Vasil Muka: Burgosja e syrgjinosja e biblotekës
Refleksione – pas 100- vjetorit të Liceut- Gjimnazit.
Burgosja e syrgjinosja e biblotekës.
Sa u holasa (mërzita) u handakosa ( vrava) e u tromaksa (tremba) kur kërkova në gjimnaz të sho (shikoj) biblotekën time të dashur ku për 7 vjet me mund, dashuri, përkushtim e profesionalizëm punova në të për nxënësit e mi.
Ajo ziente e s’gjeje radhë në pushimet e gjata e pas mësimit.
Kishte një fond prej rreth 15 000 tituj prej 40 vjetësh, kishte koleksionet e tërë gazetave, veçanërisht Drita, e revistës Nëntori, Shkenca e jeta, etj. Një thesar i paçmuar që edukoi, mësoi e emocionoi qindra nxënës.
Me nxënësit e apasionuar pas librit, çdo mbasdite qepëm me spango, lidhëm e ngjitëm me karton gjithë koleksionet e revistat periodike.
Dollapet kërcisnin nga pesha e unë sa në një krah në tjetrin hip e zbrit në shkallë për të shpërndarë librat tek nxënësit. Bibloteka kishte 100 % të librave e kritikave të programit mësimor.
Ajo u kthye në qendër rrezatimi, nxitjeje e talenteve të reja.
E kur në 100 vjetor pyeta një kolege të letërsisë, ish nxënësen time: Ku është bibloteka ime?
Si e zënë në faj, uli kokën e më tha: I kemi syrgjinosur, profesor.
Kur u riktheva në shkollë më thanë se librat, të mbyllur në kutira bananesh, ishin vërtet syrgjynosur te dhoma në krahun e djathtë, jashtë shkollës, ndënë tarracë.
– Hapeni t’i shikoj – i thashë drejtoreshës.
Ajo, po kolege me mua e ish nxënësja iime e turpëruar më tha se mësuesit me përkushtim e angazhim i kishin magazinuar aty mos shpërdoroheshin gjatë rikonstruksionit. Sa keq u ndiem të dy.
Pyes përsëri me këmbëngulje: – Pse nuk i riktheni në biblotekë?
M’u përgjigj – se nuk kemi rafte.
Më ra pikà në kokë sa s’më ra dambllaja.
Dhjetra pyetje si çekiç më ranë në çuçkë (majë) të kokës.
Nuk kishte sponsora, që nga unë, nxënësit e ish nxënësit, të apasionuar pas librit, apo dhjetra biznesmenë, mobilierë, etj. Po Bashkia e Ministria, po deputetë e prefektë ku janë? Si bëhet rikonstruksioni pa llogaritur pajisjet e mobilimin. Apo ç’u kre binanë librave.
Jam i sigurt që 4-5 dollape mund të dhurohen nga ZVA, të gjitha shkollat e qytetit mund të dhurojnë nga 1 dollap, apo mund të merren dollapet e shkollave që janë mbyllur, etj.
Mendja më shkoi te një shkrim i Ilir Llurit për Abetaren e burgosur në kala.
Më thoni miq a nuk është e burgosur bibloteka ime?
Le të shpresojmë… se sëshpejti librat e biblotekës së gjimnazit do të fitojnë lirinë.