Ambra Hysa: Dashuria, kjo ndjesi e mistershme…
Dashuria, kjo ndjesi e mistershme që na pushton nga koka tek këmbët dhe bën që zemra të na rrahë fort.
Ku ka humbur dashuria sot? Sa po e përjetojnë të rinjtë dashurinë? E kam fjalën për atë të vërtetën, luftaraken, rebelen, kundër të gjithëve… atë që i shkund të gjitha themelet, “tërmetin” e zemrës.
Ajo na bën të ndihemi të pamposhtur e njëkohësisht mund të na ekspozojë lehtësisht ndaj plagëve emocionale.
Rebelimi në dashuri shpesh vjen si pasojë e përpjekjeve për të tejkaluar pengesat dhe kufijtë që shoqërojnë ndjenjën tonë. Është ky rebelim që na shton vlerën dhe intensitetin e dashurisë, por edhe sjell konfliktet e plagët e mundshme.
Një rebelim i bukur i zemrës, padurimi i zemrës dhe një ëndërr që na bën të ndihemi të gjallë e të motivuar, nga e cila nuk duam të zgjohemi asnjëherë. Ky Vit i Ri le të nisë kështu, me dashurinë në qendër, kryefjalën e zemrës, boshtin e jetës. Dashurinë që na bën të gjithëve më të mirë. Kam menduar gjithmonë se dashuria i zbut tonet, se është përgjigjia e vetme ndaj çdo beteje, është mënyra sesi fitohet lufta.
Në novelën “Luftë dhe Trëndafila” kam shkruar se ku ka luftë mund të ketë edhe trëndafila të kuq si gjaku dhe butësia e tyre mund ta sfumojë ashpërsinë e luftës. Aromë trëndafilash mes kaosit, njësoj si aromë dashurie në zemër të një viti të vështirë. Dymbëdhjetë kapituj të rinj mezi presin të shkruhen, të bardhë si bora, të përkëdhelur nga dashuria jonë për fillimet e reja. Kapitulli një! A jemi gati ta fillojmë? Të ia nisim me gjuhën e dashurisë, të shohim se si një dashuri e re mund të krijojë një rrugë të re, ku trëndafilat me aromë rriten mes kaosit të jetës.
Please follow and like us: