Tre bashki instalojnë ndriçim të ri të rrugëve me efiçencë energjetike
Bashkitë Korçë, Përmet dhe Berat instalojnë mijëra drita LED përmes një bashkëpunimi me projektin zviceran për bashkitë me menaxhim inteligjent të energjisë
Për të promovuar sisteme cilësore të menaxhimit të energjisë, të frymëzuara nga Çmimi Evropian i Energjisë, Projekti për Bashki me Menaxhim Inteligjent të Energjisë (SEMP) mbështeti tre bashkitë me ndriçim të ri publik me efiçencë energjetike që kontribuon për hapësira publike të sigurta dhe miqësore për përdoruesit.
“Më lejoni të përgëzoj bashkitë partnere të Korçës, Përmetit dhe Beratit për përfundimin e instalimit të ndriçimit rrugor me efiçencë energjetike. Projektet e ndriçimit të rrugëve janë pjesa e dukshme e një transformimi të vazhdueshëm dhe më të thellë drejt rritjes së efiçencës energjetike, gjë që cilin Zvicra është krenare ta mbështesë”, tha Zv. Shefi i Misionit në Ambasadën e Zvicrës, Philipp Arnold.
Ceremonitë e inaugurimit u zhvilluan së bashku me kryetarët e tri bashkive.
“Shumë rrugë në Bashkinë e Korçës tashmë kanë ndriçim rrugor LED, që ofron jo vetëm cilësi të përmirësuar, por edhe kursim energjie. Projekti SEMP ka përmirësuar ndjeshëm situatën e ndriçimit publik”, tha kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo.
Kryetari i Bashkisë së Beratit Ervin Demo tha se “në sajë të projektit SEMP është kursyer energjia, dhe rrugët janë ndriçuar me sistemin LED, duke paraqitur një pamje elegante që harmonizohet me panoramën arkitekturore të qytetit”.
Me afërsisht 1.6 milionë euro për katër bashki (përfshirë Shkodrën), ky investim prezanton teknologjinë LED me efiçencë energjetike për një gjatësi deri në 13.5 kilometra dhe 1,711 drita LED. Kjo çon në reduktime të ndjeshme të konsumit vjetor të energjisë prej rreth 660 MWh në vit dhe kursime të kostos prej gati 70%, krahasuar me përdorimin e teknologjive konvencionale.
Kryetarja e Bashkisë Përmet Alma Hoxha theksoi se “përmirësimi i menaxhimit të energjisë, ulja e konsumit dhe promovimi i përdorimit të teknologjive inovative dhe miqësore me mjedisin mbeten prioritetet kryesore në punën e tyre të përditshme”.
Nën projektin SEMP, shkollat po bëhen promovuese të ndërgjegjësimit për efiçencën e energjisë. Zëvendës Shefi i Misionit në Ambasadën e Zvicrës Philip Arnold vizitoi gjithashtu shkollën ‘Nonda Bulka’ në Përmet, ku mori pjesë në një takim me mësues të trajnuar mbi rëndësinë e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe sesi ata mund të përmirësojnë efiçencën e energjisë në shkollë, shtëpi, dhe komunitet. Kursi është krijuar nga SEMP me synimin për të rritur ndërgjegjësimin për efiçencën e energjisë dhe është i hapur për të gjithë mësuesit në Shqipëri si pjesë e një programi kombëtar trajnimi.
Projekti SEMP nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencinë për Efiçiencë të Energjisë, në katër bashki pilot.