Albspirit

Media/News/Publishing

Denis Dyrnjaja: Gara e shfrenuar për titullin Dumani!

Është bërë e zakonshme që shumë ngjarje, personazhe apo dukuri shndërrohen në trend mediatik. Pa droje mund të thuhet se trendi momental, por edhe trendi i vitit mesa duket është shndërruar as më shumë dhe as më pak por vetë kreu i Prokurorisë Speciale për Krimet e Rënda dhe Korrupsionin SPAK, z Altin Dumani. Në traditën e personazheve të vitit, Dumani është njëri ndër personazhet jo vetëm të kuotuar, por në mënyrë masive është përzgjedhur me shumë gjasë nga vetë drejtuesit e këtyre mediave si fitues i anketave, pasi nuk ka të dhëna apo transparencë për votimin e kryer. Kryesisht kriter kryesor në këtë çmim honorifk është arritja e një suksesi që e dallon personazhin apo personazhet në raport me konkurrentët e tjerë. Sigurisht që vlerësimi për punën e drejtuesit të prokurorisë speciale mund të konsiderohet si nje gjest motivues për punën e tij dhe institucionit që drejton, por nëse do merreshim me kriterin e meritokracisë z. Dumani, nuk ka bërë asgjë me shumë se sa detyra që ka në funksion. Thënë kjo nuk është se ai ka kryer ndonjë mision të jashtëzakonshëm që do të duhej të merrte vërtetë çmimin e publikut. Dhe akordimi i njeriut të vitit kërcet disi në raport, fjala vjen me arritjen e jashtëzakonshme të ekipit kombëtar të futbollit që u kualifikua në vendin e parë në grup për Kampionatin Europian të Futbollit. Pra të kryesh detyrën nuk duhet parë si bonus ekstra publik, por si shërbim i detyruar ndaj qytetarëve dhe shtetit. Dhe përtej kësaj nuk është se SPAK-u ka arritur me sukses të përmbyllë ndonjë çështje të rëndësishme që të mund të ketë prodhuar pasoja të rëndësishme këtë vit për jetën e qytetarëve apo vendit. Nëse çmimi “NJERIU I VITIT” akordohet thjeshtë për motivim, atëherë qëndron edhe logjika e këtij privilegji publik. Ndaj diçka nuk shkon në këtë logjikë, sepse duke dashur të shprehin merita, mediat po ndërtojnë një mit të panevojshëm për z. Dumani, që krijon një perceptim spekulativ për profilin e rëndësishëm, por edhe delikat të tij. Ndaj nxitimi për ta veshur me atribute kreun e akuzës në momente shumë delikate si këto që SPAK-u po kalon, ku ka në proces shumë dosje të nxehta dhe të papërfunduara e hiperbolizon në mënyrë të panevojshme heroizmin e paqenë të tij. E gjithë kjo tendencë servilizmi të krijon një shije në kufijtë e një lëpirjeje të neveritshme. Publiku nuk ka nevojë t’i serviren mite të rreme e çmime sugjestionuese për arritje fiktive. Çmimi i njeriut të vitit do të ishte tërësisht i merituar nëse z. Dumani dhe SPAK-u do të prodhonin efekte reale në standardin e jetës publike, duke çuar para drejtësisë me prova, njerëzit që kanë shkelur ligjin e kanë përfituar në mënyrë të padrejtë me ndikimin e tyre në politikë, biznes apo fusha të tjera. Kjo ende nuk ka ndodhur të paktën deri sot. Pra asnjë çështje e rëndësishme nuk është kurorëzuar me sukses me vendime të formës së prerë në gjykata. Shumë afera mbeten ende pa autorë dhe përgjegjës të pa çuar para ligjit dhe drejtësisë. Oligarkët e politikës dhe veçanërisht ata të biznesit, që kanë monopolin e vendimmarrjes në dëm të interesave publike janë ende të lirë dhe vijojnë të veprojnë të qetë bashkë me klanet e tyre. Asnjë hetim nuk ka deri sot për tregjet e monopolit në të ashtëquajturit investitorë strategjikë. Burimet financiare të tyre, si gllabërojnë territore për ndërtime, apo a janë shndërruar ata në “lavatriçe të pastrimit të parave të pista” asnjë hetim në tregun e hidrokarbureve ku gjithçka është shndërruar në oligopol, tregun e sigurimeve, apo monopolin në sektorin e shëndetësisë, ku gjithçka kontrollohet nga pak njerëz që në marrëveshje me njëri tjetrin kanë përcaktuar çmimet e tregut duke shuar konkurrencën që është në favor të qytetarëve. SPAK-u u krijua për të hetuar njerëzit e fuqishëm që kanë sfiduar, deformuar apo përdorur ligjin për interesa të tyre e kjo akoma nuk ka ndodhur. Peshkaqenët e biznesit ndaj të cilëve duhet të veprojë SPAK-u vijojnë qetësisht të shtojnë fitimet e tyre e majmen dhe këtë e shohin të gjithë, përveç institucionit të z Dumani. Deri tani është prodhuar me sukses një zhurmë tollovitëse mediatike për tronditjen e madhe në botën e pistë të politikës, por asgjë konkrete, asgjë e finalizuar. Po kështu është dhe situata me peshkaqenët spekulativë të biznesit që “gllabërojnë” çfarë iu do qejfi nën moton e fuqisë se diçka që nuk blihet me lekë, blihet edhe me më shumë lekë. Kur kjo tronditje të ndodhë realisht, atëherë Altin Dumani nuk do të kishte nevojë të shpallej njeriu i vitit, por me meritë të plotë do t’i takonte titulli “NJERIU I SHEKULLIT” për një ndryshim real epokal aq të shumëpritur nga shqiptarët. Ndryshe e gjitha është një përkëdhelje sedre që më shumë e dëmton dhe shfokuson se sa e nderon kryeprokurorin “e hekurt” që rrezikon të humbasë fortësinë e tij nga deliri i mëkuar, ndoshta nga mëkatarët që mund të jenë në të ardhme edhe subjekte të ligjit dhe hetimit nga Dumani dhe kolegët e tij. Të të japin çmim nuk është as e ndaluar dhe as krim, por varet se si individi e pret këtë vlerësim. Distancimi dhe modestia janë garantët e integritetit që do të duhej që kreu i prokurorisë së posaçme mos ta kompromentonte veten për pak famë të rreme. Realizojeni si duhet dhe vërtetësisht misionin dhe nuk do të keni nevojë për çmime modeste z. Dumani, sepse historia do t’iu krijojë në mënyrë të natyrshme ndoshta një çmim të emërtuar si “Çmimi Dumani”. Por për të arritur këtu duhet punë, rezultate e sakrifica si ato që kanë bërë prokurorë legjenda si Falcone e Borselino në Itali përballë mafies, që i përkasin jo vitit, por historisë. Juve e keni në dorë vetë nëse doni të jeni thjeshtë një njeri i përkohshëm, pra i një viti apo i një shekulli z. Dumani.
Please follow and like us: