Saimir Kadiu: IN MEMORIAM ASLLAN RUSI
1 janar 1983
41 vjet më parë, u shua pas një sëmundje të rëndë, Asllan Rusi, padyshim volejbollisti më i madh shqiptar i të gjitha kohërave.
Kampion i madh me Dinamon absolute të Vangjel Kojës, që arriti deri në katërshen evropiane në nivel klubesh në vitin 1972.
Mbi 80 ndeshje ndërkombëtare me Dinamon, Partizanin dhe përfaqësuesen shqiptare.
Asllan Rusi i përket brezit më të talentuar të volejbollit shqiptar në periudhën e viteve 60′-70′, krahas talenteve të tillë si Kreshnik Tartari, Enis Terihati, Dashamir Fagu, Anastas Panteqi, Ali Bushati, Ylli Tomorri, Kico Lena, Ylli Shehu, Zhan Bonati, Robert Borova, Hysen Domi, etj.
Me talentin e tij Rusi mund të luante me cdo ekip evropian të gjeneratës së tij.
Lindi më 4 tetor 1945 në Tiranë, në një familje patriotike dhe intelektuale.
Asllan Rusi ishte stërnip i poetit kombëtar Naim Frashëri (nëna e tij Naimeja ishte vajza e vajzës së Naim Frashërit) dhe nip i patriotit të madh Shahin Kolonja.
Babai i tij Xhelal Rusi që kishte studjuar për Farmaci në Francë, vinte nga familja e madhe Rusi nga Leskoviku.
E mbaj mend ceremoninë e varrimit të tij më 2 janar 1983. Arkivoli me trupin e tij u mbajt në krahët e miqve dhe simpatizantëve të shumtë nga shtëpia e tij përballë Kinema Dajtit deri në sheshin 21 dhjetori…
Një numër i jashtëzakonshëm njerëzish e shoqëruan supervolejbollistin shqiptar në banesën e tij të fundit në Varrezat e Sharrës.
Përmasat e pjesëmarrjes në funeralin e Rusit, ishin një sfidë e heshtur ndaj regjimit që e kishte “vrarë” vite më parë këtë figurë të madhe të sportit shqiptar.