Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Heroi që priste pranverën

Vlora e ka bir të saj

Ali Demin Vlora ka 80 vjet që e ka bërë bir të saj. Vlora ju bë streha e përjetshme këtij biri të Çamërisë, duke e strehuar në gjirin e saj, dhe e ka cerfifikuar si bir të saj me varrin në varrezat e dëshmorëve në Vlorë, lapidarin në Kaninë, gjimnazin e njohur Ali Demi dhe një rrugë me emrin e tij.

Ali Demi lindi dhe u mëkua në tokën zjarr të Filat në Çamërisë më 18 janar 1918, në familjen atdhetare të Demve të Çamërisë. Prindrit e tij Ahmet Luçe Demit dhe i Nazo Xhafo, si dhe tërë rrethi familjar bënin kujdes në rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Aty heroi i ardhshëm mbaroi shkollën fillore dhe njohu bëmat e patriotëve të mëdhenj të Çamërisë si Çelo Mezani, Osman Taka, Xhafer Demi, Rexhep Demi e Musa Demi. Në vitin 1927, Aliu me një bursë studimi paraqitet në konviktin “Çamëria” të Sarandës, ku kishin filluar të mësonin gjuhën amëtare edhe fëmijët çamë. Ndërsa në vitin 1932 ndjek studimet në qytetin e gurtë, në gjimnazin e Gjirokastrës ku studioi për katër vjet. Aty u njoh me heroizmin e treguar nga Çerçiz Topulli dhe Mihal Grameno, por dhe mori edukatë nga profesorët Kristo Fundo, Fadil Rrepishti, Eqerem Çabej, Kristo Kono dhe Eftim Qose. Bashkë me mjaft gjimnazist organizon shoqatën “Skënderbeu” dhe më pas “Qepa”. Mbi bazën e këtyre shoqatave drejton dhe gazetën me të njëjtin titull. Pas ngjarjeve të kryengritjes antizogiste të Fierit, një vit më vonë bashkë me shokun e ngushtë Themo Vasi dhe kushëririn Njazi Demi organizon revoltën e nxënësve për kushtet e këqia të jetesës. Ministria e Arsimit i përjashton nga shkolla.

Ali Demi vjen në Tiranë dhe regjistrohet në gjimnazin e Tiranës, ku menjëherë njihet dhe lidhet ngushtësisht me Qemal Stafën, Vasil Shanton, të cilët e bënë dhe anëtar të Grupit Komunist të Shkodrës. Me mbarimin e studimeve fillon punën si punonjës provizor në Post-Telegrafën e Tiranës, ku drejton një nga celulat e para komuniste. Organizon një protestë të punëtorëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Postë Telegrafës në Tiranë, ku bie në sy të fashistëve italianë për veprimtarinë e tij antifashiste.

Me fillimin e Luftës Italo-Greke mobilizohet në batalionin shqiptar “Tomorri” dhe shkon në front, por qëllimi i tij është organizimi i sabotimit të kësaj lufte. Në përgatitjen dhe luftën kundër Greqinë, Italia po përdorte në interes të saj gjendjen diskriminuese të shqiptarëve në Çamëri. Kur shpërtheu lufta italo-greke në vitin 1940, u thellua tensionin politik në Çamëri. Qenë të shumta përpjekjet nga pushtuesi për ta patur bashkëpunëtor nga minoriteti shqiptar. Popullsia çame gjatë regjimit fashist të Metaksait kishte vuajtur shumë, por në këtë luftë mbajti qëndrim neutral ndaj palëve. Me thyerjen e ushtrisë italiane dhe tërheqjes e saj nga Greqia, dhuna dhe terrori mbi popullsinë shqiptare të Çamërisë, u bë më intensive, prej qeverisë së re greke. Ali Demi pasi dezerton nga radhët e ushtrisë shkon në Filat ku takon prindërit dhe menjëherë lë frontin me një grup të madh shqiptarësh dhe kthehet në Tiranë, duke i fshehur armët në shtëpinë e Bije Vokshit.

Bashkë me shokët e idealit

Në prag të themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare dhe bashkimit të grupeve komuniste kryeson një grup për përgatitjen e konferencës së Grupeve Komuniste, nga e cila u themelua PKSH në shtëpinë e mikut te tij Xhemal Cani. Ai ishte një nga 200 komunistët e parë dhe drejtoi një celulë “trojka” të përbërë gjithnjë nga tre veta. Në shkurt të vitit 1942 pruri familjen e tij nga Çamëria. Shtëpia nr. 66, në rrugën e Shëngjergjit të Tiranës kthehet në një nga bazat më të rëndësishme të luftës ilegale, ku zhvillohet Konferenca e Parë e Aktivit të PKSH për Tiranën, bazë e përgatitjes dhe shpërndarjeve të trakteve e komunikatave të para të partisë.

Ali Demi gjatë vitit 1942 bëhet një nga organizatorët e manifestimit të madh antifashist në Tiranë në 7 prill të vitit 1942. Këtu bie përsëri në sy të spiunëve të Kuesturës. Kështu më 18 prill të vitit 1942 arrestohet dhe torturohet. Autoritetet italiane kërkojnë ta internojnë menjëherë në kampet e tyre në ishujt e Italisë, por në bazë të hetimeve të tjera, duke parë rrezikshmërinë e tij, e mbajnë në Tiranë. Burgoset në burgun e Tiranës ku dënohet me 23 vjet burg. Kur dëgjoi për vrasjen e Perlat Rexhepit shkroi një poezi për heronjtë e Shkodrës. Ai organizon grevën e urisë në burgun e Tiranës kundër internimit të komunistëve në ishujt e Italisë. Në shtator të vitit 1942 organizohet demostrata e madhe e grave dhe e popullit të Tiranës para burgut, ku vritet dhe nëna Mine Peza. Ali Demi ishte në krye të organizimit për hapjen e kanalit nga të burgosurit politikë dhe pas një tentative të dytë arratisjen e të burgosurve, e cila pas shumë përpjekjesh realizohet në 29 prill të vitit 1943.

Në rrugën drejt lirisë, biri i Çamërisë së cfilitur nga shovinizmi grek, Ali Demi, do të jepte një ndihmesë të shquar në organizimin e qëndresës popullore kundër fashizmit në krahina të ndryshme të Shqipërisë si në Çermenikë, Kërrabë, Zaranik dhe në trevën e Labërisë e kryesisht në Vlorë e Mesaplik. Një jetë e re fillon për të si komisar i batalionit “Çermenika” ku merr pjesë në disa aksione. Gjatë dy muajve ndihmon për ngritjen e këshillave të reja nacionalçlirimtare në krahinat e Oparit dhe Zaranikut. Në gusht të vitit 1943, pas një udhëtimi të gjatë nga malet e Çermenikës nëpër Mallakastër, më se fundi mbërrin në Vlorë në kohën e vështirë të luftës dhe përçarjes si pasojë e fraksionit të Sadik Premtes. Caktohet sekretar organizativ dhe më pas sekretar politik i Komitetit të Partisë së Qarkut të Vlorës, një nga qarqet më të mëdha të luftës së Frontit Nacionalçlirimtar. Duke qenë gjithnjë në lëvizje, Aliu ra sërish në sy të pushtuesit. Në mbrëmjen e 19 dhjetorit 1943, duke u kthye natën vonë në bazën e tij në Kaninë, dhe pse në kalanë e Kaninës kishte gjermanë. Baza e tij rrethohet nga gjermanët e ballistët. Thirrjes së tyre për t’u dorëzuar, bashkë e dy shokë të tjerë, Pano Dhimgjoka dhe Dhimitër Mandro, ju përgjegj me grykën e pushkës. Lufta vazhdon dhe pas vrasjes së Pano Dhimgjokes, ai çan rrethimin, fsheh shokun e tij të plagosur Dhimitër Mandro, por duke u larguar qëllohet për vdekje nga një mitroloz. Vritet në moshën 25 vjeçare.

Vlerësimet për heroin

Në 5 korrik të vitit 1945, nga Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar shpallet “Hero Kombëtar” me motivacionin “Udhëheqës dhe puntor i palodhur, shembull heroizmi dhe abnegacioni të pashoqtë, gjatë Luftës Nacionalçlirimlare ai u bë dhe mbeti një nga fytyrat më të shquara për brezat e sotme dhe të nesërme të Popullit shqiptan”. Më pas dekorohet nga Presidumi i Kuvendit Popullor me dekoratat “Urdhëri i Yllit Partizan”, “Urdhërin e Flamurit”, “Medaljen e Çlirimit”, “Medaljen e Trimërisë” dhe “Medaljen e Kujtimit”.

Në shtator të vitit 1945, eshtrat i tij merren nga Kanina dhe varrosen me ceremoni në varrezat e martirëve të qytetit të Vlorës, në prani të nënës së tij. Po ato ditë organizohej në Vlorë dhe Kongresi Antifashist Çam, ku ishte ftuar dhe nëna e Ali Demit. Emrin e Ali Demit e mban në kryeqytet një shkollë 9 vjeçare, një rrugë kryesore dhe një lagje në Tiranë. Për heroin janë shkruar libra e poezi, si dhe janë kënduar këngë, e shpalosur në art dhe pikturë, janë bërë buste e ngritur lapitar në Kaninë në përkujtimin e veprës së tij. Dikur në lagjen “Ali Demi” ishte dhe një shtëpi muze, që tregonte rrugëtimin e një heroi dhe të një lufte…

Historia e heronjve Qemal Stafa, Vasil Shanto, Margarita Tutulani, Asim Zeneli, Ali Demi, Perlat Rexhepi, Qeriba Derri, etj., është ngulur thellë në shpirtin e popullit shqiptar. Gjaku i tyre nuk ka shkuar kot. Në fakt ata ishin të përkushtuar për lirinë kombëtare dhe të krijimit të një shoqërie të re ku të zotëronte e drejta, liria, barazia dhe mirëqenia. Në asnjë vend të Europës nuk ka historianë e politikanë që të mohojnë luftën dhe kontributin e heronjve të tillë pse ata ishin të majtë dhe luftuan për “shoqërinë ideale”, të barazisë e të dinjitetit njerëzor. Kjo ndodh vetëm në Shqipëri, ku historianë dhe politikanë të errët dhe me qëllime të mbrapshta politike duan ta denigrojnë luftën e heronjve dhe të bëjnë heronj kolaboracionistët që i shërbyen fashizmit dhe u larguan bashkë me ushtrinë gjermane përtej kufijve të Shqipërisë.

Historia është histori dhe jo në shërbim të politikës. Heronj të vërtetë ishin këta që bënë luftën dhe derdhën gjakun për lirinë. Ishte lufta e tyre ajo që bëri që pas luftës, Fuqitë e Mëdha ta konsideronin Shqipërinë jo si bashkëpuntore të fashizmit e nazizmit, por si vend që luftoi krah aleatëve. Ishte ky gjaku që solli lirinë e këtij vendi… gjaku i martirëve të tillë do ta ruajë gjithnjë të kuqen e vet…

Please follow and like us: