Albspirit

Media/News/Publishing

Cameron: Britania do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në fushën e sigurisë dhe njohjeve ndërkombëtare

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron tha sot se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në fushën e sigurisë dhe anëtarësimin e saj në forumet ndërkombëtare në një periudhë pasigurie ndërkombëtare.

Zoti Cameron i bëri këto komente gjatë vizitës në Prishtinë, e para që kur mori postin e sekretarit të jashtëm në qeverinë e kryeministrit Rishi Sunak.

“Siç e shohim në lajmet sot, ne jetojmë në botën e pasigurisë së madhe, të paqëndrueshmërisë së madhe, në botën e konfliktit të madh dhe është koha kur vende si Britania duhet të mbështesin miqtë, të punojnë ngushtë me aleancat e rëndësishme dhe duke investuar në zona që kanë qenë të paqëndrueshme, por tani po tregojnë qëndrueshmëri dhe përparim të madh. Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu dhe kjo është arsyeja pse ne dëshirojmë të vazhdojmë të punojmë me ju”, tha të enjten sekretari britanik në një konferencë shtypi përkrah ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Sekretari britanik takoi edhe trupat shtesë nga vendi i tij që u vendosën në terren në vjeshtën e vitit të kaluar, pas një sulmi mbi policinë e Kosovëm me 24 shtator nga një grup serbësh të armatosur, që nxiti shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon.

Cameron: Britania do të vazhdojë të mbështesë Kosovën

“Ne biseduam sot në mëngjes për sigurinë tuaj dhe kontributin e rëndësishëm që mund ta japim për këtë, për faktin se Britania luan një rol të madh në kuadër të forcave paqeruajtëse të KFOR-it. Ne kemi më shumë se 600 trupa britanike këtu. Jemi krenarë për trajnimin dhe mbështetjen që po u japim forcave tuaja të armatosura dhe suksesin e madh të tyre gjatë stërvitjeve në Mbretërinë e Bashkuar”, tha ai.

Zoti Cameron shërbeu si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar nga viti 2010 e deri në vitin 2016 kur vendi i tij u largua nga Bashkimi Evropian.

“Kur ishim në BE më kujtohen shumë net të gjata duke debatuar për rëndësinë e njohjes së sovranitetit dhe pavarësisë suaj, dhe mbështetjen e vendit tuaj. Jam krenar që mbajtëm këtë qëndrim”, tha sekretari Cameron gjatë një darke pune me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, të cilin e siguroi për vazhdimin e mbështetjes britanike.

“Duam të dëgjojmë për gjërat që po ndodhin në rajon dhe disa nga çështjet e fqinjësisë që unë e di se janë të vështira”, tha sekretari Cameron, duke nënvizuar se qëndrueshmëria në Ballkanin Perëndimor është shumë e rëndësishme dhe në interes të vendit të tij.

Mbretëria e Bashkuar ishte ndër vendet e para që njohën pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, e cila kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Të dyja vendet ballkanike që nga viti 2011 janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve por ky normalizimin duket ende i largët.

Please follow and like us: