Gëzim Basha: Mbi Çmimet Letrare në Shqipëri
Çmimet vjetore për letërsinë në Shqipëri jepen me atë (mëndje)lehtësinë e papërballueshme të patronazhistëve politikë që s’njohin kufi etik, lere më cak estetik. Autorë nga më të shquarit injorohen, jo rastësisht, si pjesë e një strategjie të mirëmenduar për izolim të inteligjencës krijuese dhe nëpërkëmbje të saj.
Gati 60 vjet më parë, Mao Ce Dun, vuri në shenjestër të revolucionit të tij kulturor hierarkinë e vlerave, ndërsente trushplarët për të përshpejtuar shplarjen absolute të trurit në masën e tij humane qindra milionëshe. Politikat kulturore të Shqipërisë së sotme mbeten, paradoksalisht, zgjatim i po asaj tendence, kanë adaptuar qasjen cinike të relativizimit të vlerave, ç’ka në thelb mbetet formë e maoizmit.
Injorimi që juria e sivjetshme e Ministrisë së (anti) Kulturës ju bëri dy botimeve të rendësishme, romanit të Rudolf Markut dhe përmbledhjes së poezisë së zgjedhur të Niko Kacalidhës, mbetet shokues por jo i papritur. Juria e këtij viti drejtohej nga M. Kraja i njohur për dy fakte te cilat flasim qarte për kufizimin dhe intolerancën kulturore të këtij tipi: reporter zyrtar i gazetës së Ushtrisë Jugosllave në vitet ’80-të dhe kundërshtar i ashpër i ndërtimit té katedrales Katolike në Prishtinë në vitin 2000.
Në vijim, parathënia ime për përmbledhjen poetike të Niko Kacalidhës, jo si vazhdim i argumentit te mësiperm, por si ftesë leximi.
HERALDIKËT E BORËS SI SUBLIMIM DILEMASH
Përmbledhja, ‘Heraldikët e Borës’, përveç poezisë së zgjedhur, përfshin dhe një pjesë të poezive ende të pabotuara të Niko Kacalidhës–një zë letrar i rëndësishëm me kontribut të shquar në dy letërsi.
Prej pesë dekadash, Niko Kacalidha, i krijon efektet dhe kuptimet e tij poetike përmes eksplorimit të kapaciteteve shprehës të dy gjuhëve; shqipes dhe greqishtes, duke lënë pas një treme lehtësisht të dallueshme në atë që historikisht konsiderohet njëra nga orvatjet estetike më të vështira—perceptimin e botës dhe meditimin mbi të, përmes imazhesh lirike.
Heraldikët e Borës, kompozohet sipas kriterit kronologjik, prej debutimit të parë tek lirikat e pabotuara, duke ja sjellë lexuesit integritetin e personalitetit poetik të autorit në mënyrë integrale.
Si poet dygjuhësh, Kacalidha jeton në marrëdhënie me dy kultura, sa të afërta për nga psikologjia, po aq të ndryshme për nga relievet e tyre historike. Ndryshe nga sa thonë egzaltuesit e pop-kritikës së cekët, shpesh me klishe të tipit “poeti dygjuhësh është urë komunikimi midis dy kulturash…etj. etj”, një fat apo zgjidhje e tillë, po aq sa avantazh mund të konsiderohet barrë e vështirë dhe rrethanë komplekse me ndikim në formë dhe përmbajtje, ngaqë gjuhët janë sisteme josimetrike kurse kulturat –në rrafsh sinkronik– përftesa prej kontekstesh politike të ndryshme.
Diakronia e shkrimit Shqip, i cili nisi vetëm pesë shekuj më parë me tekste liturgjike, pavarësisht Kanonit të tij plot përndritje të befasishme, për nga evoluimi dhe larmia e koleksionit bie në kontrast me traditën e shkrimit Greqisht ku poezia lirike kultivohet prej më shumë se 25 shekujsh pa ndërprerje, duke numëruar një sërë tekstesh themelorë—fundamental texts—jo vetëm të Kanonit Perëndimor, por të krejt kultures njerëzore në përgjithësi.
Paragrafi i mësipërm, më shumë se sa konstatim, shërben si parantezë për të thënë se dilemat e një poeti bilingual, i cili shkruan paralelisht në dy gjuhë dhe konfrontohet me dy tradita, e komplikojnë kërkimin e koordinatave të tij estetike. “Poeti i vërtetë hyn në një marrëdhënie xhentelmeni me traditën letrare të gjuhës (apo gjuhëve) në të cilen shkruan” nënvizonte dikur Auden, por përfytyroni dilemat, mëdyshjet dhe ankthet e një ndërmarrje të tillë në një gjuhë si greqishtja kur vetë Nobelisti Odisea Elitis, në leksionin e tij përpara Akademisë Suedeze, pranonte se “të shkruash poezi lirike me po ato fjalë që përdornin Safo dhe Pindari është sfidë ndër më të vështirat”.
Duke mbajtur në duar ‘Haraldikët e Borës’, konstatohet lehtësisht se Kacalidha ka një trajektore të qartë suksesi dhe se ai hyn ndër poetët modernë më kompleks në të dyja kulturat, përveç të tjerash edhe nga hapja dhe ekspozimi i tij ndaj dy traditash të ndryshme letrare. Me idiomën e vet shqipe, ai herë reflekton sensibilitetin gjuhësor të Lazgush Poradecit dhe herë egzigjencën spontane–të pakërkuar por të përkorë–të Fatos Arapit, veçanërisht ne liriken e shkurter. Ai ia del ta pasurojë ndjeshëm telajon e vizioneve të veta duke prurë me finesë ate fuzionin fluid të ëndrrës me realitetin aq të hasur në surealizmin sui generis të poezisë së madhe greke të shekullit të njezetë, të pranishëm veçanërisht tek Elitis, në përshkrimet enumerative të dritës dhe efekteve të saj.
Një tendencë e tillë vërehet mprehtësisht nga Ismail Kadare i cili shprehet se Niko Kacalidha shkruan “një poezi metaforike surealiste brilante, përqasur herë me zymtësinë e Seferis, herë me dritësinë e Elitisit… dhe herë me detaje shqiptare të gurit, të malit, të dritës dhe të detit, të pranishme këto në pjesën më të rëndësishme të krijimtarisë së tij, gjë që e bën poezinë e tij ballkanike, me ngjyra mesdhetare, pranuar edhe nga lexuesit e kualifikuar europianë”. Suksesin e autorit për të qenë një individualitet i dallueshëm poetik e mendje moderne me emancipim multikulturor, e vë në pah edhe Dritëro Agolli i cili shprehet, “Niko Kacalidha është jo vetëm poeti më i plotë i minoritetit grek, por edhe një ndër poetët e shquar në Shqipëri. Ai nuk është poet vetëm i Shqipërisë apo i Greqisë, është një poet ballkanas dhe më gjerë një poet europian, një poet modern me kuptimin e gjerë të kësaj fjale”.
Koncepti Letërsi e Minoritetit Grek është koncept politik dhe kulturor. Ai dallon shkrimtarët me origjinë etnike Greke brenda kufijve politikë të shtetit Shqiptar, por në studimet e pakta letrare për të, ky koncept përdoret rëndom vetëm si emërtesë grupi pa e përfillur shumë dramën identitare të atyre krijuesve, tensionin e të jetuarit në një botë me dy gravitete—gjendjen kulturalisht në një tug of war,— ku mundësia e shprehjes kalonte, dhe ende kalon, në zgrip rreziqesh të ndryshme; dje me marrjen si të pandehur, sot me prirjen për etiketime jo thjesht pezhorative.
Minoriteti etnik grek në Shqipërinë e djeshme—vend kampion i shtypjes politike—ka qenë për pasojë minoriteti më i shtypur i Europës. Si pjestar i këtij komuniteti, Niko Kacalidha, mbetet një zë i shquar që e siluetoi shdërvjelltas profilin e tij prej liriku impresiv qysh me poezitë e tij të para, duke refuzuar estetikisht të folmen e drunjtë të sloganeve. Ai i kërkoi epifanitë e befta poetike duke manifestuar një ndjeshmëri gjuhësore të admirueshme e cila e bën atë stilist virtuoz në të dy gjuhët. Në psikiken e tij poetike rëndon substanca e vuajtjeve tragjike të minoritetit etnik grek në Shqipëri. Të gjitha këto janë konservuar në koshiencen e tij ndaj poezia e Kacalidhës vjen me një frymë të duksheme elegjake. Shpeshherë atmosfera e lirikave të tij është atmosferë varrezash, kishash të vjetra, shtëpish në bokërima, grash që bartin bucela uji mbi shpinë dhe njerëzish që mundohen të negocjojnë dhimbjen e tyre. Ndër lirikat e këtij lloji vlen të veçohet, Krishti u kryqëzua në Leshnicë ngaqë është e vështirë të imagjinosh një antologji të poezisë lirike në gjuhën shqipe pa të.
Perceptimi figurativ precepiton thellë në qënien e tij për të vetuar pastaj në vargje të jashtëzakonshme, shpesh epigramatike të cilët, jo rrallë, prezantojnë një un lirik i cili rezaton atë lbyrjen e përzishme të lirikës klasike elegjiake greke. Për t’ja kuptuar me lehtësisht dramën unit lirik të Kacalidhas konsideroni vargun e mëposhtëm, jo vetëm atë që shpreh por edhe atë çfarë lë pa thënë.
“Unë jam pus i thellë si syri i Ciklopit”.
Evokimin i detajeve nga e përditshmja ndjek tek Kacalidha një qasjeje të ndërgjegjshme estetike e cila të ndërmend poezitë e shkurtra të Ricosit ku përshkrimin transparent—lucid—e gati me ton reporteri, bashkëjeton me mistifikimin, kompleksitetin kuptimor e madje tmerrin. E kësaj natyre është poezia, ‘Vaj për Djaloshin e Vrarë’, vargjet e së cilës të bëjnë të besosh se shkrimi i poezisë, mbetet para së gjithash ushtrim i empathisë, mënyrë për ta menduar veten në lëkurën e tjetrit, veçanërisht kur tjetrin e viktimizojnë:
“Pashë një djalosh të vrarë që e zvarrisnin
Anëdetit, në mes të ditës, rrugëve të qytetit
Për të matur durimin, dhe më krisi zemra,
E nga rezonanca e zemrës sime krisi guri…
…krisën krahërorët e zogjve baladeskë”.
Për të arritur një kompleksitet kuptimor maksimal, lirika e Niko Kacalidhas adapton shpeshherë edhe teknikën alegorike duke shmangur me elegancë retoriken patetike veçanërisht në tema qendrore si degradimi i njeriut në mungesë të lirisë, apo dilemat e egzistencës në kushtet e pashpresa të mizerjes njerëzore.
“Peshqit në akuarium mendojnë se s’ka për ta
tufan.
Vetëm, sa herë, ndërrrohet uji, me sy lëmoshë
kërkojnë në xham”.
Blatimet e Borës, si çdo përmbledhje poetike serioze, mbetet në esencë një synim estetik drejt sublimes, negociuar prej një heroi lirik që e gjen daljen nga qerthulli i dilemave përmes zgjerimit të hapsirës së ndjeshmërive. Sublimimi në poetikën e Niko Kacalidhas—ngjashëm me këshillën e filozofit grek të shekullit të 3-të, Cassius Longinus—shfaqet si strategji e purifikimit shpirtëror përmes finesës së ndjesive. Leximi i ‘Blatimeve të Borës’, si gjithë poezia e emancipuar, kërkon dhe pritet të gjejë, përkushtimin e një audience në lartësinë e synimit të autorit.