Shqiptari, romani i ri i Luan Ramës
Fragment romani
* * *
Një javë dashuri. Një javë… Nga e enjtja deri të enjten tjetër. Binte shi.
Pasi mbaronin darkën, ai mbyllte hotelin me njerëzit e paktë që ishin aty: një çift i vjetër nga Normandia, një grua spanjolle me fëmijën, ikur të tmerruar nga Barcelona, kur Republika e re spanjolle po jepte shpirt; një plak i mjerë që thoshte se ishte një protestant “Huguenot”, çifti i moshuar Rozhe dhe Katerina si dhe një djalosh 9 vjeçar, një lloj Gavroshi që kishte mbetur jetim dhe endej qytezave të asaj zone, pasi s’kishte ku të rrinte. Mazi u thoshte ‘natën e mirë’ dhe ngjitej shpejt në shtëpi, ashtu si i dehur, duke i marrë shkallët me një frymë.
Ajo e priste duke e mbytur me të puthura.
Natën e parë ajo i tha:
– Ti më solle përsëri në jetë… Tani i ndjej të gjitha aromat e jetës. Dhe nata më e zezë më është e bukur, pasi të shoh ty.
– Mua?
– Po… pasi unë jetoja në ankth, si në një tunel të errët, me idenë se nuk do të agonte më, se tashmë ishte fundi i botës.
Dhe ajo kërleshej me të, i ngjishej pas trupit në një ekstazë marramendëse. Lozte, dehej, bëhej lozonjare. Një ditë nga radio dëgjuan një muzikë kabareje të Parisit dhe ajo nisi të vallzonte në sallon. I pëlqente të kërcente. Rrotullohej dhe rrotullohej dhe fustani i saj ngrihej duke treguar ato këmbë të bukura, si të një balerine. Një çast zgjati dorën dhe e tërhoqi Mazin në kërcim, po ku dinte të kërcente ai. Ajo qeshte me të dhe e ngacmonte. Pastaj e tërhiqte drejt vetes me forcë dhe rënkonte nga lumturia që e kishte pushtuar, nga kënaqësia e një seksi tjetër, të fuqishëm. Pastaj kur vinte në vete, këndonte një këngë që i pëlqente dhe atij:
“Si tu veux faire mon bonheur
Marguerite, Marguerite
Dons moi ton cœur!…”
Ishte një këngë e vjetër: “Nëse do të më lumturosh, / Margaritë, Margaritë, / ma jep zemrën tënde”… Dhe pastaj ai e shoqëronte. Në refren ai nuk thoshte Margarite por Eleonorë… Ajo qeshte e shkrihej si gruaja më e lumtur në botë, edhe pse ishte luftë edhe pse burri i dashur i saj ishte diku larg. Ku vallë? Ishte një enigma që herë-herë e mundonte.
Natën e dytë ai e pyeti:
– Pse më do? Ti e di… Nuk mund të jetojmë bashkë. Unë kam një grua dhe një fëmijë që më presin, ti ke Sharlin. Ai do të kthehet.
– Ah, pusho… – dhe ajo i vinte gishtin e saj butësisht mbi buzë që ai të mos fliste më. Por ai zë vazhdonte:
– Të lutem! Le t’i harrojmë fatkeqësitë tona… Të shpresojmë!
Pastaj mendohej, trishtohej dhe niste një dënesë që atij i këpuste shpirtin.
– As unë nuk dua të ndodhë kjo por është e pamundur. Nuk mund ta mposht dot vetveten. Mazi, është e pamundur!
Natën e tretë ajo ishte shtrirë në shtrat me të.
– Mazi, e di?
– Çfarë?
– Po jetoj ditët më të bukura të jetës sime… Tani nuk kam më frikë nga asgjë, as nga bombat, as nga vdekja.
Mazi e shikonte i habitur atë dhe vetveten, i dukej se kishte një engjëll në krahët e tij.
Kjo aventurë për Mazin ishte diçka krejt e re, e panjohur më parë dhe që tashmë e kishte pushtuar shpirt e trup e që ditë me rradhë do ta linte pa gjumë. E dehte dhe e çonte në botë të tjera. Kur punonte në minierë, bashkë me disa shqiptarë të tjerë, shkonin në shtëpitë publike, “Les Maisons closes” apo siç i quanin ndryshe “Shtëpitë e gëzimit”. Ishte një lloj argëtimi, një shfryrje dëshirash seksuale që zakonisht ndodhte të djelave kur nuk punonin në minierë. Seksi bënte pjesë të dukshme në jetën e shoqërisë franceze dhe kjo prej shekujsh. Në “Rrugën e Katër Virgjëreshave” ishin dy shtëpi publike dhe zonjushat e “gëzimit” rrinin nëpër rrugë, mbështetur në cepat e dyqaneve, në kthesat e rrugës, me ato fundet e shkurtra dhe bluzat e holla që zbulonin hiret e tyre. Atje prisnin klientët e tyre e pastaj bashkë me ta ngjiteshin lart për tu gëzuar. Por tani për Mazin ishte ndryshe. Kjo që po i ndodhte ishte dashuri, një ndjesi që kurrë nuk e kishte ndjerë në jetën e tij. Ato ditë jo rrallë i rivinte jeta e tij e dikurshme bashkëshortore, shtrati i atyre gjashtë muajve që jetoi me Safon, gruan e tij, fytyra e saj, por mjerisht asnjëherë nuk e kishte parë nudo se ajo ia fshihte lakuriqësinë e saj. Ishte e ndrojtur, timide, nuk dinte të puthte, madje kur do bënin seks, ajo shkonte dhe shuante kandilin, pastaj i futej në shtrat si një hije dhe ai i kthehej duke e pushtuar me krahët e tij. Por Safo, edhe pse një grua e fuqishme dhe me këmbë të forta i mbante rënkimet e saj, kafshonte buzët që të mos rënkonte, pasi kushedi çdo të mendonte burri i saj, zoti i saj. Kjo ishte kënaqësia e saj e vetme. Pesë minuta më pas ajo ngrihej, lahej, rivinte në shtrat dhe pa folur i kthente kurrizin. Nuk kishte fjalë të ëmbla, përgjërime, nuk kishte dehje dhe udhëtime mbi trupin e njëri-tjetrit. Seksi për Safon ishte një lloj turpi, ishte thjesht një akt për të patur fëmijë…
Please follow and like us: