DASH thotë se nuk ka parë akte të gjenocidit në Gazë
Shtetet e Bashkuara nuk kanë parë veprime në Rripin e Gazës të cilat përbëjnë gjenocid, tha të mërkurën vonë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, pasi Afrika e Jugut e dërgoi Izraelin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për “gjenocid” gjatë luftës së tij në enklavën palestineze.
“Këto janë akuza të cilat nuk duhet të bëhen lehtë… ne nuk po shohim ndonjë veprim i cili mund të përbëjë gjenocid. Ky është qëndrimi i Departamentit të Shtetit”, tha Miller gjatë konference me gazetarë.
Ai ishte pyetur për kërkesën e Afrikës së Jugut, e cila kërkoi të martën që Gjykata Ndërkombëtare ta lëshojë një urdhër që Izraeli i ka shkelur detyrimet e veta nga Konventa e Gjenocidit e vitit 1948.
Gjykata ka vendosur ta shqyrtojë kërkesën e Afrikës së Jugut në seanca dëgjimore më 11 dhe 12 janar.
Izraeli ka thënë se do ta mbrojë veten nga këto akuza.
Lufta nisi pasi pjesëtarët e Hamasit i sulmuan qytetet jugore të Izraelit më 7 tetor, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz, dhe duke i rrëmbyer mbi 240 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.
Prej atëherë, Izraeli e nisi një fushatë ajrore, tokësore dhe detare në Gazë, duke i vrarë mbi 22.300 palestinezë, prej të cilëve dy e treta fëmijë dhe gra, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi.
Shumica dërrmuese e popullsisë prej 2.3 milionë të Gazës janë detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre dhe të strehohen në jug të enklavës.