Sadik Bejko: Një Festival që është ndëshkuar me fshesë të hekurt
Kanali REPORT TV në këto ditë të para të Vitit të Ri ritransnetoi në tri net koncertin e “Festivalit të 11-të pas 47 vjetësh” mbajtur në sallën e BUNKART1 në datat 9-10-11 dhjetor 2019.
Ky koncert, ide e Carlo Bolinos, mundohej të risillte në skenë disa nga këngët më të shquara që u luajtën për herë të parë në skenën e RTVSH në dhjetor 1972, në të famshmin Festival të 11-të.
Festivali i 11-të 1972 kishte regjisor Mihal Luarasin, drejtor Festivali Nikolla Zoraqin, skenograf piktorin Edi Hila, dirigjent Ferdinand Deda, prezantues Edi Luarasi dhe Bujar Kapexhiu… merrni pjesë këngëtarët më në zë të kohës si: Vaçe Zela, Tonin Tërshana, Sherif Merdani, Ema Qazimi, Liljana Kondakçi, Françesk Radi, Bashkim Alibali, Justina Aliaj, Lindita Sota etj. Këngët u luajtën nga orkestra e madhe e Radio Tiranës, shoqëruar dhe nga dy formacione të tjera orkestrale, nga orkestra frymore e maestro Gaspër Çurçisë dhe orkestrina e Aleksandër Lalos. Festivali ishte krijim i kompozitorëve dhe i poetëve më të shquar të asaj kohe.
Ky Festival i 11-të pas 47 vjetësh nuk mund të pretendojë të jetë as kopje dhe as një rimarrje e asaj ngjarjeje artistike të paharruar të vitit 1972. Ky Festival i viti 2019 është një in memoriam për shumë nga artistët që nuk janë më. Për më tepër, është një homazh për një ngjarje artistike e cila u baltos si përdhosje, si njollë e errët e artit shqiptar.
Shumë nga artistët krijues të Festivalit të viti 1972 patën pasoja me burgime, internime, flakje përgjithmonë nga skena, largime të përkohshme nga jeta artistike etj…
Nuk dua ta zgjas më shumë sepse gjërat janë të njohura.
E bëra këtë status se ritransmetimi i tanishëm i Festivalit të 11-të më 2019, rizgjoi emocione pozitive te shumë njerëz. Mora telefonata, falënderime, urime nga miq, po dhe njerëz të largët. Më kapën njerëz në rrugë… më uruan.
I falënderoj të gjithë.
Dhe më vjen mirë. Një Festival që është ndëshkuar me fshesë të hekurt, janë zhdukur deri vidiot dhe partiturat e tij, një Festival që ka lëvizur nga rrënjët majën e udhëheqjes së diktaturës, që është anatemuar nga vetë Enver Hoxha, një Festival me këngë e poezi që ka shërbyer për shpërthimin e një vale të paparë dhune dhe represioni mbi njerëz të kulturës kompozitorë, këngëtarë, poetë… kur ritransmetohet tani prodhon ndjenja poziviteti, kënaqësie estetike dhe mirësie. Njerëzit i pëlqejnë këto këngë të kënduara prej më shumë se një gjysmë shekulli.
Para disa javësh nga një studiues i sotëm, admirues i diktaturës, kishte një shkrim me materiale nga arkivat kundër Festivalit të 11-të, 1972.
Nuk ka rëndësi. Mjafton që për Festivalin e 11-të vazhdon të shkruhet.
Kushdo të mbajë mendimin e tij. Edhe ai studiuesi kundër tij, edhe ai shikuesi i kënaqur i tri netëve të koncertit të ritransmetuar nga REPORT TV.