Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Europa jonë

Sot është një ditë e bukur për popullin e Kosovës, sepse, nga sot, nis një mundësi e mirë: të lëvizë nëpër Europë dhe të mësojë nga ajo.
Sepse, udhëtimit janë mësim i bukur.
Së pari, të mësojmë ç’është vërtet atdhedashuria, si duhet vërtet vendi dhe si punohet në dobi të tij.
Ta kuptojmë vlerën që ka e bukura (Europa është e mrekullueshme) si kategori esetetike në krejt sferën publik, si rrjedhojë edhe në formimin e njerëzve.
Atëherë e kuptojmë se në thelbin e Europës është një prirje shpirti, dhe siç porosiste i mençuri Vaclav Haveli, do të gjakonim që ta bënim atë qartësisht atdhe të vlerave tona të përbashkëta.
Duke e bërë Europën atdhe të vlerave tona rë përbashkëta, kemi mundësi të kthjellojmë shikimin,
të bëhemi shoqëri më demokratike, më tolerante dhe më e ndërgjegjshme, më e përparuar dhe më e mirëorganizuar. Dhe duke mësuar nga ajo, mund të dalim prej mjegullës mendore dhe të divorcohemi prej energjisë anti Europë.
Sepse kjo energji është kurth kundër vetvetes dhe intrigë e rrezikshme atikombëtare.
Mjerisht, këtë energji të keqe, e kanë mbjellë mendjekëqijtë, të nxitur nga disa politikanë të papërgjegjshëm e të pandërgjegjsëm, disa prej të cilëve, fatkeqësisht, janë në krye të vendit.
Europa nuk është vetëm konceptet gjeografik dhe politik. Dhe, atë nuk duhet ta aspirojmë vetëm për viza e të mira ekonomike, por, parasegjithash për ta humanizuar dhe përparuar vetveten. Sepse, Europa është koncept kulturor e estetik. Është stil jete. Pikërisht në këtë pikë, bashkohen shkrimtarë, dijetarë e ideologë të mëdhenj të saj, që kanë formësuar këtë kontinent.
Përkthimi është gjuha e Europës, ka shkruar Umberto Eco dhe më tej ka thënë se këmbimet kulturore kanë kontribuar më shumë se çdo gjë në ndërtimin e asaj çfarë sot është Europa. Në këtë kontekst, ky shkrimtar shkruan se Europa është i vetmi kontinent që ka përmbajtje dhe kohezion, për dallim nga kontinentet tjera, dhe ky kohezion e kjo përmbajtje ndërlidhen me identitetin e saj kulturor.
Në esencë, kjo është gjuha e Europës, si shenjë kulture e qytetërimi, e të cilën, ne të trallisurit nëpër kriza identitare, nuk kemi arritë ta mësojmë si duhet.
Është thënë shpesh se në historinë e mendimit europian karakteristikë e përhershme ka qenë ideja e krizës, nëpër të cilat faza, ajo ka treguar aftësi e kapacitete për kritika të brendshëm, për dialog të arsyeshëm, për hapje dhe evolucion drejt progresit dhe përsosmërisë.
Të kujtojmë se Robert Schuman, njëri prej themeluesve të BE- së, në librin “Në emër të Europës”, ndër të tjera shkruan: “Europa, para se të jetë aleancë ushtarake apo entitet ekonomik, duhet të jetë bashkësi kulturore, në kuptimin më të lartë të kësaj fjale”.
Sot në këtë ditë me rëndësi për ne, nuk duhet të bëhemi të marrë dhe të vazhdojmë avazin e vjetër, duke sajuar një Europë sipas dëshirave tona, një Europë që iu përshtatet ambicieve tona, standardeve tona e kërkesave tona.
Please follow and like us: