Albspirit

Media/News/Publishing

Behar Metohu: Lotët e emigrantit

 

Tregim 

 

Sapo u ula në këndin e një tavoline të madhe pranë një resorti, për të pritur të kthehej djali, ku diku pas një makine “Toyota”, të parkuar aty pranë dallova një siluetë njeriu me një kapele sportive të bardhë. Ai po drejtohej për tek hija e freskët, ku ndodhesha unë. Ishte i zi i tëri i veshur me një bluzë sportive, pantallona të shkurtra dhe kapelja e bardhë kontrastonte dukshëm mes lëkurës së tij të zezë, që nën ndriçimin e diellit të fortë, silueta e tij e gjatë shquhej gati e frikshme mbi sfondin e bardhë të rërës dhe gjelbrimit. Hija e siluetës së tij kaloi pranë këmbëve të mia. Ishte ora dymbëdhjetë e drekës. Ai zuri cepin e tavolinës në krahun tjetër dhe pasi qëndroi pak çaste më hodhi vështrimin plot kurreshtje. Edhe unë në fakt, nuk ia kisha ndarë sytë, që nga momenti që zbriti nga “Toyota”. Hija e tij e zezë dhe kapelja e bardhë ishin ato që u bënë shkak për kureshtjen ndaj tij. Por, jo vetëm kaq, por për herë të parë po qëndroja përballë një të panjohuri me ngjyrë.

Makinat hynin e dilnin pambarim në atë qendër kompleksi, por njerzit nuk qëndronin nën hijen, ku ndodheshim ne. Ishte një park në fakt pushimi, në Majemi, ku lëvizjet, sidomos në fundviti para Krishtlindjeve ishin të dendura. Nga ajo pikë, ku po qëndroja për rreth tridhjetë minuta vura re se njerëz, të të gjithë racave shfaqeshin dhe zhdukeshin papritur. Të gjithë ose zbrisnin nga taksitë e porositura ose nga makinat e tyre. Temperatura e lartë rreth 30 -32 grad celsius në dhjetor ishin përtej kënaqësisë, për ata që vinin nga vëndet e ftohta. Plazhet e shumta të Floridës në këtë kohë janë të mbushur me turistë, jo vetëm nga kontinenti Amerikan, por dhe nga e gjithë bota.

 

Ai bëri një lëvizje të shpejtë duke futur dorën në xhepin e pantallonave të shkurtëra xhins, nga ku nxorri një celular. Në fakt dikush e kishte thërritur. Ai po fliste me gjuhën e tij,që dukej se ishte nga ndonjë vend afrikan. Ai nuk tha asnjë fjalë në anglisht. Fytyra e tij befas u vrenjt duke shfaqur një seriozitet që nuk i shkonte moshës së tij të re. Nuk dalloja qartë tiparet pasi bukuria e tij, sikur fshihej nga errësira e së zezës,por buzët e trasha ishin të freskëta për mjaft aventura që e prisnin. Krahët e fuqishëm muskuloz të jepnin përshtypjen e një njeriu që kishte kryer punë fizike të rëndë. Vështrimet tona u shkëmbyen në momentin kur ai mbylli celularin. Unë ula sytë dhe u përpoqa, që të mos i jepja shkas, që të zbulonte kureshtjen time. Ai u ngrit nga tavolina dhe morri të ecë në drejtim të hyrjes së restorantit nga ana nga ndodhesha unë. Ndjeva këpucët e tij llustrafinë të veshura, që ishin në kontrast me veshjen e pantallonave të shkurtëra xhins nën gju. Ai u fut brenda. Mbi tavolinë kishte harruar kapelen e bardhë. Pas disa minutash, ai u kthye me një qese të madhe, të cilën e vendosi pranë kapeles. Ai e hapi qesen dhe nxorri një kuti të madhe të zezë një shishe Coca-Cola dhe dy pjata plastike të shoqëruar me thika e pirunj plastikë. Pasi i hapi mirë në tavolinë ai hodhi vështrimin nga unë dhe me shkeli njerin sy. Membrana e bardhë e syve dhe faqet e zeza më krijuan përshtypjen e një pantere të zezë, pranë gjahut të vetë që e kishte rrëmbyer diku në pyjet tropikal. Ai dukej se ishte gati për ti përpirë gjërat pranë.

– Hello! – tha djali me ngjyrë. Unë ktheva kokën nga ai dhe dallova që në

dorën e tij thika plastike e bardhë ishte drejtuar nga unë duke synuar të tërhiqte vëmendje.

“Po ky ?….” – thash me vete, – “çfarë kërkon?!

– Hello, – ia ktheva dhe unë.

Ai uli dorën mbi pjatën e bardhë plastike dhe me dy gishtat e dorës së majtë bëri shenjë duke me ftuar ti afrohesha.  Ngela ngushtë. Ç’të bëja ti afrohesha apo të bëja edhe unë ndonjë shenjë, se gjoja kisha punë dhe duhej të largohesha. Por,nuk lëviza. E pash me vëmendje. “Gjahu” i ngrohtë po priste dhe ai më shikonte mua, por hidhte sytë edhe nga pjata. Epo, thashë me vete: “ Hera e parë që qëndroja pranë një të huaji, njeriu me ngjyrë. “ Në sytë e tij dallova shprehinë e një butësie dhe lutje për të komunikuar. U bëra kurioz dhe u ngrita për t’jua afruar. I veshur me një këmishë të bardhë dhe pantallona bezhë të shkurtëra unë krijoja një kontrast ngjyrash bardhë e zi, me të. I dhamë dorën njeri-tjetrit. Ai u ngrit pak dhe pyeti:

– Where are you from, Sir?! Çikago NewYork ?! Or…

I buzeqesha pak dhe i thashë:

– I’m from Albania.

– Oh very well! Albany! In Gorgia or New York State?

– No! Albania is in Europe. – E dija që diku në Shtetin e New York ka një qytet që quhet Albany.

Ai nuk e zgjati, por më ftoi me pjatën e dytë plastike, që nxorri nga qesja të haja diçka. Unë nuk fola, por e pyeta:

– Where Are you from?( Nga jeni ju?) Ai u mendua pak dhe tha duke ngulur pirunin e tij mbi mishin e pjekur të pulës, – I am from Haiti! (Jam nga Haiti).

– Jeni për turizëm apo jetoni këtu?

– Kam dhjet vjet që jetoj këtu në Majemi. Por, do të largohem.

Kurioziteti për të u shtua pasi vura re një dëshirë të tij për të folur. Ai ndërkohë hante me rrëmbim. Ai po e mbaronte pulën e parë dhe nxorri nga kutia e zezë të dytën. Unë nuk kisha prekur asnjë gjë. Coca-Colen nuk e preferoja që kur isha në Tiranë. Ai e ktheu plot me rrëmbim shishen e Coca-Coles duke e përgjysmuar… dukej i etur dhe mjaft i urritur, megjithatë i duruar dhe me një sjellje të kujdesshme njerzore që nuk dallohej lehtë.

 

Ndërkohë u dëgjua një frenim i fort i një veture ‘Ford.’ Nga makina doli një mesoburrë me një çantë në krahë dhe një kambalec aparati fotografik. Makinën e la në parkimin përballë nesh. Unë dhe djali nga Haiti kthyem kokat me rrëmbim nga ndodhej ai mesoburrë me flokë pak të rënë, por të gjatë në pjesët e mbetura. Ai na pa ne dhe pyeti:

– Restroom are here?!

– Po i thash në anglisht! Ai m’u lut të shikoja çantën dhe kambalecin që më la pranë mbi tavolinën e madhe. Me vete morri vetëm aparatin fotografik të lidhur pasqafe. Pas pak ai doli dhe falenderoi për ndihmën.

– Jam fotografi i ceremonise që do të zhvillohet pas pak këtu. Ai nuk foli më, por u largua në drejtim të parkut të gjelbëruar ngjitur me rërën duke na shtuar kurreshtjen se çfarë ceremonie do të zhvillohej. Djali ndërkohë vazhdonte të hante në heshtje.

– Çfarë pune bëni këtu në Majemi?!- pyeta kot atë, si për të vazhduar bisedën e lënë përgjysëm.

– Tani jam i papunë. Do shkoj në një qytet në veri të Floridës. Aty kam miq. Kam edhe babain me vete.

– Tjetër njeri keni?! A je i fejuar apo i martuar? – e pyeta tashmë pa ndroje.

– Jam i dashuruar,- tha. Ai fshiu me letër duart dhe hapi celularin. Bëri disa lëvizje me gishta dhe ma ktheu ekranin e tij, duke thënë si me krenari:

– Kjo është ajo… Në ekran pash nje bjonde me xhinse blu të errta dhe bluze të kuqe. Hodha sytë tek ai. Ai po buzëqeshte lehtë. Trupi i tij i gjatë elegant me muskuj që ravijëzoheshin menjëherë shkonte mjaft me atë të vajzës.

– Po ju, – ma ktheu ai- sa kohë do të qëndroni këtu?!

– Disa ditë- iu përgjigja shkurt. Po me çfarë pune merresh?  – pyeti ai duke kafshuar fort kofshën e pulës së dytë. Ai dukej se ishte i urritur

– Pensionist- i thashë qetë. – Po ju dukeni mjaft i uritur….. – vazhdova si pa ndonjë qëllim.

Ai nuk foli, por vazhdonte të hante dhe ndërkohë hidhte vështrimin nga pjesa e parkut e cila të lidhte me pjesën e plazhit, nga dukej deti blu. Pikërisht aty u ndje një lëvizje e beftë  makinash dhe njerëz që zbrisnin prej tyre. Në krye të vargut të makinave qëndronte një limuzinë e bardhë, e gjatë e hapur dhe mbi të një çift i ri, i sapomartuar po prisnin të zbrisnin në kohën, që do ti njoftonin. Nusja priste të afroheshin fëmijët që do t’i mbanin fustanin. Një grumbull i madh njerëzish, që me sa dukej ishin familjarët e çiftit, që i  shoqëronin u drejtuan nga pjesa e gjelbëruar e plazhit mes palmash, ku ndodhej edhe vendi i përcaktuar i ceremonise. Midis tyre ishte edhe fotografi, që vinte rrotull duke fiksuar momentet e lëvizjeve të çiftit. Turma e njerëzve u bë më e vogël duke u larguar. U ndje muzika e përhapur nga boxet audio, të mëdha, të cilat përcillnin tingujt muzikorë të përzgjedhur. Sytë e djalit ishin përqëndruar  tek turma e njerzëve, por me mendje dukej sikur ishte tutje e tëhu bregut të detit të kaltërt…

Papritmas u ndje zilja e telefonit të tij. Djali hoqi sytë nga ceremonia. Ai fshiu me nxitim buzët me një pece të bardhë letër dhe gishtat gjithashtu me sy të mbërthyer në telefonin e tij. Ai tani fliste në gjuhën e tij. E shikoja me vëmendje sidomos lëvizjen e buzëve të tij, që ishin të njoma ende. Ai ndryshoi fytyrën dhe menjëhere u bë shumë i shqetësuar. Ai foli gati pesë minuta. Kur e mbylli telefonin më pa në sy dhe një lot i rrëshqiti nga membranat e bardha të syve në drejtim të faqes së tij të zezë. Po zgurdulloja sytë nga kjo pamje e fytyrës së tij. Ai mbylli shishen e coca colës dhe shtyu pjatën plastike me pulën e dytë të mbetur përgjysëm. Më prekur dhe kapi dorën time tek kyçi duke ma shtrënguar lehtë, duke mbajtur kokën me vështrimin nga qielli blu bëri kryqin dhe tha:

– She died ( ajo ka vdekur )

Ra heshtje midis nesh, por muzika që vinte nga bregu i detit megjithse e dobët e thyente këtë heshtje enigmatike e të pakuptimte për mua. Ai vazhdonte të shikonte nga qielli blu me re të bardha dhe dorën e tij butësisht e mbante tek kyci i dorës time. Me dukej sikur ai donte një pikë ku të mbeshtetej, te merrte pak fryme, te vetperqendrohej. Se çfare po bënte ai me këtë shtrëngim të dorës time tek kyci.  Unë nuk po kuptoja asgjë se çfarë po ndodhte. Por, pash se djali  tërhoqi kapelen e bardhë dhe e vuri në kokën e tij të zezë. Ai më pa me sy të përlotur sikur donte të shpërthente diçka, por vetëm tha:

– Ajo ka vdekur… miku im, – tha dy herë, me zërin e mekur. Unë tërhoqa dorën time dhe e fërkova me tjetrën. Seç ndjeva dhimbje në vendin ku kyçi ishte shtrënguar nga djali. Ai sikur më kishte përcjellë dhimbjen e tij të thellë uluritëse.

– Kush? – pyeta – prap kot sepse asgjë s’po merrja vesh.

– Më duhet të nisem për në Haiti. Ka vdekur motra ime. Ishte më e vogël.

Ai u ngrit, më dha dorën. “Të rroni ju dhe ta kujtoni” – ja thashe ngushëllimin tim. Ai më pa dhe shqiptoi një fjalë nga gjuha e tij që nuk e kuptova. Ai iku duke lënë gjithçka mbi tavolinë. Ai që i ngjante një pantere të uritur që po largohej kokëulur, i dërmuar dhe i pashpresë ngadalë në drejtim të makinës së parkuar aty pranë. Ai hypi në makinën e madhe të e tij dhe nga xhami i saj vura re përshëndetjen e tij të përlotur edhe njëherë. Unë regjistrova në kujtesë portretin e tij me sfondin e detit blu pas dhe tingujt e muzikës së ceremonisë së çiftit të ri që po martoheshin. Mollëzat e bardhë të gishtave të tij dhe sytë e përlotur lëvizën edhe njëherë në drejtimin tim. Ato, më mbetën gjatë në kujtesë. Hodha sytë mbi detin blu që aq madhështor “përpinte” gjithçka që zhvillohej aty përreth, edhe njerzit që gëzonin, tingujt, fjalët dhe duartrokitjet, puthjet e çiftit, bashkë me premtimet përballë të pranishmëve, fotografi qe vinte prane tyre me flokët qe po ja merrte era e detit. Njerzit që vraponin, por edhe ata që mijëra halle dhe shqetësime kishin në shpirtrat e tyre, emigrantët e shumtë që luftonin për të mbijetuar. Si kudo ndodh e njejta gjë. Mbeta ashtu si ngrirë mes kësaj vorbulle njerzish sendesh, makinash që iknin dhe vinin, fëmijë që qeshin apo thërrisnin si nga larg apo afër, si nga thellësia e tokës, si edhe brigjet e oqeanëve apo thellësia e kaltërises qiellore. Unë i ngrirë në mes dhe gjithçka po lëvizte rrëmbimthi, jo vetëm në sytë e mi, por edhe në mendjen time. Kujtova brigjet shqiptare, emigrantët e shumtë që kanë lëvizur e vazhdojnë të lëvizin rretheqark botës, kudo e për këdo. Ato vazhdojne ritualin e tyre dhe si re kjo tërësi mjegullnaje sendesh, njerzish, makinash avione…

“Hej çfarë ka në jetë”, – thashë me vete dhe vështrova celularin. Ndërkohë një burrë në një motorrçikletë i rra borisë fort. Ishte një çift me një fëmijë që e mbanin në një kosh të veçantë të motorrçikletës.

– Hej my friend, Marry Christmas! – thërriti duke qeshur burri i lumturuar. Ai ndaloi triçiklin, por unë u tërhoqa pasi vertete u permenda pas dhe e lejova atë të vazhdonte,nëpër parkun e gjelbëruar.

– Faleminderit- tha burri i lumturuar.

Ai iku mes të qeshurave. Nga pas një flamur i vogël amerikan valvitej pas shpinës së të shoqes një bjonde e gjatë,me reçipeta e pantallona të shkurtra të zeza sportive. Voglushi mbi koshin e motorrit kishte ne kokë kapelen e kuqe te Babagjyshit të Krishtlindjeve. Bjondja i përkëledhte faqet e kuqe të djalit të saj. Dhe mendja më vajti tek fotografia e treguar nga djali me ngjyrë i Haitit tek sytë e përlotur.

 

Pa kuptuar ndjeva se isha larguar shumë nga tavolina dhe kisha ecur drejt pa ditur se ku, pas tingujve dhe duartrokitjeve të ceremonisë nën palma apo pranë bregut e dallgëve të lehta të detit, ku mjellmat fluturonin mbi kokë dhe nga ku për pak milje më tej ndodhej Haiti, nga kishte ardhur djali me ngjyrë!?

 

 

29 dhjetor 2023

Vanderbilt Naples Florida

 

 

 

 

Please follow and like us: