Rudolf Marku: TAKIM ME MIQTË E VJETËR
(Fotoja është e ditës së sotme, Richmond Park, London).
Takimi im i parë në vitin 2022 me miqtë e mi, drerët e Richmond Park.
Më josh dinjiteti i tyre, indiferenca për qëniet njerëzore, mospërfillja mondane, shpërfillja për gazetat, lajmet në Tv, analistët dhe festivalet e këngëve. Aq më tepër tani, kur na shohin të shpërfytyruar me maskat tona që po bëhen përherë e më tepër pjesë e fytyrave tona…
Duket qartë se u mjafton natyra, po aq sa dhe natyra duket e plotësuar me ata vetë.
Do ju lutesha të më duronit, miq të mi të Fb, postimin e një poezie timen të hershme, shkruar në Stokholm, në vitin 1992, kur i pata ndeshur drerët rastësisht një mbrëmjë dimri, në kryeqytetin suedez.
DRERËT NË STOKHOLM
Mes trafikut modern të një mbrëmje dimri
U shfaqën drerët, të ndrojtur dhe kokëfortë,
Sikur qenë dërguar nga një Urdhër i Lashtë
Për të na gjetur ku kemi humbur në kët’ botë.
Mes makinave ecnin, sikur t’mos ekzistonin
Policët e rreptë të Mbretërisë suedeze,
O drerë hyjnorë! Ç’dreqin kërkoni këtu?
Si mund t’u besoni kaq mendjelehtësisht njerëzve?
Drerë që u ndalet përpara Royal Academy.
Asnjë Nobel nuk shpallet këtë vit për letërsinë.
Në malet e Ballkanit, sipas një Urdhëri të Lashtë
Nën ritmin e ulurimave të ujqërve i këndojmë rapsoditë.