Albspirit

Media/News/Publishing

Astrit Lulushi: Diamante

Diamanti është rezultat i presionit të tokës dhe kohësgjatjes ekstreme. Më e shkurtër koha, është kristal. Më pak se kaq është qymyri. Më pak se kaq janë gjethet e fosilizuara. Më pak se kaq është vetëm dhé. Këto janë jehonë e fjalëve të eseistit dhe filozofit skocez Thomas Carlyle, i cili shkroi:
“Atje ku nuk ka patur presion, është e kotë të kërkohet për diamante”.
Carlyle i referohej faktit se presioni është faktor vendimtar në krijimin e gjërave të vlefshme.
Presioni, pavarësisht nga ndjenjat shpesh negative që e shoqërojnë, mund të jetë motivues; ndihmon të ecim përpara dhe të përmbushim qëllimet tona. Siç thoshte shpesh legjenda e tenisit Billie Jean King:
“Presioni është privilegj”.
Një shkrimtar nuk punon kurrë në kushte të përsosura, përndryshe  veprat e tij nuk do të ekzistonin, sepse artisti nuk jeton në vakum. Duhet të ekzistojë një lloj presioni,   Por, jo pa fund.
Shpesh, presioni është një fjalë që keqpërdoret – “kur filloni të mendoni për presionin keni filluar të mendoni për dështimin”.
Për shumë njerëz, mënyra më e mirë për të harruar presionin është muzika – ajo e largon mendjen nga situata, ndërsa akti i fishkëllimës e liron presionin nga trupi.
Është e pamundur të bësh mirë nëse nuk je duke kaluar mirë. Njerëzit e suksesshëm kanë presion, por e shohin atë thjesht si argëtim, dhe vjelin të mirat e punës.
Ka shumë gjëra që e mbajnë njeriun zgjuar natën, por puna nuk është një prej tyre. Për sa kohë që beson në atë që bën, presioni nuk është gjë tjetër veçse hije e mundësive. Ndërsa Lebron Xhejms, yll basketbolli, thotë:
 “Unë bëj lojën time, rezultati vjen vetë”.
Presioni krijon dramë, emocion. Krijon edhe rezistencë; duke e lëshuar, jetojmë më me kujdes, pa grindje, dhe lëvizim në rrjedhën e nevojës më të lartë në të cilën jemi më të lumtur.
Pa presion, nuk ka diamante.
Please follow and like us: