Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Risi në veprën e Xhafer Martinin
Xhafer Martini, figurë shumëdimensionale
Ditë më parë Miranda Goleci më dhuroi një libër krejt të veçantë që në titull “Të tjerët për Xhafer Martinin”. E shfletova shpejt dhe mu duk një dukuri e re në shkrimin për figura që kanë bërë emër në shoqëri. Është një libër krejt ndryshe, ku siç e përcakton Miranda Goleci, u shkrua për Xhafer Martini, nga të njohurit e tij për veprën letrare të tij, që shquhet si një enciklopedi e vlerave kulturore dhe njerëzore të Dibrës dhe më gjerë.
Kështu u bë inisiatore për përgatitjen e këtij libri të veçantë dhe me risi të reja. Ajo e përgatiti librin pasi për një kohë të gjatë siç shprehet ka pasur fatin të jetë redaktore e disa prej botimeve të Xhafer Martinit, si “Filozofia popullore” (2017), “Pedagogjikja, personalitete” (2018), “Haziz Ndreu, personaliteti, krijimtaria” (2019), “Pasqyra e thyer” (2022). Kështu ajo është bërë dhe lexuesja e parë e veprës së tij, duke i dhënë mundësinë ta njoh nga afër në procesin e bashkëpunimit autor-botues.
Duke parë prurjet e Xhafer Martinit në letërsinë shqipe dhe të kohës, duke analizuar thjeshtë librat e kaluara në dorën e saj, dhe me ndihmën e mjaft njerëzve publik nga Dibra dhe më gjerë përgatiti dhe botoi librin shumë domethënës “Të tjerët për Xhafer Martinin”. Miranda Goleci si përgatitsja e këti libri disi të veçantë dhe ndryshe, por me risi të reja ka theksuar për disa nga libart e autori që i ka kaluar nëpër duar. Kështu në librin “Filozofia popullore” autori ka vjelë lëndë ku është mishëruar filozofia popullore dhe e ka qasur me filozofinë e mirëfilltë të kohës. Ndërsa në librin “Pedagogjikja, personalitete”, ka paraqitur “Shkollën e Vashave”, të hapur në Sllovë në vitin 1890. Libri “Haziz Ndreu, personaliteti, krijimtaria”, Xhafer Martini ka hyrë në shpirtin njerëzor të personalitetit të figurës së Haziz Ndreut duke e paraqitur në gjerësi, në thellësi dhe në mjeshtëri. “Pasqyra e thyer” e botuar në vitin 2022, jepen personalitete të kryqëzuar në jetën e përditshme, ku dëshmon se jetët e njerëzve u ngjajnë pasqyrave, që pak kanë mbetur të pathyer.
Xhafer Martini si studiues i mirëfilltë, shkencëtar në mbledhjen dhe kodifikimin e “Kanunit të Dibrës” vjen si figurë shumëdimensionale, tregimtar i mrekullueshëm, prozator i fuqishëm, shkrimtar dhe encikloped i vlerave kulturore dhe njerëzore të Dibrës e më gjerë.
Mua si lexues i rregullt i mjaft librave të publikuar nga autorë dibranë, të cilët i admiroj dhe i vlerësoj për pasqyrimin e historisë, kulturës, traditave, zakoneve dhe çdo rituali të vjetër dhe të ri, ky libër më tërhoqi, për atë ç’ka shkruajnë “të tjerët” për një figurë të njohur të Dibrës dhe të Shqipërisë. I vlerësoj shumë mendimet, sugjerimet dhe kujdesin e respektin që kanë për njeri-tjetrin dhe konkretishtë për shkrimtarin e disa gjinive Xhafer Martini. Libri është i thjeshtë, por plot frymëzim dhe shpresë për “të tjerët”.
Rreth përmbajtjes së librit
Libri “Të tjerët për Xhafer Martinin” është shkruar me shumë dashuri dhe vërtetësi nga autorët: Akademik Shaban Sinani ka theksuar se Xhafer Martini u shfaq si emër publik në fillimin të viteve 1970 dhe ka lundruar me sukses në art e shkencë, duke u rënë pash më pash llojeve e nënllojeve të tyre, prej vjershave e përrallëzave për fëmijë deri te romani; prej lëndës së trashëguar nga brezat dhe tregimet e jetuara deri te gjinitë e mëdha rrëfimtare të artit të bukur; prej alegorisë e filozofisë popullore tradiconale deri te kanunet; duke kapërcyer me sukses prej mbledhësit të letërsisë etnografike, sidomos të asaj etnojuridike, deri te studimet e thella monografike, më të bukurat prej të cilave janë ato të rrafshit krahasues.
Ndërsa dr. Agron Tufa është shprehur se Xhafer Martini na ka lënë shumëçka me të cilën të mrekullohemi e të mburremi: nga godina madhështore e trashëgimisë juridike Kanuni i Dibrës, tok me tregimet jetësore që ilustrojnë rastin e gjyqësisë së pleqve, tek Tregime alegorike, Filozofia popullore, Perlat e Dibrës deri te një varg librash të shkëlqyer monografike si Halil Alia, Gjenerali me shajak, Haziz Ndreu, Pedagogjikja etj.
Prof. asoc. dr. Vesel Hoxha, thekson se Xhafer Martini është jo vetëm shkrimtar e poet, por dhe një studiues i spikatur, ku vendlindja ka qenë burim frymëzimi për shkrimet e tij. një tjetër prurje për Xhafer Martinin bie në libër prof. dr. Ibrahim Milushi, ku thekson dhe përforcon risitë e librit “Kanun”. Nga dr. Fejzulla Gjabri, gjejmë shkrimin se shkrimtari ka një vend në panteon. Ramiz Gjini analizon dy libra të rinj të shkrimtarit, duke e vënë theksin tek tradita dhe kultura dibrane, ndërsa dr. Ramazan Buci, thekson rëndësinë e librit “Shekspiri dhe kanuni”. Ndryshe shkruan dhe përshkruan Hysen Uka, duke dhënë mendime rreth botimit “Kanuni”.
Tjetër prurje për Xhafer Martinin ka Bujar Karoshi, i cili thekson se shkrimtari ka hapur shtigje të reja për studiuesit dhe kërkuesit e ardhshëm. Interesante në libër është dhe intervista e Shaqir Skarra, ku tërheq vëmendjen se libri i shkrimtarit është zgjatim i kujtesës dhe i përfytyrimit të njeriut.
Natyrshëm në një libër të tillë nuk mungon dhe jetëshkrim i shkurtër, krijimtaria e Xhafer Martinit në vite, si dhe botime të tjera të autorit, si kritikë letrare, publicistikë, por dhe vlerësime të shkurtra nga autorë të ndryshëm.
Jetëshkrim i shkurtër
Xhafer Martini ka lindur më 4 maj 1941. Ka kryer shkollën 7-vjeçare “Demir Gashi”, Peshkopi në vitet 1953-1956, shkollën e mesme pedagogjike, Peshkopi në vitet 1956-1960, si dhe Universitetin e Tiranës (Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Dega Gjuhë Letërsi Shqipe) me shkëputje nga puna në vitet 1966-1970.
Me përfundimin e shkollave ka punuar mësues gjuhe dhe leximi letrar në shkollë shtatëvjeçare (1960-1966), ndërsa në vitet 1966-1970 kreu studimet universitare. Pas universitetit punoi korrespondent i ATSH-së për rrethet Diber-Mat (1970-1973), më tej drejtor i Shtëpise së Pionierit, Peshkopi (1973-1974), mësues gjuhe në shkollën tetëvjeçare “Demir Gashi”, Peshkopi (1974-1988), mësues letersie në shkollën e mesme të përgjithshme, Peshkopi (1988-1997) si dhe del në pension në vitin 1997. Përsëri është angazhuar në punë dhe në vitet 2002-2003 ka kryer detyrën e korrespodent të ATSH për Dibër, Bulqizë e Mat.
Krijimtaria e Xhafer Martinit nis me vëllim me poezi “Tinguj rinore” të botuar në vitin 1967, ku ishte student, për të vazhduar më tej me vëllimin me poezi “Kur bie shi”, në vitin 1973. Nga kjo kohë iu kufizua përmbajtja lirike, kështu që Martini hoqi dorë nga poezia duke u hedhur në prozë.
Në vitin 1975 ka botuar vëllimin me tregime “Mëngjes prilli”, dhe tregime për moshën parashkollore “Zana dhe gjyshi”, si dhe “Agimi i asaj dite” novelë për pionierë. Në vtin 1976 botoi poemën për parashkollorët “Traktori dhe vetura”, në vitin 1977 vëllimin me përralla “Fitorja e Bletëve”, si dhe “Altini mëson në shkollë”. Në vitin 1978 botoi vëllimin m etregime “Fëshfërinte pylli i Mështekave. Viti 1982 nisi me romanin”Sot dhe nesër”, ndërsa në vitin 1986 botoi vëllimin me tregime “Fytyra e miqësisë”. Në kohën e demokracisë ka botuar: “Elez Isufi” monografi (1994), “Perlat e Dibrës”, “Gjakmarrja”, “Dashuri me shikimin e parë” (1999), “Pajtimi në traditën popullore” (2001), “Kanuni i maleve të Dibrës”, “Rrahim Gjika” monografi, (2003), “Kujtim Frangu” monografi (2004), “Hoxha i Blliçës” monografi (2005), “Bujar Kaloshi” monografi (2006), “Ndregjonët” monografi, “Kaq shumë gurë u hodhën përmbi mua” studim, “Pedagogjikasit”, “Kanuni i Dibrës” (2007), “Fjala priu”, “Perlat e Dibrës”, “Optika e Schmit-it për Skënderbeun” (2008), “Fashti mosqofsh” roman (2009), “Dsama me 300 nuse”, “Proza popullore në prerjet rrethore (2010), “Kur vdiste kanuni” roman, “Novela”, “Gjenerali me shajak” (2012), “Kanun” (2013), “Një vend në panteon”, “Tempulli i dashurisë” (2014), “Shekspiri dhe kanuni”, “Halil Alia” roman (2015), “Kanuni i Dibrës” botimi i tretë, “Arbër Xhaferi” studim monografik (2016)… dhe “100 personalitetet e gomarit të madh” (2022), “Eseistika e Kadaresë” (2023), si dhe botime letrare dhe publicistikë.
Kështu është mbushur ky libër i veçantë dhe plot risi të reja që dibranët i kanë bërë dibranit të tyre, plot respekte, mirësi dhe dashuri.