Albspirit

Media/News/Publishing

Saimir Kadiu: Lutz Eigendorf, Eduart Strelcov dhe Skënder Halili

 

Nga cikli “SPORTI DHE POLITIKA”

Një gjermanolindor që luante në fillim me Dinamon e Berlinit dhe më pas te klubet e “vëllait të madh” në Perëndim me Kaiserslautern dhe Eintracht Braunschweig… një rus që ishte ylli i Torpedos së Moskës dhe përfaqësueses sovjetike… një shqiptar që luante për skuadrën e zemrës së tij, 17 Nëntorin e Tiranës si dhe përfaqësuesen shqiptare…

I bashkon  talenti në lojën më të dashur të globit, por edhe fati i tyre i keq…

■ Lutz Eigendorf (1956 -1983) vdiq në një aksident automobilistik më 5 mars 1983 në Braunschweigte RFGJ. Ishte vetëm 27 vjeç.

Konsiderohej “Beckenbaueri” gjermanolindor, një nga talentet më të mëdha të futbollit gjermanolindor, por pas “arratisjes” në “shtëpinë e vëllait të madh” u konsiderua armik  i RDGJ.

STAS-i  famëkeq gjermanolindor mendohet që qëndronte pas këtij aksidenti. Për koincidencë aksidenti ndodhi në 30 vjetorin e vdekjes së Stalinit.

■ Edvard Strelcov (1937 -1990) konsiderohet talenti më  i madh i futbollit sovjetik… I mbiquajturi “Pele” i Lindjes.

Mëkati i tij… refuzoi vajzën e Ekaterina Furtsevës ( Anëtare e Byrosë Politike të PK të BRSS), mikeshës së Hrushovit.

Hakmarrja e regjimit ishte e menjëhershme. Në vitin 1958, në moshën 20 vjeçare, disa muaj para Botërorit të vitit 1958, akuzohet bashkë me Ogonkov and Tatushin (lojtare të përfaqësuese sovjetike) për një përdhunim të sajuar dhe dënohet me 12 vjet në kampet e punës në Siberi.

Lirohet pas largimit të Hrushovit nga skena politike në vitin 1964 dhe rifillon të luaj përsëri me Torpedon dhe përfaqësuesen ruse.

Vdes në vitin 1990 në moshën 53 vjeçare nga kanceri I fytit (si pasojë e ushqimeve me radioaktivitet të marra gjatë  kohës së dënimit).

7 vjet pas vdekjes së tij Marina Lebedeva, vajza e “përdhunuar” lë një buqetë me lule në varrin e “përdhunuesit” të saj në ditën e përvjetorit të vdekjes së tij…

Ishte e qartë që edhe ajo ishte viktimë e krimit shtetëror komunist të vitit 1958…

■ Skënder Halili (1940-1982) ….”Flutura shqiptare”, mbrojtësi më i madh i futbollit shqiptar do të ishte njëkohësisht  edhe një nga sportistët më fatkeq të periudhës së komunizmit…

Motivet banale të dënimit të tij me 13 muaj burg (57 dollarë të gjetur në shtëpinë e tij), ishin më tepër një hakmarrje e pastër vetëm për faktin që “Beckenbaueri” shqiptar nuk pranoi të vazhdonte të luante me Dinamon…

Skënder Halilin, pas dënimit  nuk e lejuan të luante as me Beslidhjen e Lezhës…

Hakmarrja ndaj tij ishte funksion i vazhdueshëm….

Talenti i pafat i Tironës së famshme të Myslym Allës nuk kishte asnjë inferioritet ndaj mbrojtësve më të mëdhenj të kohës.

Po të luante në kampionatet më të rëndësishme evropiane, padyshim Skënder Halili me talentin e tij të madh, do të ndjehej si i barabartë me yje të tillë të kohës si Schnellinger, Elias Figueroa, Pachin, Pluskal, Meszoly, Bobby Moore, Dimitar Kostov, Sandro Salvadore apo Khurtsilava…

Kam takuar disa kohë para se të ndërronte jetë, Koço Dilon,  avokatin e tij në gjyqin më të turpshëm të regjimit në  mesviteve 60’…

Biseduam  lidhur me gjyqin dhe mbrojtjen  që avokati i shquar i bëri legjendës Halili në gjyq…

Ai më tha që mbrojtjen e përfundoi me fjalët: “Ju nuk mund të dënoni dot Skënderbeun… Është turpi më i madh që po bëni”.

Talenti i madh i futbollit shqiptar u shua  më 13 dhjetor 1982 pas një sëmundjeje të rëndë në moshën 42 vjeçare…

Për ironi të fatit edhe shkaktari i tragjedisë së tij po atë vit mbeti viktimë e lojës politike të regjimit komunist për të cilën  edhe ai kishte dhënë  kontributin e tij famëkeq për 40 vjet me rradhë…

Please follow and like us: