Albspirit

Media/News/Publishing

Revista “Pavdekësia”, tribuna e Organizatës së Dëshmorëve

 

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Revista “Pavdekësia” është organ i Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorëve të tjerë të Atdheut. Ka filluar botimin e saj në nëntor të 1996. Pagëzimin me emrin “Pavdekësia” e ka propozuar, veterani dhe publicisti i mirënjohur, Pipi Mitrojorgji. Kryeredaktor i parë i saj, ka qenë gazetari i mirënjohur, Dr. Kozma Skarço duke u pasur nga gazetari Halil Katana, nga shkrimtari Dhimitër Shtëmbari, Tatjana Kurtiqi, gazetari e publicisti Xheladin Çelmeta dhe nga studiuesi Zenel Gapaj.

Misioni i revistës është përjetësimi i veprës dhe emrit të dëshmorëve të kombit të të gjitha kohërave, si dhe respektimi e nderimi i familjeve të tyre brez pa brezi. Njëkohësisht, duke qenë organi i një subjekti të tillë shoqëror, si OKDA, ajo pasqyron veprimtaritë e kësaj organizate në të gjithë vendin, si dhe mban qëndrime të vendosura politike ndaj forcave të caktuara, që mohojnë gjakun e dëshmorëve të LANÇ, apo të periudhave të tjera, dëshmorë të shpallur me ligj, sipas Statusit të Dëshmorit të Atdheut.

Botimi i revistës periodike “Pavdekësia”, u bë me vendimi nr. 6580/1, datë 29 tetor 1996 të gjykatës, mbështetur në kërkesën e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të LANÇ-it, në vendimin e Kryesisë së saj për shtimin e objektit të veprimtarisë, bazuar dhe në nenin nr. 46 të Kodit të Procedurës Civile. Revista del një herë në dy muaj, në 40 faqe, ku dhjetë faqe janë me ngjyra.

Sukses ndër vite i revistës “Pavdekësia” është katalogimi ndërkombëtar “ISSN” midis revistave që publikohen në botë. Që prej datës 8 dhjetor 2021 Organi “Pavdekësia” i OKDA-së është rregjistruar në Paris. Numri zyrtar i përhershëm në variantinrevistë e printuar është: ISSN: 2790-1157 (print).

Gjatë për më shumë se 28 vjet ajo ka bërë një punë të kujdesshme në pasqyrimin e idealeve për të cilat ranë në fushën e nderit dëshmorët e Shqipërisë. Nisur nga ky fakt, dhe nga puna e bërë në të gjitha nivelet dhe strukturat e organizatës së dëshmorëve, është rritur dukshëm niveli i pasqyrimit dhe i vlerësimit për të ruajtur dhe mbrojtur vlerat e larta të LANҪ-it dhe të idealeve të dëshmorëve të Atdheut.

Revista “Pavdekësia” në vite ka punuar për të rritur përmbajtjen e saj, për nivel cilësorë të shkrimeve. Në mjaft shkrime, artikuj dhe analiza është trajtuar me nivel cilësor dhe të argumentuar fisnikëria e qëllimeve të larta të dëshmorëve të Atdheut. Kështu në faqet e revistës kanë zenë vend të dukshëm mjaft artikuj me nivel të lartë problemor, por dhe propagandistik, si intervista e krijimtari artistike nga personalitete të tilla si: Dritero Agolli, Ismail Kadare, Xhemil Frashëri, Nasho Jorgaqi, Vasil Gjylameti, Stiliano Sallabanda, Resul Bedo, Kadri Dingu, Myftar Memia, Ymer Minxhozi, Shaqir Vukaj, Moikom Zeqo, Spartak Poçi, Gjergj Velo, Dalan Buxheli, Pandeli Koҫi, Nuri Dragoj, Petro Koçi, Xhevdet Shehu, Pëllump Xhufi, Marenglen Kasmi, Nami Dokle, etj. Në të gjitha shkrimet vend kryesor kanë zënë portretet e dëshmorëve, puna e bërë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e monumenteve, lapitarëve, pllakatave dhe shtëpive muze, të cilat janë pasqyruar me korrektësi në të gjitha numrat e revistës, duke e bërë këtë rubrikë kolonën bazë të lëndës në të 40 faqet e saj. Revista është bërë një pararendëse e botimit të librit me shumë vëllime “Dëshmorët në rrënjët e kombit shqiptar”.

Ajo në vite ka sjellë në qendër të vëmëndjes në publikimet e saj dhe shkrime me mjaft vlerë në organet e përditshme të shtypit shqiptar, si te gazetat “Dita”, “Telegraf”, “Sot”, “Kushtrim Brezash”, “Veterani”, “Ushtria” e Revista “Mbrojtja”, në shumë portale si në Alb-Sprint, si trend i kohës sonë etj. Në të gjitha këto shkrime është shkruar për heroizmin e treguar nga heronj dhe dëshmorë të Atdheut, por edhe është dokumentuar dhe bërë objekt kryesor edhe kundërvënien ndaj propagandës shpifëse të kolaboracionistëve të rinj, të cilët në çdo hap kanë synuar dhe synojnë të denigrojnë dëshmorët dhe vlerat e larta të LANҪ-it.

Revista “Pavdekësia” ka punuar me synim të qartë dhe të përcaktuar lidhur me problematikë e botimeve në faqet e saj, pasi gjithҫka është synuar të shkruhet sipas misionit të organizatës. Për për të bërë sa më të larmishme dhe tërheqëse, në faqet e revistës herë pas here janë hapur rubrika të reja, si: “Dëshmorë dhe pasardhës”, “Rubrika e letrave nga degët e OKDA në rrethe”, “Të njohim kryetarët e degëve të OKDA”, “skica” etj. Për të qenë sa më afër me lexuesit, janë botuar edhe ftesa të hapura, ku është kërkuar nga bashkëpunëtorët përmirësimi i rubrikave, sipas mendimit dhe gjykimit të tyre, duke e bërë kështu strukturën e këtij organi sa më të frytshëm dhe rezultativ. Ndjekja e veprimtarive të shumta për dëshmorët në Tiranë e rrethe dhe publikimi i tyre në revistë, është realizuar përmes kryetarëve të degëve të OKDA, të cilët janë njëkohësisht edhe korrespodentët dhe bashkëpunëtorët vullnetarë të revistës.

Për një pasqyrim sa më të plotë dhe për t’u përgjigjur në kohë kërkesave të shumta të veprimtarive që zhvillohen, i kolegjumit të redaksisë, ka bërë një punë të organizuar, mjaft të kujdesshme, pasi kushtet në të cilat botohet Revista “Pavdeksia”, janë krejt të veҫanta dhe nuk ngjajnë me asnjë redaksi tjetër.

Një mjet tjetër i rëndësishem i revistës janë dhe rubrikat që pasqyrohen në televizione për veprimtaritë e organizura nga organizata e dëshmorëve. Përgjithësisht në televizionet lokale është më e organizuar dhe bëhet kujdes nga ana e kryesive të degëve të OKDA për ta bërë sa më cilësore propagandën për Dëshmorët e LANҪ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut. Kështu ka ndodhur në që në mjaft degë si në Fier, Elbasan, Shkodër, Lezhë, Kukës, Tropojë, Vlorë, Gjirokastër, Mallakastër etj. Por më pak, ose aspak, këtë vit kjo gjë nuk ka ndodhur këtu në Tiranë, ku televizionet rendin vetëm pas reklamave e kronikave që bëjnë marketim vetëm për para, duke harruar se idealet kombëtare për të cilat ranë dëshmorët janë po aq të kristalta sa gjaku i derdhur për Atdhe. Kjo mangësi kërkohet të përmirësohet, edhe gjatë kësaj kohe, duke rritur nivelin cilësor të veprimtarive, sidomos gjatë kësaj periudhe deri në kurorëzimin e veprimtarive më 29 Nëntor në 80 Vjetorin e Ҫlirimit.

Një problem ndoshta nga më kryesorët që ka zënë një vend të dukshëm është dhe pasqyrimi në faqet e Revistës “Pavdekësia” i të gjithë dëshmorëve që njihen dhe shpallen të tillë nga Komisioni i Statusit të Dëshmorit. Kronika të veçantë, por edhe vendime që kanë të bëjnë me dëshmorët janë pasqyruar në faqet e revistës. Një problem parësor që del para degëve në rrethe dhe në të gjitha strukturat e saj është evidentimi i plotë dhe i saktë i të gjithë dokumentacioni që përgatitet për gjithë të rënët për Atdhe, por që ende nuk janë njohur dhe shpallur me titullin e lartë “Dëshmorë i Atdheut”, bazuar edhe në kriteret e Ligjit të ri nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, nenin 5 “Kriteret për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i Atdheut”. Kjo punë kërkon përkushtim nga të gjithë veprimtarët e organizatës, por dhe njohje dhe ndjekje të problemeve për përgatitjen e dosjeve të dëshmorëve me biografi të plota, me shkrime, me libra e monografi, me njohje të kontributit të tyre dhe shfrytëzim të materialeve arkivore, por dhe të muzeve e historikëve të të gjithë fshatrave, krahinave dhe të rretheve të vendit.

Bashkëpunimi edhe me shoqatat e tjera atdhetare dhe kulturore, duhet të jetë dhe një objekt parësor i punës në të ardhmen për propogandimin e veprës së dëshmorëve. Kështu mjaft shoqata si Labëria, Mallakastra, Devolli, Myzeqeja, Martaneshi, etj., kanë përkujtuar bashkërisht me organizatën e dëshmorëve rënien heroike të mjaft bijëve dhe bijave të tyre gjatë LANÇ-it. Në faqet e revistës ka zënë vend edhe pasqyrimi i këtyre veprimtarive, siç pasqyrohet në faqet e gazetave të këtyre shoqatatave.

Më kujdes të veçantë është ndjekur dhe botimi i librave për dëshmorët nga autorë dhe nga degët në rrethe. Pasqyrimi i tyre në faqet e revistës ka qenë dhe një tjetër pikë e rëndësishme e punës për rritjen e nivelit të veprimtarive. Ka shumë degë të organizatavë të dëshmorëve nëpër rrethe që kanë arritur të botojnë librat për të gjithë dëshmorët. Kështu ka ndodhur në Lushnje, Fier, Shkodër, Lezhë, Laҫ, Krujë.

Pasqyrimi i librave për dëshmorë, promovimi i tyre dhe pasqyrimi në faqet e revistës ka qenë parësor në punë e degëve dhe të organizatave të dëshmorëve në rrethe, njësi dhe fshatra. Njohja e tyre nga masa e gjerë e publikut, por në veçanti puna me nxënësit e shkollave, ka bërë që revista të jetë e pranishme në mjedise të rinjsh dhe në shkolla.

Në faqet e revistës kanë shkruar dhe janë aktivizuar mjaft intelektualëve. Ata me shkrimet dhe komentet e tyre, kanë sjellë një risi të re dhe kanë tërhequr edhe vëmendjen e mjaft degëve për organizimin e takimeve dhe të bisedave të vijueshme për problem që lidhen me luftën, me dëshmorët, me qëndrimin kritik ndaj dukurive negative të kohës dhe me inkurajimin e fjalën e tyre në rujatjen dhe transmentimin e vlerave të LANÇ-it, inkurajimin dhe çuarjen më përpara të idealeve të luftës.

Please follow and like us: