Luan Rama: Adonis, poet i mërgimeve
Shumica e kritikëve dhe letrarëve të botës kanë menduar shpesh për Adonis si nobelist. Dhe Adonis e meriton një «palmë» të tillë: si poet dhe si një qytetar i botës arabe dhe universale njëkohësisht. Pasi Adonis nuk është vetëm poet i Sirisë, ku u përkund gjer në rininë e hershme të tij, as libanez, ku i bë shtatas i tij dhe përjetoi luftrat civile, të cilat e detyruan të mërgojë sërish dhe të vendoset në Francë. Adonis është poet i botës, një poet i shtegtimeve dhe i shumë horizonteve, i dramës njerëzore dhe i dashurisë, një poet i brengave të mëdha dhe i mërgimeve të dhimbshme që lënë gjurmë të pashlyeshme, nga ku lindin vaje. Poet që na kujton Nerudën, Lorkën apo Ricosin. Kur lindi në Kasabine, pranë Latakies në agun e parë të janarit të vitit 1930, ai quhej Ali Ahmad Said. Që fëmijë punoi tokën si një bujk i vërtetë dhe në tokën që shkeli këmbëzbathur ai thurri vargjet e para. Kështu ai u lidh pas poezisë dhe deshi të bashkohej me bardët dhe poetët e kombit të vet. Studioi në një lice francez dhe meqë poezitë e tij nuk i botonin revistat e kohës, ai vendosi ta quajë veten Adonis, duke na kujtuar kështu mitologjinë greke. Rastësisht ai kishte lexuar diku legjendën mitike të Adonisit të dashuruar pas Afërditës, por që më së fundi, derrat e egër e coptuan atë. Mallkimi do ta ndiqte dhe atë, pasi poeti i ri do të burgosej shpejt nga Partia Nacionaliste në fuqi që kërkonte një Siri të madhe. Pas një viti burg, ai mundi të largohej drejt Libanit, duke krijuar atje revistat e para letrare dhe duke iu kushtuar poezisë. Tashmë ai përkthente nga frëngjishtja në arabisht poezitë e Baudelaire, St. J. Perse, Henri Michaux, etj. Nga vëllimet e para poetike ‘Toka tha’, ‘Gjethe në erë’, ai botoi ‘Këngët e Mihyar’ dhe ‘Damascene’, duke vazhduar me ‘Kujtesa e erës’, ‘Kënga e qyteteve’ apo ‘Pylli i dashurisë brënda nesh’, të botuara në shumë gjuhë të botës. Mërgimi ishte përvoja e tij jetësore dhe ai e vazhdoi atë në tokën e fjalëve, duke u bërë përcjellës i kulturave dhe një mesazher i poezisë dhe duke shkruar se «Poezia e bën jetën mbi tokë më të bukur, më pak efemere, më pak e mjerë. Ndërsa lufta e çon njeriun mbrapa, drejt barbarisë dhe fundit të njerëzimit». Dhe këtë luftë ai e pa në Bejrutin e djegur dhe të copëtuar, e pa në Ballkan apo në Lindjen e Mesme, Irak e Afganistan, e shikon sot në vëndin e tij të origjinës, Siri, ku bashkë me lirinë vritet dhe fjala e poezia e lirisë. Dhe poeti nuk nguron të godasë përmes fjalës së tij, përmes poezive të tij. «Njeriu është në qëndër të universit dhe jo Zoti!» – deklaron ai, duke shtuar se «shamia në kokën e gruas nuk mbulon vetëm fytyrën por dhe trurin e saj». Ja pse shpesh poezitë dhe librat e tij janë ndaluar dhe çenzuruar në vëndet arabe, dhe vargjet për dashurinë dhe gruan, janë konsideruar si herezi. Vëllimi poetik Lutja dhe shpata është vizioni i tij për kulturën e lashtë arabe, duke u ngritur kundër vizionit kuranik dhe duke kërkuar riorganizimin e vlerave dhe të «cité»-së muslimane: «Jeta është viktima ime /dhe unë nuk di si të vdes/ koha më është fshehur/ është poshtë syve të mij…/
Por mbi të gjitha, tek ky poet dhe filozof, të cilit aq shumë i pëlqen dhe bota pikturale, në krijimtarinë e tij, mbizotëron një lirizëm i thellë, një humanizëm i skajshëm dhe misteri i kujtesës, pasi siç shkruan ai diku «era ka kujtesë», meqë dhe jeta e tij personale është ngjizur nga malli, nostalgjia dhe mungesa, duke e detyruar të shtegtojë gjithnjë larg dhe ta rrahin erërat e furtunat. Malli është mungesë dhe aty siç duket kujtesa merr të tjera vlera dhe kthehet në buronjë poetike.
Luan Rama
Pylli i dashurisë është brënda nesh
Thirrjes tënde nuk i përgjigjem, diell
Mos më ngrej tani. Jo
Jastekët janë ende të dehur
Nga shkëlqimi i trupave tanë
Dhe shtrati është mall…
Gjumi ynë është udhëtim në galaksinë e pasioneve
Gjumi ynë është dielli ynë.
* * *
Shtrati u përshkëndrit dhe nata ime rri zgjuar
Në këmbët e saj që dritaren bëjnë të dridhet
Jo, nuk dua mbulesë
Nuk dua të mbuloj shkëlqimin e hireve të tua
Yjet e dashurisë sonë Natën e kanë larë
Me qerpikët e tyre
Ne përjetojmë lumturi, ngrihemi, biem
Dhe depërtojmë brënda njëri tjetrit
Midis syve të tu dhe të mij
Kur vështrimi im zhytet në sytë e tu
shoh agun e thellë
shoh të djeshmen e lashtë
shoh atë që nuk njoh
dhe ndjej se midis syve të tu dhe të mij
ecën universi
Ura e lotëve
Një urë lotësh shtegëton me mua
Thyhet nën qepallat e mia
Në lëkurën time porcelani
Një kalorës fëmijërie
Lidh kuajt me litarët e erës
Nën hijen e degëve
Dhe me një zë profetik na këndon:
O erëra, o fëmijeri!
Ura lotësh të thyera
Pas qepallave
Vetëtima
Një rrufe më bëri shënjë
Ajo qau dhe u përgjum
në pyllin e parandjenjave
Ajo nuk e di kush jam unë
Nuk e di që jam Zot i errësirave
Një rrufe më bëri shënjë
Ajo qau dhe u përgjum mbi dorën time
sapo pa sytë e mij
Adami
Adami më pëshpëriti me një zë të mbytur
Midis heshtjeve e rënkimeve
Unë nuk jam ati i botës
Parajsën kurrë nuk e kam parë
Mermë drejt Zotit
Guri
E dua këtë gur të paqtë
Në vijëzimet e tij pashë fytyrën time
Pashë aty poezinë time të humbur
Udhëtim
Do të udhëtoj në harkun e një dallge
Të një krahu
Do të vizitoj kohët e mia që kam lënë pas
Dhe shtatë galaksitë
Do të vizitoj buzët
Dhe sytë e rëndë të akullt
Tehun xixëllues në ferrin hyjnor
Do të zhdukem
Me gjoksin rrethuar nga erërat
Duke lënë hapat e mij në kryqëzimin e udhëve
Larg
Në shkretëtirë
Udhëtari
Udhëtar, lashë fytyrën time
Në xhamin e fenerit tim
Harta ime e botës është një tokë pa krijues
Refuzimi është ungjilli im
Ndoshta atdheu im
Ja tek po i ngjitem mëngjesit të atdheut tim
Duke kacavjerrë rrënojat dhe majat e tij
Dhe ja ku u çlirova nga pesha e vdekjes së tij
Duke iu larguar për ta vështruar më mirë
Ndoshta nesër ky vend do të jetë i imi
Sizifit
U betova të shkruaj për ujin
U betova të ndihmoj Sizifin që të mbaj gurin e tij
U betova të qëndroj me të
Të duroj ethen, dhe në përshkëndritje
Të kërkoj në orbitat e verbëta
Një penë të fundme.
Për tokën time
Për token time i pres këto vena të mallkuara
Midis plagëve të mia për të kam fshehur
Të nesërmet e mia dhe erërat e mia
Toka ime profete dhe hajmali
Tokai me e dehur!
Supet e saj janë dy princa perlash
dhe një krim
Tokë e mungesës
Ja toka e dhimbjes
Tokë pa të nesërme
Që ansjë erë nuk e ndriçon
Çfarë lajmi do të vijë
O të dashurit e mij
Në këtë tokë të mungesës?
(Përkthyer nga L. Rama.)