Albspirit

Media/News/Publishing

Diokleciani, ushtari ilir që u bë një nga perandorët më të mëdhenj të Romës

Më 1 maj të vitit 305 Diokleciani (nga fisi ilir i Diokles) dhe Maksimiliani (dhe ky po ilir) tërhiqen nga postet e perandorit romak, duke ia lënë perandorinë Konstantius Chlorus – babai i Konstandinit të Madh dhe themelues i dinastisë Konstantiniane.

Diokleciani lindi në Salona të Dalmacisë ilire më 22 dhjetor 245. Vdiq po aty më 3 dhjetor 313.

Perandor

Më 20 nëntor të vitit 284, Diokleciani u shpall perandor i Romës nga ushtarët e tij të Legjionit të Lindjes. Vendosja e tij si perandor i Romës ishte një pikë kthese për vetë perandorinë, e cila vinte nga një fushatë e gjatë gjakderdhjesh.

Diokleciani lindi në Iliri dhe ishte i biri i një skllavi të senatorit Anulino. Por megjithatë, ai bëri karrierë ushtarake, deri sa u zgjodh perandor më 20 nëntor të vitit 284. Ai zëvendësoi Numerianin, i cili u vra, së bashku me të afërmin e tij regjent, Karinon.

Diokleciani e gjeti perandorinë të zhytur në anarki. Për një gjysmëshekulli, në Romë ishin vrarë 26 gjeneralë që ishin shpallur perandorë. Megjithatë, Diokleciani arriti që të vendoste rregull në perandori për 20 vjetët e sundimit të tij. Perandoria Romake u kthye në monarki absolute.

Pushteti u nda ndërmjet katër tetrarkëve dhe roli i qytetit të Romës u reduktua vetëm në çështje administrative. Për ta bërë më të lehtë administrimin e perandorisë, Diokleciani e ndau atë në katër rajone, ku secili kishte kryeqytetin e tij administrativ

Meritat

Merita e Dioklecianit ishte ndarja e pushtetit perandorak në dy Augustë dhe dy Çesarë, ku çdonjëri prej tyre ishte sundimtar fuqiplotë në pjesën e perandorisë që i takonte. Diokliciani u shpall Augusti Suprem dhe si August të dytë emëroi Maksimianin, i cili gjithashtu ishte prej gjakut ilir, ndërsa dy Cezarët kishin një gradë më poshtë se Augustët. I pari ishte Konstandini me origjinë nga Dardania (e ëma e tij ishte mbesa e perandorit Klaud). Diokleciani sundoi rreth 21 vjet derisa në moshën 59-vjeçare dha dorëheqjen.

Dihet botërisht se Diokleciani si burrështetas krahasohet vetëm me Oktavian Augustin dhe konsiderohet si njëri ndër reformatorët më të mëdhenj që ka njohur shoqëria njerëzore. Diokleciani mori pjesë gjatë gjithë periudhës së tij të sundimit në luftëra të shumta, që i kurorëzoi me fitore të bujshme, njësoj si Klaudi II, Aureliani dhe Probi. Edhe atij historia romake nuk i rezervoi asnjë humbje.

Nga perandor i Romës në qytetar romak

Diokleciani është i vetmi në të gjithë historinë romake, që u kthye me vullnetin e tij të lirë nga Perandor i plotfuqishëm i Romës në qytetarë i thjesht. Më 1 maj 305, me një ceremoni madhështore u bë ndërrimi i pushtetit. Dy augustët, Diokleciani dhe Maksimiani u tërhoqën në favor të dy cezarëve të tyre, Konstancit dhe Galerit. Augustët e rinj duhet të zgjidhnin jashtë fëmijëve biologjikë të tyre, dy cezarë të tjerë.

Rëndësia e Dioklecianit

Diokleciani është njëri ndër perandorët më të mëdhenj që njeh historia e Romës. Ai e nxori Perandorinë prej luftërave civile që zgjatën për pesëdhjetë vjet rresht, ku kishin sunduar njëzet perandor të ligjshëm dhe po kaq uzurpatorë.

Ai hoqi dorë prej idealeve republikane të Oktavian Augustit, ku Perandori ishte primus inter pares (i pari ndër të barabartët) dhe u dha fund iluzioneve se qeverisja imperiale është çështje e përbashkët e Perandorit, ushtrisë dhe Senatit, duke vendosur në vend të saj një strukturë autokratike. Diokleciani ishte gjeni në organizim, ashtu si Oktavian Augusti dhe shumë krijues në reformat e tij. Tetrarkia e Dioklecianit filloi procesin e ndarjes midis pjesës lindore dhe perëndimore të Perandorisë dhe falë gjenialitetit të tij shteti romak mbijetoi si i tërë edhe për dyqind vjet të tjera, gjatë të cilave tributë barbare u përshtatën me qytetërimin romak dhe kur pjesa perëndimore e Perandorisë u shemb, këto tribu ishin të prirura për ta ruajtur qytetërimin romak dhe ta kalonin trashëgiminë e tij në Mesjetë, prej të cilës ruhet edhe sot në kulturën evropiane.

Gjenialiteti i Dioklecianit që krijoi dy dhe pastaj katër qendra pushteti ndikoi që pjesa lindore e Perandorisë të mbijetojë për plot njëmbëdhjetë shekuj, praktikisht më shumë se çdo shtet tjetër në historinë e njerëzimit.

Veçanësitë:

– Dëshmitari suprem i madhështisë, njëri ndër tre perandorët që historia romake admiron më tepër.

– Ashtu si Augusti në fillim, edhe Diokleciani në kohën e tij, për revolucionin e thellë që i bëri organizimit shtetëror, konsiderohet si themeluesi i një perandorie të re.

– I vetmi perandor i Romës që e ka lëshuar vullnetarisht pushtetin.

– E kanë quajtur “Burri i shekullit të artë”, për të dëshmuar madhështinë e revolucionit dioklecianas të shtetit dhe shoqërisë./American Eye

Please follow and like us: