Bardhyl Londo: DIKTATORËT
Dhe ishte një hotel i madh në Moskë
me një emër të çuditshëm Kozmos.
Unë desha të bërtas poshtë diktatorët me mustaqe,
sytë e tu të trembur klithnin “mos”.
Dhe ishte një hotel i vogël në Spanjë,
me një emër të bukur Dos Passos.
Unë desha të bërtas poshtë diktatorët me uniformë,
dora jote dridhej,” kemi fëmijë, mos”!
Dhe ishte një hotel në Tel Aviv,
nuk e mbaj mend mirë, ndoshta Amos Oz.
Unë desha të bërtas poshtë diktatorët me sy, pa sy,
buza jote dridhej “fëmijë kemi, mos”.
Dhe ishte një hotel që s’harrohej kurrë,
në qytetin e engjëjve Los Anxhelos.
Unë desha të bërtas poshtë diktatorët makartistë,
kurmi yt dridhej i gjithi: mos, mos…
Dhe ishte një hotel në Ballkan,
me një emër të veçantë Demos,
Poshtë diktatorët me brekushe bërtita
klithma jote gojën më mbylli “mos”.
Kështu u enda qyteteve, hoteleve,
bota ka temperaturë, zien në kaos,
diktatorët ngrejnë dolli me gjak njeriu,
zëri yt dridhet “kemi fëmijë, mos…”.