjeshtër hidraulik i njohur në qytetin tonë bregdetar…
Do të rastiste një paradite që njëra nga “yjet” e Televizionit Grek, Eleni Melenaqi, pasi kishte intervistuar para disa kohësh aktorin e shkollës shqiptare të aktrimit, Nikolla Llambron, do të intervistonte edhe aktorin tonë të ri Vasil Miha, me po atë entusiazëm si edhe me aktorët e tjerë me përvojë, nga vendi i saj. Pa asnjë dallim, bile me një admirim të dukshëm… e prej këtij emisioni dhe të vet fjalëve të aktorit do të mësoja se ai kishte ardhur në vendin fqinj, qysh herët, në moshën 7 vjeçare, qe ritur e shkolluar këtu dhe , me mbarimin e gjimnazit merrej me sport, duke u stërvitur fizikisht pa ndërprerje, gjersa aksidentohet lehtë në lojën e futbollit dhe detyrohet të heq dorë prej kësaj ëndrre rinore. Po djaloshi i bukur hodhi shtat, bërri përpjetë dhe e pa veten të gatshëm të reklamonte fotografitë e veta në një “Fashon Weck” e të përfundonte një muaj në Milano të Italisë. Merr pjesë kështu, në sallonet e modës së të rrinjve. Mandej, puna e përkohshme që duhej të bënte në një Bar Nate, do t’i jepte “udhës së jetës, një kthesë të papritur”! Një i panjohur që e pëlqeu portretin ekspresiv të djaloshit Miha, i propozon atij “pse mos të merrte pjesë në telenovelat aq të shumta që bëheshishin e mbushnin kohën televizive”?! Dhe do të ishte ky rast fatlum që ai do të paraqitej në një kinoprovë, do të fitonte dhe do të zgjidhej prej një regjisori grek të aktronte në filmin e parë të tij serial e që ai do ta përballonte natyrshëm, pa kryer ndonjë shkollë aktrimi, duke qenë vetvetja, pa asnjë sforcim, po ai djalosh i gjatë e i bukur, me elegancën që i ka “falur Perëndia!”, si edhe me talentin që është e zorshme të ta fali kush, e as vet Perëndia, kur nuk e ke në genin tënd, si edhe pa punuar edhe nga 12 orë në ditë për të xhiruar edhe disa seanca të një roli që mandej shkëputet dhjetra herë, gjersa të gjëndet harmonia e vazhdimësia e një së tëre, në krijimin e portretit e të jetës së personazhit që të është besuar…
I kam ndjekur me vëmendje këto dy seriale dhe kam vënë re se Vasilis Mihas –sikundër e thërresin grekët, ka pamjen e një “fëmije të pafajshme e të qetë” që nuk di as të gënjejë, jo më të mashtrojë turmat e spektatorëve dhe regjisorët që e kanë angazhuar me plot besim e shpresë. Për organicitetin e pa “infektuar” nga “viruset e aktrimit” që janë: klishetë, gjestet, grimasat dhe amatorizmat e natyralizmat, që as teatri e as filmi nuk i pranon. Si shembulli i vyer i mjeshtrave të filmave neorealistë italianë, që e kanë “nismmë” prej këtyre aktorëve të marrë direkt nga rruga… Prandaj edhe Vasil Miha është vetvetja në të dyja këto dy seriale, më së pakti tek i pari e më së shumti tek i dyti.
Në filmin e dytë “Në tokën e ullinjëve” ky aktor shfaqet me vonesë, si i nipi i avokatit Likurgos, i kthyer nga emigracioni grek në Kanada dhe që mendon të blejë e të hap në Mani një tavernë, e cila është bërë edhe vend veprimi për shumë episode të filmit. Porse, me ardhjen e tij, me plot hire të jashtme e të brendshme, si djalë i kohës dhe fort i pashëm, do të jetë edhe një partner erotik për vajzat e gratë që vërtiten aty pari. Për të “konsumuar” edhe tri mardhënie erotike, njëra pas tjetrës e do të vazhdojë me të katërtën që, me sa shihet, nuk do të jetë pa telashe dramatike. Se gjer këtu “aventurat” e tij, thuajse të justifikuara nga rrethanat, po ashtu do te zgjidheshin. Me interpretime të natyrshme dashurish kalimtare, me puthje pa mbarim, porse dashuria e re e tij, fill pas martesës me një mjeke të bukur, ku do të asistonte i gjithë fshati (i përfaqësuar nga personazhet!), duket se nuk do të shpëtojë edhe nga “syri i keq”, nga trazirat, në mos edhe nga “gryka e pushkës”,-sikundër ka ndodhur në të kaluarën e tyre, kur disa syresh ende nuk jan zbuluar, ndofta për ta “shtyrë” filmin e dhe në vitin tjetër!
Megjjithatë, aktori shqiptar, me talentin e tij, sjell një risi interpretimi, ku vërtetësia është e mbetet e pranishme, në atë spontanitet virgjërie të moshës së tij… Dhe dlirësia e portretit, rrezatimi i mirësisë dhe i fisnikërisë njerëzore, i denjë për dashuri e për të qënë në skenë a në ekran një Romeo, si ai i Shekspirit jo mase, po si djalosh e i padjallëzuar akoma që ta pësojë “goditjen në zemër”nga “shigjeta e Kupidit”! Në episodet e tanishme, kur vajza e “gjetur” e Stathit të Paskalit. pasi e shpie të drekojë në atë tavernë, ajo i thotë të atit se “ju këtu paskeni djem të bukur!”, pa ia ndarë sytë Kristos së Vasil Mihas,-gjë që do të mjaftonte “një provokim” i saj që ai të “bjerë pre” në çastin më delikat, teksa sapo ishte kurorëzuar martesa me mjeken e bukur, e bukur edhe ajo! A do ta kapërceje aktori ynë këtë “flakë” të sapo ndezur, apo do “bjerë brenda”, për t’u shkatërruar si jo pak personazhe “të mbetur udhëve të skenarit!”, me pasoja dramatike e tragjike (sikurse edhe me të tjerë personazhe më përpara!), shpesh edhe duke gjetur “sebepe” për t’i aneksuar jashte xhirimeve të ardhshme.
Gjithsesi nuk mundemi akoma të shprehemi më tej se si do t’i përballojë edhe ky djalosh erotik e pa përvojë profesionale skenat e ardhëshme… Po ma merr mëndja se iu shtua ARTIT TË AKTRIMIT tënë edhe ky aktor i mërguar në Greqi, krahas edhe dhjetra artistëve të tjerë shqiptarë që e harmonizojnë vlerën e artit, pa asnjë dallim, me artistët e vendit fqinj, ndonëse “pa shkolIim artistik”, si në rastin e bukur të Vasilis Mihas, me talentin e tij të lindur, i cili nuk do t’i habiste më shikuesit e spektatorët që e kanë parë me kërshëri në ekranizimet e tyre, si një faktor miqësie e bashkëpunimi krijues të ndërsjellë, teksa edhe ai u shpreh publikisht, se e “ndjen veten krenar që është SHQIPTAR”!…
Athinë, më 11 dhjetor 2023.