NË BREGUN E BRENGAVE E PYETJEVE EKZISTENCIALE TË MAXHUN OSMANAJT
Nga libri me tregime “Bregu i shpirtit”
Rifat ISMAILI
Një libër shpesh është më shumë se një portë e fshehur, e cila me hapjen e saj premton botëra magjike. Një libër është si një sy në univers. Një sy që rritet e zmadhohet sipas rëndësisë së fjalës. E kur fjala peshon, shtrihet sa gjatë e gjerë në një univers pa kufij, ky sy magjik i tejkalon parametrat e realitetit për t’u shkrirë me hapësirën abstrakte brenda ëndrrës dhe për të jetuar përjetësisht atje, në atë dimension që vetëm zoti dhe mendja e njeriut e zotëron.
Mbresa të tilla dhe emocione të bukura na i japin librat e shkruar me përkushtim. Dhe njëri prej tyre, të cilin pata fatin ta lexoj kohëve të fundit , është edhe libri me proza të shkurtra i autorit Maxhun Osmanaj.
Që në fletët e para të tij do të ballafaqohemi me jetën e gjallë që autori na përcjell, me aftësinë dhe sigurinë e një krijuesi të stërvitur, një jetë që kalon përmes pasigurisë dhe emblemave të pazgjidhshme të kohës, në një vend me problematika të pafundme shoqërore e sociale siç është Kosova.
Nga tregimi që hap siparin, i titulluar “Bregu shpirtëror”, kemi të bëjmë me dy njerëz ose më mirë me dy vëllezër gjaku por të ndryshëm në mentalitet, me mendime të kundërta dhe pasione që s’u përputhen shijet. Njëri pëlqen dhe është i prirur për matematikën dhe tjetri adhuron e lëvron letërsinë. Njëri e lë shkollën dhe ëndrrën e matematikës përgjysmë dhe shkon në mërgim, tjetri me shumë sakrifica studion dhe bëhet arsimtar i kualifikuar e njëkohësisht poet. Këtu kemi të bëjmë me një lloj autobiografie letrare, që nëpërmjet rreshtave të lë idenë ta nënkuptosh, edhe pse tregimi nuk shkruhet në vetën e parë.
Shumë kohë më pas, vëllai në mërgim do të analizojë jetën në kurbet dhe do të konstatojë me dhimbje se ajo jetë si dha asgjë, e ai kurbeti i mallkuar i mori veç rininë dhe ëndrrat.
Shumë prej tregimeve të librit marrin në analizë ngjarjet e luftës me Serbinë dhe situatën e rënduar e pasojat e saj. Këtu autori si një kronikan i vërtetë, duke na kujtuar Heminguejin për mënyrën e rrëfimit, merr shënim gjithçka dhe na lë dëshminë e tij letrare; tregimet për luftën. Tē duket sikur hyn brenda një atmosfere surreale, që edhe vetë mjeshtrat e mëdhenj të pikturës së kësaj rryme të jashtzakonshme për nga fantazia dhe bukuria, mbase nuk kanë arritur t’i përfytyrojnë. Skena të dhimbshme e çnjerëzore, fakte që nuk kanë se si të shlyhen nga kujtesa e një populli të martirizuar.
Tregimi “Shiu dhe krismat” na jep panoramen rrënqethëse të dëbimit në maj të ’99 të familjeve kosovare drejt Kukësit, nga forcat e armatosura serbe. Një natë e ftohtë dhe e errët , shiu që pikon brenda zetorëve të mbuluar me plastmasë, fëmijë të përgjumur, nëna të merakosura që i përkujdesojnë , krisma të pafundme armësh. Të gjithë e njohim dhe e mbajmë mend dramën fatzezë të popullit Kosovar që i detyruan me zjarr e dhunë të lenë trojet dhe shtëpitë e tyre, dhe shkrimtari Maxhun Osmanaj, na jep një pasazh të gjallë të asaj kohe nëpërmjet kësaj proze të dhimbshme shkruar mjeshtërisht.
Edhe tregimi “Rruga e vdekjes” na i përshkruan më së miri tmerret e dëbimit nga ushtarët serbë, vrasjet e plaçkitjet nga ana e tyre, popullsinë e pambrojtur që udhëtonin me shpresë për shpëtim drejt Shqipërisë për t’i shpëtuar luftës.
Lufta do të mbetet në memorien tonë kolektive si një ekspozitë filmike e fotografie bardhë e zi, ku sekuencat i zënë vendin njëra tjetrës për të mos mbaruar kurrë. Njeriu nuk bën beteja vetëm në kohë lufte, por edhe në përballje me jetën e përditshme.
Tregimi” Betejat janë në tokë”, tregon për një çift në udhëtim, që rikujtojnë vitet e përbashketa të jetesës, ku me perkushtim i kanë shërbyer familjes dhe edukimit të katër fëmijeve të tyre. Edhe pse kanë kaluar tridhjetë vjet, marrëdhëniet e tyre janë gjithnjë të mira, duke ruajtur dashurinë e respektin që kanë pasur gjithmonë ndaj njëri- tjetrit. Lapidare fjalët e mbylljes së tregimit “Betejat janë në tokë”.
Por autori Maxhun Osmanaj di t’i kushtojë faqe të arta dashurisë, asaj ndjenje që dy qenie provojnë për njëri – tjetrin, ndjenjë pa të cilën njerëzimi nuk do të ishte ky që eshtë, një ndjenjë që e ka rrafinuar e përsosur botën, që e ka bërë më të durueshme, më njerëzore, më altruiste, më pranë takimit me perëndinë.
Dashuria, kjo thirrje e ëmbël trupash e rrahje zemrash , nuk ka se si ti shpëtojë artistit, eseistit, studiuesit , prozatorit Maxhun Osmanaj, që vë në punë tërë kovaçhanën e tij krijuese për të na sjellë me vërtetësi e origjinalitet një copëz nga kjo ndjenjë e komplikuar.
Tregimi ” Fishkëllima e Bareshës lidhet me dashurinë, me hovet djaloshare, me kujtimet e një idili romantik që ka mbetur si kristal në mendje, por ka qëndruar edhe nëpër vargje, sepse dëshira e flaktë e “bareshës” ishte që ndonëse jeta i ndau me kurthet dhe të papriturat e saj, të paktën hovet rinore e ndjenjat për njëri- tjetrin t’i qëndisnin vargjeve të shpirtit për të mos u shuar kurrë kujtimi i dashurisë së tyre i pa plotësuar e i pa nginjur.
Por të gjithë tregimet shquhen nga tematika dhe larmia me të cilin na janë sjellë në librin me një titull kuptimplotë” Bregu i shpirtit”. Brenda faqeve të tij do të gjejnë vend skena e vende të pazakonta, një mori karakteresh, njerëz të profesioneve apo mentaliteteve të ndryshme, ushtarë e gjakësorë, pleq e fshatarë, fëmijë e burra, mësues e shkrimtarë. Të gjithë do të dorëzohen e bien krahëve të jetës me të mirat e të këqijat, me deshirën për liri dhe vetburgosjen, me andrallat dhe veprimet e rastësishme.
Tregimi i bukur e shpotitës,”S’ma dhanë çmimin”- na shtie papritmas në atmosferen e një Ore letrare ku poetë e krijues të mbledhur nga të gjitha viset e Kosovës deklamojnë poezitë e tyre dhe presin për mundësinë e fitores. Dikush i bindur se kishte një poezi të madhe, një poezi mbi të tjerët, revoltohet kur s’ bëhet pjesë e çmimeve të jurisë. Fabul e bukur, shkruar me vërtetësi e me shpoti per ata poetë të “sëmurë” që bëhen qesharakë për çmime e lavdi!
Por ajo që shquhet nē këtë libër është filozofia e veçantë që përcjell autori nga njëri tregim në tjetrin. Një urtësi e pasuruar nga përvojat jetësore por edhe nga kultura dhe dituria e nxënë përgjatë viteve të jetës, një jetë në shërbim të devotshëm ndaj librit artistik dhe krijimtarisë.
Po ku e gjen forcën mendësia e vyer e Maxhun Osmanajt? Ku i ka rrënjët filozofia e tij? Dhe përse kjo prirje për ti thënë gjërat sa më të arsyetuara dhe sa më pranë të vërtetës? Shumë të tjerë para tij janë munduar të thonë fjalën e tyre mbi jetën dhe fatin e individit, shumë shkrimtarë dhe dijetarë kanë marrë në analizë çdo fenomen të jetës dhe të gjithësisë që na mbështjell, dhe mbas hamendjeve dhe verifikimeve të tyre na kanë përcjellë argumentet dhe esencën e mendimit. Që nga Sokrati e Platoni, Epikuri e Seneka, Konfuçi e Rumi, Kamyja e Sartri e gjer më sot, na kanë dhënë arsyetimet e tyre të pafundme mbi jetën. Të gjithë kemi ngjyer penën e mendjen në asimilimin e sentencave dhe urtësisë së tyre.S’ka sesi të mos jetë pjese e këtyre përvojave të lavdishme edhe autori Maxhun Osmanaj që na përcjell në tregimet e tij mendimin bazë filozofik të huazuar por edhe mendimin individual e gjetjet origjinale të nxëna nga jeta dhe të eksperimentuara prej vetë atij. Maxhun Osmanaj reflekton mendimet e tij në pasqyrën e kohës, i modelon, i strukturon dhe i vë në shërbim të lexuesit.
Libri i autorit Maxhun Osmanaj përmbyllet me disa tregime të shkurtra, ku do të veçonim atë me titull “Të gjithë jetojmë në mjegullirën e së panjohurës”, ku një i ri, ndjek prej vitesh udhëzimin e një plaku të urtë, që i pat thënë tekstualisht kështu; ” Ndiq udhën e drites”. Ky udhëzim e ka shoqëruar për shumë vite me rradhë dhe i ka hapur dyert e jetës. Dëshira e tij ishte ta takonte edhe një herë të fundit plakun e moçëm dhe të merrte një udhëzim të ri prej tij.
Prozat e shkurtra psikologjike gjer në rrafsh ekzistencial, titulluar “S’është kohë për shkrim”, apo ajo tjetra “Mëdyshje në mendje, mëdyshje në shpirt”, na japin atmosferën e rënduar të shpirtit gjatë epidemisë së Kovidit.
Tek tregimi që mbyll librin “Jetoj i rrethuar nga tri kohët” rrëfimi është i ndërtuar si një lloj reflektimi apo monologimi të brendshëm, ku ftohen në bangën e të “pandehurit” të tri kohët. Autori bën një analizë të jetës dhe krijimtarisë letrare duke e veshur paksa me shpirtin e esesë dhe duke thirrur në ndihmë mjaft nga autorët e leximeve të tij, si për shembull Borgezin, Servantesin, Xhojsin, etj, ku shpaloset më së miri formimi i tij pedagogjik dhe botëkultura e gjerë.
Është në mes identiteti i shkrimtarit. Dhe ai përpiqet ta shpjegojë në këtë mënyrë; “Të jesh shkrimtar , është ambicje e brendshme, ego e pashpallur,apo dëshirë e pafikur? Është dhunti apo mister? Apo është marrëzi”?
Në rrëfimin “Fajtor i pafajshëm” autori na përcjell kredon e tij, e ngjashme me filozofine orientale që synon me çdo kusht dhe pore të qenies paqësoren dhe vlerëson çdo krijesë sado të parëndesishme në dukje. Duke ecur padashje shtyp një kërmill, dhe nga kjo rrjedh pendesa e tij dhe përkufizimi i ngjarjes në një sentencë të jashtzakonshme; “Unë jam fajtor. Eca me kokë përpjetë! Gabim. Pse shkela kërmillin. Edhe ai ka jetë”.
Dhe përsëri si përfundim; “Kurrë mos ecë me kokën lart, por shiko ku shkel, si shkel dhe çfarë shkel”.
Në tregimin “Ai në mes dy ëndrrave”, në një bisedim marramendes me kohen, poeti i shtrënguar të vihet përballë vetvetes, të shohë pasqyrimin e jetës së tij ne pasqyrën e viteve, tkurret nga pyetjet e shumta që kërkojnë përgjigje; “Kush je tani?! Ç’bëre gjatë udhëtimit? Mos pushove tepër në ndonjë stacion? Mos theve ndonjëherë rrugët? Në cilën rrugë je nisur për të nesërmen? Ku do të zërë perëndimi i diellit? Si do të udhëtosh? A mund të udhëtosh? Ku është stacioni i fundit? A ke frikë kur do të thërrasin retë e qiellit? Cila është porosia e fundit”?
Ky ballafaqim i tij me kohën, është edhe përmbledhja e jetës së njeriut, e të jetuarit, e mënyrës së të jetuarit, si jetuam, çfarë bëmë per veten, po për të tjerët, a e justifikuam veten përpara kohës?
Në fund të fundit ai e kupton që është e kotë kjo betejë shpirtërore me kohën, dhe ia dorëzon shpirtin rrjedhës se jetês. Mbi të askush s’mund të dalë dot. Por mund ta bëjmë atë plot me vepra të denja e duke mesuar, na sugjeron autori Maxhun Osmanaj.
Tê 29 prozat e librit dallohen për stilin e vecantë të autorit dhe kanë të përbashkët rrjedhshmërinë e tekstit, freskinë dhe frazeologjinë e pasur në figura letrare e metafora. Sepse autori duke qenë edhe poet, por edhe lêvrues i letêrsisë për fëmijë e ka të lehtë të ndërthurë liriken me prozaiken, për të na dhënë një rrëfim të pasur letrar e gjuhësor.
Prozat e Maxhun Osmanit nuk kanë stisje, por lëndë të parë, limfë të vërtetë, jetē grumbulluar me zell e mundim.
Përveç kësaj ai është një shkrimtar i kursyer. Nuk lodh me vogëlsira dhe dërdëllisje, por si një mjek i mirë, vë dorën mbi plagë, dhe të jep një solucion.
Ngjarjet mbivendosen njëra mbi tjetrën, duke hapur mijëra frëngji të vogla, ku çdonjëra prej tyre êshtë një pistë e mbrojtur vrojtimi.
Ja pse Maxhun Osmanaj është një narrator i suksesshëm. Ndaj ia vlen të harxhosh pak kohë e ta lexosh një shkrimtar të tillë. Jo si ato
prozat e lodhura apo që dalin në dritë të vdekura që nga materniteti, apo ato prozat buzëkuqe e plot përdëllim hamshorësh, as proza të dêshpëruara, të trilluara nga një mendje vetvrasësi, por proza të mbështjella me jetë, të përkundura me djepin e realitetit, të mëkuara në gjirin e thjeshtësisë dhe sê vërtetês.
Edhe pse shumë prej tregimeve lundrojnë në një oqean të trazuar ekzistencial, vecoria e tyre janë gjithnjë optimizmi dhe pozitiviteti i autorit që më kujton Herman Hesen apo Heminguejin. Atë e gjen të vrarë shpirtërisht e të dërrmuar nga sulmet shtazarake serbe, po kurrë të mposhtur e të gjunjêzuar. Atë e ke të mbyllur në karantinë gjatë kohëve të pandemisê, dikush i thote se eshtë një kohë që mbase s’ia vlen të shkruash. Por ai të shkruarit e gjen si solucion dhe terapi shpirti, përtej edhe mendimit që duhet shkruar gjithmonë pêr tu lënë pasardhësve dêshmi nga jeta e kaluar.
Savona, tetor 2023.
Please follow and like us: