Albspirit

Media/News/Publishing

Selaudin R. Guma: Piknik në Luzat

 

Kjo ditë do mbahet mend

U mblodhëm në fshatin tonë

Në vendin ku kemi rrënjët

Ku gjyshërit na kanë bërë vend.

 

Na mblodhi Përparim Kalo

Bashkë me Dianën, motrën tonë

Sollën në Luzatin e bukur

Shkrimtarë dhe ambasadorë.

 

Formuan piknikun e fshatit

Kompozim me njerëz të mirë

Ardhur nga tri kontinente

Afrikë, Europë e Amerikë.

 

Nuk ka parë fshati më parë

Të vijnë miq nga botë e largët

Në vendlindjen tonë si perlë

Që nga koha e Ali Pashës.

 

Vendosur si bredh i bukur

Mes malesh në rrëzë të Shalzës

Që dikur ju thur një këngë

Nga xha Novruz koloneli.

 

Na shkoi mirë pritja, përcjellja

Tek shtëpia e Asllan Bonit

Mish, raki, mezet plotë

Marrë nga bahçja, perivolë.

 

E shtruam jashtë në avlli

Nën hijen e hardhive

Ditë e freskët, fillimvjeshte

Ku u mbajtën dhe fjalime.

 

Mes nesh qenë dhe shumë tiranas

Deputetë, guvernatorë

Dhëndër fshati Ilir Ikonomi

Që Zëri i Amerikës e kish kurorë.

 

Morën pjesë dhe shumë nga fshati

Më të vjetër dhe të rinjtë

Se breznitë shtyhen vetë

Me ngadalë dhe pa u ndjerë.

 

Pritje më të mirë nuk kishte

Bujari me njerëz të mirë

Gjelbërimi i rrallë i natyrës

Me gjuhë të ndryshme, me kuptim.

 

Ditë që do mbahet mend

Dhe s’do iki nga kujtesa

Ndaj i hodha këto vargje

Si kujtim për disa breza.

  1. 9. 2023.

 

Piknik: Udhëtim turistik i organizuar.

Kalo: Organizatori dhe financuesi i piknikut turistik që i njohi të ftuarit me vlerat njerëzore, morale, historike e patriotike të zonës. Përparimi është jurist, avokat, ka kryer dy universitete, poliglot, njohës i gjuhës angleze, franceze, italiane, etj. Ka kryer një mandat të plotë si gjyqtar i Kushtetueses dhe është propozuar edhe si kandidat për President i Republikës.

Diana: Bashkëshortja e Përparimit, juriste, njohëse e disa gjuhëve të huaja. Megjithëse nga Tirana ajo i është përshtatur zakoneve të Labërisë e Luzatit, e thjeshtë, e dashur, e respektueshme.

Të ftuarit: Në këtë guidë turistike kishte përfaqësues të disa ambasadave të huaja të akredituara në Shqipëri, diplomat të klasit të parë, shkrimtarë, gazetarë, historianë, profesionistë të disa fushave të ardhur nga tri kontinente.

Ali Pasha: Ali Pasha, Veziri i Janinës, ka pasur në Luzat dy vila dhe një divan nën Ujin e Ftohtë, burime këto që rrjedhin nga mali i fshatit, me gjelbërim të madh. Nëkohën e Ali Pashës kanë ardhur në Luzat mjaft personalitete të huaja, mes tyre edhe poeti britanik, Bajroni.

Novruz Ali Kalo: Lindi në Tepelenë dhe vdiq nga një atak në zemër në 1971 në Shkodër. Ka qenë babai i Përparimit dhe i dy vajzave që i rriti me mundim e sakrifica e ëma e tyre, një grua zonjë për të gjithë ata që e kanë njohur. Novruzi ka mbajtur gradën e kolonelit në ushtri, ka shkruar dhjetra artikuj si dhe këngën për vendlindjen e tij që këndohet edhe sot e kësaj dite në ngjarje të gëzueshme. Në atë këngë përshkruhet jo vetëm bukuria përrallore me malet, ujin, gjelbërimin, por edhe karakteri i njerëzve punëtorë, mikpritës, trima e besnikë ndaj atdheut të tyre. Novruzi kishte shumë vëllezër të tjerë dhe dymotra. Midis tyre është shquar profesor, doktor Isuf Remzi Kalo, personalitet shumë i shquar nëmjekësinë shqiptare, që arriti me punë e tij të ngrejë e të drejtojë sektorin e diabetologjisë dhe sëmundjeve endo-krine. Për një kohë të gjatë ka qenë drejtues në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, në Kopenhagen të Danimarkës. Ishte poliglot dhe njohës i tetë gjuhëve të huaja. Gjyshi i tij Ali Kalo ka qenë patriot i madh dhe shumë i shquar. Sot në qytetin e Tepelenës një rrugë kryesore mban emrin e tij.

Shalza: Një mal jo shumë i lartë, por i bukur e i gjelbëruar dimër-verë aty ku është vendosur Luzati.

A.Boni: Komshi dhe bashkëfshatar zemërmirë e bujar, me bashkëshorten e tij Zana Shatrafili Boni, që përgatitën një drake të mrekullueshme për të nderuarveten e tyre, familjen dhe tërë Luzatin. Në këtë përgatitje ndihmuan edhe Bejo Alia, Milo Guma me të shoqen, Rita Guma. Njerëz shumë të mirë, bujarë dhe të ndershëm.

Perivol: Në gjuhën e vjetër quhej një kopësht i vogël, 100 metra katrorë ku mbilleshin zarzavate si domate, speca, bamje, mashurka, kunguj që hidhen nëpër gardhe, që ujiten me ujë burimi dhe plehërohen me pleh organik, pa përdorur pesticide e plehra kimike. Në Luzat këto i ka çdo familje në kopështin e vet.

Fjalimet: Sipas traditës ngrihen dolli të shoqëruara me mendime, vlerësime e mbresa për miqtë dhe të zotët e shtëpisë dhe kështu muhabeti bëhet më i këndshëm.

Vargjet: Takimin e bëra në vargje poetike si një formë që mbahet më mirë mend dhe si një mesazh për brezat e ardhshëm që të ecin në gjurmët e të parëve, që kjo traditë të mos shuhet asnjëherë, por të qëndrojë si Ylli i Afërditës në kostelacionin qiellor. Luzati ka një qiell të bukur, ku malet, pyjet, burimet e kristalta ujore e bëjnë atë një mrekulli më vete që zoti e ka dhuruar bashkë me njerëzit e mrekullueshëm. Në këtë piknik kishte shumë të ftuar, mes të cilëve Veli Gaxhi, Bashkim Shatrafili, Bejo Alia, Asllan e Zamira Boni, Rita dhe Ismail Guma, etj.

Please follow and like us: