Tedi Papavrami: S’e kisha menduar që do bëhesha violinist i famshëm
Në një intervistë për “Jo Vetëm Modë”, violinisti i njohur Tedi Papavrami rrëfeu se kurrë nuk e kishte menduar se do të bëhej violinist. Madje, ai tha se në fëmijërinë e tij imagjinonte të bëhej çoban, arkeolog ose shkencëtar.
“Kur isha i vogël, jo (nuk e kisha menduar të bëhesha violinist). Në radhë të parë nuk e imagjinoja kurrë që do flisja një gjuhë tjetër, nga shqipja. Nuk e mendoja kurrë që do ikja nga shtëpia ime. Se ajo që doja më shumë ishte shtëpia në Shqipëri, Tirana, e gjithë bota ime.
Dhe e kisha shumë të fuqishme këtë ndjenjë. Madje, prandaj mendoj që nuk e kam harruar shqipen, sepse qoftë nga leximi, qoftë nga dashuria që kisha për të gjithë këtë botë, ishte shumë e fuqishme. Kështu që nuk e mendoja asnjëherë. Kur mendoja çfarë do bëja më vonë, as mendoja që do bëhesha violinist edhe pse bëja koncerte.
Nuk e di, më pëlqente, imagjinoja se do bëhesha çoban, arkeolog ose shkencëtar. Domethënë, qoftë natyrat ose shkencat. Njëra ose tjetra”, tha ai.