Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Dhurata

Skicë
Atë ditë duhej të zgjidhja një dhuratë të veçantë për miken time të dashur. Mendimet përqafoheshin me njëra-tjetrën me gëzimin e dhurimit, me gëzimin e urimit dhe unë duhej të vendosja rregull, t’i bëja të heshtnin për një çast dhe të më dëgjonin si të isha unë udhëheqësja, drejtuesja e tyre. Por zhurma fillonte përsëri dhe mendimet lodronin me vallen e tyre të haresë brenda shpirtit, tek më linin gojëhapur përpara dhuratave që parakalonin me ëmbëlsinë e tyre, tek më joshnin dhe më tregonin se cila ishte më e bukur nga njëra-tjetra. Buzëqeshja tek ndjeja ëmbëlsinë e dashurisë së dhurimit, e cila si një juri, vendoste çmimin dhe më bënte të ndihesha si në një sfilatë, ku parakalohej me madhështinë e shpirtit drejt përqafimit të fitores së zgjedhjes.
Një trokitje më shkundi nga ëndërrimi, bashkuar me dashurinë për të bukurën, për të ëmblën, ndjenjë që më kishte mbërthyer me magjinë e saj, me bukurinë e dhurimit, a thua se gjendesha në dhomën e dëshirave, e më duhej vetëm të vështroja dhe të zgjidhja.
Vazhdova të ecja sa në njërin dyqan tek tjetri, e shkujdesur, por me ëmbëlsinë që më tërhiqte me dorën e saj si prej fëmije, dorë e butë që mbërthehesh tek unë, e nuk më le pa shtrëngimin tënd, tek më shoqëron me fjalën tënde, pëshpërimë që shqipton emrin e mikes sime të shtrenjtë, e cila më priste pa e ditur vështirësinë e ëmbël të zgjedhjes që po kaloja për të, për ditën e saj më të bukur, që do të më bënte të lumtur, që do të na bënte të lumtura.
Befas, sytë e mi shndritën prej dëshirës që po fliste me mua duke trokitur në xhamin e qelqtë të mendimit, tek m’u shfaq në vitrinë ai peizazh i bukur me ndriçim vezullues, me dritë që simbolizonte diellin, hënën, yjet, qiellin blu, mëngjesin e kaltër me retë në udhëtim, ujrat e ëmbla që rridhnin drejt bashkimit me oqeanin e pafund, zogj që fluturonin mbi ujrat e ëmbëlsisë, natyrë e qetë e ditëve të qeta, e mbi gjithçka, shndriste një yll drite, tek fliste me ndriçimin e hënës së praruar, me gjuhën e agimit të mëngjesit që dashurohet me ditën, me heshtjen e misterit të dhurimit që shoqëronte atë tablo, e cila qëndronte përpara meje tani, fitimtare se më mundi, tek u dorëzova, tek vendosa, sepse brenda saj foli dielli, foli hëna, foli dita, folën zogjtë, folën retë, folën ujrat, e unë i dëgjova nën zhurmën e ëmbël të dëshirës që më rrëmbeu dhe më tërhoqi me ëmbëlsinë e saj brenda dyqanit të vogël ku ndodhej ajo mrekulli pamjeje, e cila më përqafoi me botën e ëndrrës.
Brenda atij peizazhi dallova dorën e magjisë së krijimit, dorën e madhështisë së tij, dorë që krijoi natën dhe ditën, që krijoi Universin, ku jeta merr kuptim nga dashuria, ku jeta nuk jetohet pa dashurinë e ekzistencës së qenies sonë në bashkim dëshirash, ashtu si kjo dhuratë për miken e shtrenjtë të shpirtit, të cilës po i dhuroja një det me dashuri, një qiell me dashuri, një diell me dashuri, gjithçka prej krijimit të dashurisë, gjithçka prej shpirtit të dashurisë.
Please follow and like us: