Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: Kardinali Ernest Simoni, martiri i gjallë i kombit shqiptar

Kardinal Ernest Simoni, martiri i gjallë i Kombit shqiptar. Me rastin e 65 vjetorit të meshtarisë së tij , përcjellë nëpërmjet  Radio Vatikanit porosinë  e tij për zgjedhjet e 25 Prillit  në Shqipëri. Mendoni me pjekuri për të ardhmen e Shqipërisë, duke votuar të lirë dhe për ata njerëz që janë vërtetë gëzimi i popullit…

Në një bisedë në 65-vjetorin e meshtarisë së tij me Radio Vatikanin në gjuhën shqipe, Kardinali shqiptar, Ernest Simoni përshëndeti mbarë Kombin shqiptar duke thënë: “Si popull me bujari, me dinjitet kombëtar, me Gjergj Kastriotin në krye, të mundohemi që të gjithë të bashkohemi në një harmonizim fjale, mendimi e veprimi, lutjeje, përshpirtërimi, dashnije, për paqë, buzqeshje e lumturi për të gjithë popullin, para të Madhit Zot, në forcën e Tij hyjnore që ka me kenë dritë e dhënë prej qiellit, me pa të gjithë diellin që do shëndrit të gjithë popullin, në rast se na përshëndesim të Madhin Zot e lutemi…”. Me këtë rast, Kardinali shqiptar ofroi bekimin e tij drejtuar shqiptarëve kudo që janë, duke thënë: “Zoti Kjoftë me ju! Bekimi i Hyut të gjithëpushtetshëm, Ati e Biri e Shpirtit Shejtë, qoftë gjithmonë në zemrat tuaja! Rrnoftë Populli Shqiptar, Rrnoftë Shqipënia!” Radio Vatikani në gjuhën shqipe njoftoi se Kardinali shqiptar Ernest Simoni — i mbijetuari i burgjeve dhe internimeve të regjimit të egër komunisto-ateist të Enver Hoxhës – festoi, javën që kaloi, 65-vjetorin e meshtarisë.  Ka qenë 7 prilli i vitit 1956 atëherë kur Dom Ernest Simoni është shuguruar meshtar nga Imzot Ernest Çoba, ish-Arkipeshkvi i Shkodrës, i cili me një heroizëm të pashoq, vdiq edhe ai vet nën tortura mizore në duar të xhelatëve komunistë të burgut të Tiranës, në Janar të vitit 1980. Fatin e Imzot Çobës dhe të qindra klerikëve të tjerë në fillim të regjimit komunist due më vonë e pësoi edhe prifti i ri në atë kohë, Don Ernest Simoni – sot Kardinali i parë shqiptar – i cili kaloi tre dekada të jetës së tij në burgjet dhe kampet e internimit komunist të regjimit të Enver Hoxhës.

Kalvari i Don Ernest Simonit nisi në prag të Krishtlindjes të vitit 1963, kur ai arrestohet nga komunistët si “armik i popullit”, ndër të tjera akuza, edhe sepse kishte kremtuar një meshë pëkujtimore – siç është traditë e Kishës Katolike kushtuar të vdekurve – për shpirt të ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon F. Kenedi, i cili ishte vrarë në Dallas të shtetit Teksas vetëm disa muaj më parë. Si përfundim, Don Ernest Simoni arrestohet, burgoset, internohet, dërgohet në punë të detyruara, përfshirë handrakët e Shkodrës dhe në miniera.  Besoj se Kardinali Ernest Simoni të jetë i vetmi klerik katolik shqiptar ende i gjallë, i cili u mbijetoi torturave, burgjeve, kampeve të internimit dhe në përgjithësi barbarizmave që regjimi komunist i Enver Hoxhës kreu mbi klerikët shqiptarë të tre feve në përgjithësi — një barbarizëm që ishte veçanërisht brutal ndaj Kishës Katolike Shqiptare dhe përfaqësuesve të saj, siç ishte Don Ernest Simoni, në veçanti.  Kardinal shqiptar, mund të jetë i vetmi ndër klerikët katolikë të atij brezi të zhdukur nga Enver Hoxha, i cili “Rrnon ende për të tregue”. Jo se nuk dihej kjo e vërtetë, por u bë edhe më e qartë me shembjen e Murit të Berlinit dhe me lirimin e disa prej klerikëve që për fatin e tyre e tonin kishin mbetur ende gjallë “për të tregue”.  Klerikë si Kardinal Simoni dhe At Zef Pllumi, i cili me veprën e tij, “Rrno për me Tregue”, rrëfimet rrënqethëse të vuajtjeve të klerikëve katolikë shqiptarë dhe shumë të tjerëve.  30-e ca vjet më parë dhe me ndryshimet historike anë e mbanë botës ish-komuniste në Evropë, përfshirë Shqipërinë enveriste, këto tregime u bënë të mundura due u botuan, pasi diktaturat dhe diktatorët, përfshirë monumentet e tyre po ç’rrënjoseshin dhe po groposeshin, përfshirë Shqipërinë. Dom Ernest Simoni lirohet në vitin 1990, njëkohësisht filluan të hapeshin kishat e xhamitë.  Shqipëria nuk ishte më vendi i parë dhe i vetëm ateist në botë, sipas kushtetutës së diktaturës të vitit 1967 – “diktaturë kushtetuese”, siç e quajnë disa edhe sot në Shqipëri duke justifikuar pjesëmarrjen due mbështetjen e tyre ndaj atij regjimi sikur diktatura komuniste ishte e interesuar të zbatonte kushtetutën.  Me ndryshimin e sistemit, ushtrimi i fesë u bë i lirë përsëri, u hapën kishat e xhamitë, ato që kishin mbetur pa u rrënuar nga regjimi komunist i pa Zot dhe i pabesë.  Dom Ernest Simoni rifillon apostolatin e tij fetar e meshtarak në shërbim të Zotit dhe besimtarëve, të cilëve për pothuaj një gjysëm shekulli u ishte mohuar e drejta e ushtrimit të fesë në publik, megjithëse ka pasur shumë shqiptarë të guximshëm që e kishin ruajtur traditën e tyre fetare gjatë komunizmit, megjithëse mund ta pësonin keq po të diktohej një gjë e tillë nga regjimi komunist.

Ndërkaq, pas vizitës historike të Papa Gjon Palit të II në Shqipëri me 25 prill, 1993 —  në shtator të vitit 2014 Papa Françesku bëri vizitën e tij apostolike në Shqipëri që ishte edhe vizita e parë e tij në një shtet të kontinentit evropian.  Gjatë asaj vizite Papa Françesku u takua me Dom Ernest Simonin dhe dëgjoi dëshmitë mbi vuajtjet e tija nën regjimin komunist. Nga takimi me priftin e vuajtur shqiptar, Papa Françesku mallëngjehet deri me lot dhe emocionohet dukshëm nga tregimi i vuajtjeve të Dom Ernestit në burgjet komuniste, sa që e përqafon vëllazërisht të mbijetuarin e regjimit komunist të Enver Hoxhës, një fotografi kjo shumë domethenëse e që në atë kohë u transmetua anë e mbanë botës nga mediat ndërkombëtare.  Dy vjet më vonë, më 2016, Papa Françesku i akordon Dom Ernest Simonit titullin më të lartë administrativ e fetar – atë të kardinalit të Kishës Katolike – një titull nderi ky, pasi Dom Ernest Simoni e kishte treguar me vepra se kishte qenë gati të jepte edhe jetën për fenë e tij si dhe për lirinë dhe paqën e popullit të vet. Kardinali Ernest Simoni megjithëse i shkuar në moshë (93-vjeç) — edhe në këtë 65-vjetor të meshtarisë — vazhdon të jetë i interesuar për gjendjen aktuale të shqiptarëve, për të mirën e popullit të vet, për lirinë, paqën dhe mirëqenjën e bashkëkombasve të tij në Shqipëri dhe kudo ku janë ata.  Në këtë frymë vëllazërore dhe baritore, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – me rastin e 65-vjetorit të meshtarisë së tij – përcolli nëpërmjet radio Vatikanit në gjuhën shqipe — këtë porosi të gjithë atyre që me 25 prill do të hedhin votën e tyre për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, duke thënë:  “Po afrohen zgjedhjet. Zgjedhjet janë (shprehje) e vullnetit të lirë të popullit. I një populli të pjekur që kërkon dashuri, paqë, vëllazërim, mirësi e begati, për të gjithë. Secili mendon që me hedhë votën e vet, zgjedhjen e vet për njerëzit që janë vërtet, gëzimi i popullit. Çdo deputet që do të zgjidhet do të konsiderohet prej popullit në rregull, si një babë i dytë që përpiqet të zgjidhë vështirësitë që ka në anën jetësore ekonomike, me gjetë vende pune, me u interesu për edukatën e tyre, me ndejtë larg mëkatit, për të kriju nji shoqëri plot vëllazënim dhe nji buzëqeshje në zemër e në sytë e tyne, ashtu që kur të shohin deputetët, të jetë si me pa njeriun më të dashur të tyre.

 

Please follow and like us: